07 settembre 2013

Muzeu i Krujës, ‘vepër’ e Enver Hoxhës për të bijën

  • Robert Kote: më 05.09.2013 | 14:19
  • Hoxha nuk erdhi në inaugurimin zyrtar të Muzeut të Krujës.
  • Inxhinieri Robert Kote tregon për projektin e rrugës dhe ashensorin që duhet të zbatohej për t’u ngjitur në muze
Valeria Dedaj
-Arkitekti Robert Kote në një intervistë për gazetën “Shekulli” tregon sesi Xhemal Dymylaj, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Krujë i dha një dosje, e cila përmbante projektin e një rruge sekrete në vitin 1981. “Kjo dosje sekrete ishte nga partia. Në të ndodhej projekti i një rruge të projektuar fshehurazi për në Muzeun e Krujës. Por unë nuk i pashë asnjëherë inxhinierët që vinin nga Tirana”. Sipas profesor Kotes, për ndërtimin e Muzeut të Krujës fillimisht Enver Hoxha nuk kishte dashur, por më vonë nuk dihet sesi ndryshuan punët që e bija, Pranvera Hoxha, të projektonte këtë muze. Gjithashtu inxhinieri na flet dhe për rendësinë e ruajtjes së vlerave arkitektonike duke mos dëmtuar monumentet ekzistuese . Robert Kote ka projektuar “vullnetarisht” shumë objekte universitare si: ato në Institutin Bujqësor Kamëz, teatrin veror kino-kulturor, skulptura etj. Ai ka qenë gjithashtu i detyruar të zbatojë (me krijimtari) Muzeun e Krujës për “Skënderbeun” etj.
Profesor ju kujtohet sesi është ndërtuar e ashtuquajtura “rruga për Enver Hoxhën” në Muzeun e Krujës?
Mbaj mend se një natë mua më thërritën në Komitetin e Partisë. Më kërkonte Xhemal Dymylja, ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë në Krujë. Bëhet fjalë për vitet 1980 -’81, asokohe isha inxhinier zbatimi i Muzeut. Xhemal Dymylja më jep një dosje për të cilin mendova kushedi se çfarë do të ketë. Shkoj në shtëpi dhe shikoj se ishte projekti i një rruge, projekti i një rruge që erdhi në mënyrë sekrete nga partia. Mendoj se ajo rrugë është projektuar fshehurazi, sepse unë punoja në Muze, por asnjëherë nuk i pashë inxhinierët që vinin nga Tirana.
Asokohe kishte përfunduar së ndërtuari Muzeu i Krujës?
Kishte mbaruar gjithë muzeu, por ata nuk kishin menduar sesi do të vinte Enver Hoxha. Mesa dukej ai ishte i sëmurë dhe nuk e njihte tatëpjetën. Sepse makinat ndalnin poshtë dhe njerëzit do të ngjiteshin në këmbë për të ardhur në muze. Enver Hoxha do të shikonte veprën e vajzës së vet, Muzeun e Skënderbeut.
Çfarë përmbante më projekti “sekret”?
Ndërkohë që unë po e zbatoja, pasi mu dha urdhri, mu dha dhe një skicë për të bërë ashensorin, pavarësisht se ndërtesa ishte vetëm tre kate e lartë. Nga kjo kuptova që ky projekt do të bëhej për njerëz të sëmurë, që nuk ngjisnin dot shkallët.
Pra Enver Hoxha nuk ishte në inaugurimin e veprës së vajzës së tij, Pranverës?
Mbaj mend se Sulo Gradeci erdhi me një makinë të vogël në ngjyrë portokalli me të cilën tentoi të hynte në Kalanë e Krujës. Por Enver Hoxha nuk erdhi. Të gjithë u çuditëm përse Enver Hoxha nuk kishte ardhur për në inaugurim zyrtar. Pavarësisht se fshehurazi ai mund të ketë ardhur.
Por a ka mundësi që mos vij babai në inaugurimin e veprës së vajzës?!
Pavarësisht se ajo faktikisht është vepra e Enver Hoxhës. Mbaj mend se vetë Enver Hoxha erdhi e pa dhe tha : “ Çfarë është kjo?!” dhe dha urdhër që të ndërtohej një ndërtesë tjetër, por jo në atë kala. Pavarësisht se e bija e bëri aty. Por këto janë punë të historianëve. Ne pritëm deri në datën 1 nëntor të vitit 1982 që të vinte Enver Hoxha, shikonim të gjithë se kur do të vijë Enver Hoxha, por nga byroja politike erdhën të gjithë, që nga Nexhmie Hoxha, Ramiz Alia etj., por ai nuk erdhi. Kjo ngelet një enigmë që nuk ka marrë ende një përgjigje konkrete. Ai ndoshta mund të ketë qenë i sëmurë. Më vonë u hapën dhe fjalë që donin ta vrisnin, pasi e kishin parashikuar se do të vinte atje. Por këto ngelen vetëm fjalë. Kujtoj se në atë kohë u arrestuan disa njerëz me origjinë Kosovare në Laç dhe në Fushë-Krujë, por a kishin lidhje me të apo jo, kjo nuk dihet.
Ka qenë e vështirë të punonit nën presion e partisë?
Nuk po flas për vlerat që ruan muzeu, por unë kisha si detyrë të ndërtoja, të pasuroja dhe të zgjidhja problemet teknike që nuk m’i zgjidhnin të tjerët. Ka pasur raste që më thoshin : “zgjidhi, ke qenë profesor, vrit veten”. Por unë qeshë i detyruar të bëja një punë dhe pse e kuptova që ishte një rrugë sekrete, duhet ta bëja se nuk kisha nga të shkoja, e bëra me sakrifica dhe me pak punëtor.
Çfarë ndryshimesh ka pësuar sot Muzeu i Krujës nga ndërtimet që janë shtuar?
Në ato vite ka qenë një sektor që mirëmbante Kalanë e Krujës. Gjergj Frashri, ish-studenti im që sot është një arkitekt në shkencat e teknologjisë dhe të mirëmbajtës ka pas punuar aty. Shteti asokohe i mirëmbante dhe nuk lejonte ndërtimet pranë monumenteve historike. Ç’është e vërteta ne kemi rikonstruktuar një pjesë të pazarit, por dhe aty kishte punëtor që kujdeseshin. Këto punë i bënte shteti, jo privatët. Ne arkitektët përpiqeshim të ruanin ndërtesa ashtu siç ishte. Nuk mundej që ne të konceptonim një banesë para kalasë së Krujës, apo të bënim një pallat si në Tiranë dhe në Krujë, por mundoheshim ta bënim me kujdes. Më vonë filloi ndërtimi i pallateve dhe gradualisht filloi të humbnin dhe vlerat historike dhe kulturore. Asokohe Kruja ishte një qytete i varfër, por i bukur. Tani këto fizionomi i ka humbur krejtësisht.
Arkitektura sot
Arkitektura nuk është vetëm të projektosh një pallat, por që t’ia bësh jetën atij tjetrit të këndshme, kjo që po zhvillohet sot nuk është arkitekturë. Në Nju-Jork nëse hapet një pusetë, polici rri në këmbë deri sa mbyllet. Sepse janë dhe disa rregulla kulturore, teknike dhe shpirtërore, që fatkeqësisht shkolla jonë e arkitekturës nuk i kultivon më sepse në universitet nuk zhvillohet lënda e Historisë së Arkitektonikës. Pasi dhe arkitekti duhet të bëhet i ndërgjegjshëm, që të thotë se nuk e projektoj këtë pallat mbi lulishte. Apo nëse e bën t’i hiqet licenca. E dyta duhet që të zbatohen dhe rregullat teknike, duhet ruajtur origjinaliteti. Në këto vitet e fundit, pa kriter tmerrësisht qyteti po “betonizohet”..., në dëm të kulturës sonë dhe të vetë shtetit. Veçanërisht Kalaja e Krujës që përmban në gjirin e saj shumë vlera, nga të paktat që gjenden tek ne. Pak të njohura për publikun dhe turistët e huaj. Aty ka gjurma kalash, xhamish, teqesh etj.
Brendësi në Kalanë e Krujës

Brenda në Kalanë e Krujës vrojtimi i kësaj pamje bëhet nga teqeja e Dollmës ku ndodhet dhe “Ulliri i Skënderbeut” (monument). Në vitet 1984-’85 (kur ende punoja dhe jetoja në Krujë) i pata propozuar Xhelil Gjonit (ish-sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Punës Shqiptare të rrethit të Krujës) që objektet në këtë pjesë të kalasë të përdoreshin efektivisht për qëllime dhe turistike... I pata përpunuar disa nga projektet për ti rikonstruktuar banesat dhe mjediset pranë (duke ruajtur origjinalitetin arkitektonik) do të shërbenin për hotele, bare, restorante, më mundësi të përdorimit të Hamameve. Por për shkak të fondeve dhe shumë arsye të tjera nuk u bë asgjë. Edhe sot ato objekte pavarësisht se janë të braktisura dhe në rrënim janë shumë të tërhequra, por njëkohësisht dëshmi të anti-kulturores. Në sytë tanë, por dhe të turistëve të huaj.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate