04 giugno 2012

MOZAIK TURISTIK NE BRIGJET SHQIPTARE TE JONIT

MOZAIK TURISTIK KORRIKU NE BRIGJET SHQIPTARE TE JONIT

REPORTAZH
MOZAIK TURISTIK KORRIKU NE BRIGJET SHQIPTARE TE JONIT  
-Arbëreshë  nga Italia në Himarë, në gjurmët e eksodit, të të parëve të tyre-
nga Artan Gjata 1/8/2008
Kur Profesor Vincenzo Cucci, arbëresh, pedagog në shkollën e muzikës në Chieri, afër Torinos, më tha në muajin mars të këtij viti, gjatë takimit në një vizitë në këtë qytet të Italisë veriore, se kishte dëshirë të kalonte këtë vit pushimet verore në një nga zonat e Rivierës së Jonit Shqiptar, i thashë se do të ishte një zgjedhje e mirë, por mbasi u ktheva në Tiranë e harrova “dëshirën” e Prof. Cuccit.
U befasova kur në fillim të muajit korrik më kontaktoi në telefon dhe më tha se donte t’i gjeja një hotel, ose ndonjë shtëpi  në Himarë për të kaluar së bashku me disa miq arbëreshë, pushimet , nga 15 Korriku-31 Gusht, ashtu siç i kalojnë shumica e shqiptarëve. Dhe Cucci së bashku me miqtë e tij, pasi mbërriti nga Brindizi në Vlorë më 16 korrik në mëngjes, filluan udhëtimin drejt Himarës.
Aventura e miqve arbëreshe nisi menjëherë gjatë këtij udhëtimi në një ditë plot diell, përgjatë rrugës së shtruar me asfalt të cilësisë së parë të Radhimës të bregdetit të kaltër vlonjat, për t’u ndalur pak në Orikum, ku në të djathtë të kësaj qyteze, dikur ish baza e famshme ushtarake e Pasha Limanit, që së bashku me gjirin e Karaburunit ishin mjaft të njohura për ta, nga emisionet televizive te kanaleve italiane, që dikur përcillnin në lajme ecejaket e gomoneve plot me klandesinë drejt brigjeve të Pulias. Arbëreshët pyetën se ku e kanë strehimin gomonet dhe i tregova një gji të vogël në Radhimë, pronë e policisë, duke i shpjeguar se edhe këtë vit, për të tretin vit radhazi është i ndalur qarkullimi i tyre në të gjitha  brigjet shqiptare, për t’i dhënë fund trafikimit të njerëzve dhe drogës, por që për fat të keq ka penguar edhe të apasiounuarit për shëtitje në det.
Pamja nga Llogaraja, nga ku Joni reflektone si  pasqyrë krejt rrezet e diellit dhe nga dukeshin një pjesë e fshatrave  të Bregut  i befasoi turistët arbëreshë. ”
Para 500-550 vitesh  -tha Cucci, që është i zgjedhur edhe President i Shoqates Vatra Arbereshe të Chierit-të parët tanë, diku këtej nga këto brigje duhet të jenë nisur për të arritur në Itali”. Në sytë e arbëreshëve vihej re një shkelqim dhe nuk ishe e vështirë të dallohej kurioziteti për të parë nga afër këto fshatra, nga ku të parët e tyre ndërmorën atë eksod, për t’i shpëtuar përndjekjes së një perandorie të fuqishme të asaj kohe.
Megjithë përpjekjet e historianëve si shqiptarë, ashtu dhe arbëreshë, akoma edhe sot nuk është zgjidhur përfundimisht se si kanë mundur të largohen nga këto brigje me anë të detit mijra banorë, burra, gra dhe fëmijë, cilat ishin krahinat shqiptare, origjina e arbëreshëve, a ishin ata banorë vendas të këtyre brigjeve të sotme, apo të ardhur nga zona më të largëta, kryesisht veriore të Shqipërisë.
Duket se arbëreshët, i kishte shtyrë në këto pushime ”gjaku i shprishur” dhe jo për t’i dhënë përgjigje fenomenti të atij eksodi, as për t’u çliruar nga streset gjatë një viti , apo banjot e diellit dhe deti i pasër i Jonit.
“Arbëreshët-siç shprehet Cucci, i  nxitur emocionalisht, tek sa automjeti me targa të Torinos rrëshqiste ndadalë Qafën e Llogarasë, - e kanë endër për të kaluar pushimet, për të parë Atdheun e të parëve të tyre, për të eksploruar diçka të pa zbuluar dhe pikërisht edhe ne zgjodhëm Himarën, e parë nëpër guida me atë gji natyror fantastik, me atë mol të vogël, ku sipër tij shkëmbijtë zbresin thikë mbi det.”
Në Himarë grupin e arbëreshëve e priti Paksi Nërënxi, ose Paksino, siç i pëlqen ta thërasin, që
kish vënë në dispozicion banesen e tij të re, të përshtatur për të pritur turistë. Shtëpia e Paksit në Spille, ngjitur me molin nuk eshte  as 50 metra nga deti. Arbëreshët ngelën të kënaqur dhe falëndëruan shqip pronarin. Pazari ishte bërë më parë per 15 ditë një dhomë, me banjo dhe nje ankes gatimi, me kater shtretër që ishte 50000 lekë, afro 3300 lekë nata, sigurisht pa ushqim, por dhe pa kondicioner, por drita dhe ujë të siguruara. Por filluan edhe të papriturat e para dhe Paksi i habitur tha, “se këta ditkan edhe shqip, mos janë emigrantë nga Tirana, që kanë shkuar në Itali, siç shkojmë ne nga Himara në Greqi dhe pse skanë marë çarçafë me vete”?
Miqtë e sapoardhur nuk kuptuan mirë, por i thashë Paksit se këtë janë arbëreshë, të parët e të cilëve janë larguar nga Shqipëria në Itali para më shumë se 500 vitesh, pikërisht nga brigjet e fshatrave të Bregut dhe tani janë shtetas italianë, janë turistë italianë të vërtetë dhe as merret me mënd që me këtë çmim që po paguajnë të marrin edhe orendi me vete.
Mbas shlodhjes së natës së parë, ku arbëreshët nuk ndjenë asgjë nga muzika e diskove të improvizuara dhe freskisë natyrore e veçantë për Himarën, e nesërmja filloi me të papriturat e këndshme që ofron kjo qytezë e lashtë shqiptare, buzë Jonit, për çdo turist që e viziton për herë të parë.
Sezoni i sivjetshëm veror turistik, megjithëse e gjeti Himarën, ashtu si edhe vjet, me pak ndryshime relaksuese për pushuesit , ështe i mbarë për banorët që lëshojnë
vila dhe apartamente me qera dhe bizneset e shumta. Pasionantët e Jonit këtë vit, ashtu si arbëreshët këtë vit e patën më të lehtë qarkullimin, se vetëm pak rrugë, pasi kalon Dhërmiun e kapërcyen me vështirësi, sepse nga Vlora rruga totalisht, megjithëse e ngushtë është e asfaltuar dhe punimet shumë shpejt pritet të përfundojnë edhe deri në Himarë.
Prof Cucci, që udhëheq grupin e vëgël të arbëreshëve, fillon që në mëngjes eksplorimin me vizitën në portin e vjetër të Himarës, ku veç peshkarexhave vendase, herë pas here vizitohet nga jahte luksoze turistësh të huaj. Moli megjithë projektet e pafund mbetur në sirtaret zyrtare, është gërryer këtë vit më shumë, nga fortunalet dimërorë, sa edhe peshkarexhat e kanë të vështirë të ankorohen. Por megjithatë porti ngjall kuriozitet për të gjithë vizitorët se është krijuar poshtë një kodre thikë mbi det si dhe nga e kaluara e tij, ku askush nuk mund t’i afrohej, sepse ruhej me roje të shumta për të ndaluar çdo zbarkim armik . Sipër tij, mbi kodër, krahas një reparti ushtarak që akoma funksionon, ndodhet godina e pushimit të punonjësve të Shërbimit Informativ Shtetëror, dikur shkolla dhe konvikti i shkollës së mesme bujqësore, që nxirrte specialistë për të kultivuar ullinj dhe agrume. Gjallërinë e vërtetë porti e merr në mbrëmje, kur peshkarexhat e vjetra afrohen në mol dhe qindra plazhistë si dhe turistë kuriozë mblidhen për të parë gjahun e detit. Sasia më e madhe e peshkut, karkalecave dhe molusqeve të freskëta, direkt nga anijet blihet nga pronarët e lokaleve, jo vetëm të Himarës, por dhe ato nga Dhërmiu e Vlora.
“Zakonet dhe mikrpitja janë pothuaj njësoj si ne në Kalabri, ku janë edhe fshatrat më të populluara me arbëreshë”-thotë Cucci, që në mbrëmje shkoi të darkojë në lokalin ngjitur me molin, duke preferuar midhjet e freskëta të Sarandës, me gjithë guacka, shoqëruar me limon. Por atij si dhe arbëreshëve të tjerë u bën përshtypje e folura në greqisht e një pjese të vendasve. Ata pyetën edhe një plak të moshuar, po me mbiemrin Nërënxi, afër strehës së tij të pushimit në Himarë, se ç’kuptim ka ky mbiemër dhe ndërsa kishte marë një përgjigje se ishte një frut i këtyre zonave, i  thanë se “edhe te ne në komunat Arbëreshe ekziston një mbiemër i tillë, por sipas gojëdhënave të të parëve, kishte të bënte me një toponimi, “banorë në rëzë të  malit”". Por megjithëse nuk u morr vesh mirë me xha Thoma Nërënxin, afro 80 vjeç, mbi prejardhjen e mbiemrit të tij, profesori  arbëresh, siç u shpreh vetë “u bë mik me të, sepse plaku i ngjante me të vërtetë heroit të Heminguejit ” Plaku dhe Deti”, sepse çdo mbrëmje megjithë moshën, nxirte varkën pa motorr për të hedhur rrjetat dhe në mëngjes, përsëriste të njëjtin ritual  si çdo ditë, për të parë dhe mbledhur se çfarë peshqish dhe arragostash kishin zënë rrjetat që ja kishin prurë djemtë dhe nipërit nga Greqia”.
Eksplorimi i turistëve arbëreshë vazhdoi të nesërmen në kalanë e vjetër dhe kishën e Himarës dhe më pas në gjiret e shumta të plazheve të Himarës, në Filikur, ku sipas gojëdhënave çdo çift natën e parë të martesës duhet të shkojë aty, për të patur shumë fëmijë, më pas në Livadhe,  e cila natyra, me bujarinë e saj i ka falur gjithçka apo në Llaman Biç, ku. pronari  një personazh himariot me pseudonimin Uliksi, i vënë nga turistët e përhershëm,sepse ka lënë një mjekër, që e mban pak si shumë të kriposur nga deti, e ka bërë të funksionueshëm, duke hapur një rrugë për vetura dhe duke çuar ujin. Arbëreshët në këtë gji, panë se si nga malet sipër detit, burojnë ujra të kristalta, duke larguar tej në thellësi larg bregut shijen e kripës.

Në rast se shkon me varkë pak më tutje gjirit, shikon daljen e portës së çeliktë të tunelit të strehimit të nëndetësve, të hapur në kohën kur vendi ruhej nga armiqtë e shumtë. Hyrjen ky tunel nënujor e ka nga ana e kalasë së Ali Pashait, një gji tjetër i rrallë i Himarës, tuneli i cili ndodhet ne nje zone ushtarake e ruajtur nga nje komando turke, sipas nje marreveshje mes dy shteteve. Në Kalanë e Ali Pashait, arbëreshëve me aparate dhe kamera nuk u ikej, ndërsa dielli i kuq flakë zhytej tej në perëndim në det. 
“Në Itali, janë mbi 60 komuna arbëreshe, ndërsa numri i arbëreshëve i saktë nuk dihet se shumë prej tyre janë larguar jashtë Italisë, në SHBA, Gjermani dhe shtete të tjera, por dhe shpërnguljet brenda Italisë janë të mëdha, ja ne tani banojmë në Torino, gjyshërit janë shpërngulut para 50 vitesh nga Kalabria në Piemonte”- thotë Cucci, që premton  se do të përgatisë vetë një guidë sapo të kthehet me pamje nga këto vende të mrekullueshme, për të prruë sa më shumë arbëreshë dhe turistë italianë në Rivierën e Jonit.
Mbrëmja në Himarë, krahas freskisë dhe ajrit të pastër të ofron edhe baret buzë detit dhe pak më vonë disko  poshtë ullinjve. Arbëreshët përfshihen në këto mbrëmje pasionante, veçanërisht këtë sezon, kur krahas turistëve të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, zbarkojnë me autobuzë dhe anijet traget nga ishujt e Greqisë për pushime , rinia e qytetit bregdetar. Ka mes tyre që janë larguar prej 17 vitesh dhe mundohen të shqiptojnë vetëm disa fjale shqip, që çuditërisht kuptohen më mirë me arbëreshët tanë.  Këtu me këtë vallzim, që vazhdon deri afër mëngjesit, kur edhe peshkarexhat nisin udhëtimin e tyre edhe arbëreshët kthehen në strehën e Paksinos.
Dhe grupin e arbëreshëve, që vizitoi Himarën, pritet, ta shoqërojnë vizita të tjera turistike, përsëri gjatë muajit gusht nga një grup tjetër i madh turistësh italianë dhe shqiptarë të brezit më të ri të emigracionit në Itali, me nismën e  Federatës të Shoqatave Shqiptare, Italo-Shqiptare dhe Arbereshe te Piemontit, Shoqatë e cila ka hapur për herë të parë edhe një Zyrë në Torino, për promovimin e turizmit shqiptar.
-Jahtet turistikë në bazën e Pasha Limanit-
Delestaing është një qytetar francez rreth të 70-ave. Është banor i jugut të Francës, ne një qytet te vogël, Bandol, i distriktit Var. Për dekada me rradhë ka punuar si specialist pranë kompanisë së njohur “Shell”, ndërkohë që tashmë në pension, i pëlqen të udhëtojë. Madje, shumë. Së bashku me bashkëshorten e vet, dikur gjimnaste, ata lundrojnë me jahtin e tyre komod.
Gjithë verën përshkojnë një itinerar që, ndokush tjetër, në moshën e tyre, do ta kishte të vështirë. Përmes, disa hartave e botimeve, ku gjenden informacione të shumta, ata orientohen në destinacionin e tyre turistik. Delestaing është një njeri mjaft i qetë dhe tepër i vëmendshëm në bisedë. Dy miq të tij, anëtarë të të njëjtës shoqatë të nautistëve francezë, i kishin sugjeruar Shqipërinë, madje, Vlorën, në gjirin detar të të cilës, gjendet një port mjaft i mirë jashtesh. Dhe tashmë e ka ankoruar mjetin e tij lundrues turistik në një nga bankinat e këtij porti, që ndodhet në afërsi të qytetit të Orikumit. Prej disa orësh ka zbritur në tokë, ndërkohë që më parë, i duhej të kryente veprimet e ankorimit në Kapitenerinë e Portit të Vlorës. Ndihet mjaft i kënaqur dhe entuziast. Së bashku me bashkëshorten, pranojnë të bëjnë një foto dhe të bisedojnë për përshtypjet e këtij udhëtimi.“Keni një vend me të vërtetë të mrekullueshëm. Konstatova një mikpritje të jashtëzakonshme kudo. Në portin e Vlorës, ku shkova për dokumentacionin, më krijuan lehtësi të mëdha. Mund të them se praktika portuale është tepër  e thjeshtuar. Një turist, si puna ime, që lëviz në shumë porte të Mesdheut dhe më gjerë, e bën shumë shpejt krahasimin. Nga ajo që përjetova, mund të them se keni krijuar të gjitha lehtësitë për të qenë një vend i hapur, që mund të thithni turistë të kësaj kategorie, që udhëtojnë shumë në këtë sezon”.Së bashku me bashkëshorten, Delestaing, më fton për të vizituar jahtin e tij. Është një mjet lundrues turistik mjaft komod. Ngjyra e veçantë dhe hapësira brenda tij, të krijojnë një ndjesi shlodhjeje dhe kënaqësie të pamatë. Vazhdojmë bisedën e lënë në mes. 70 vjeçari tregon se vjen nga Kroacia dhe pas kësaj, do të vazhdojë udhëtimin për në Korfuz. Por, ajo që po përjeton këtu në gjirin e Vlorës, në Orikum, është diçka e veçantë.“Unë nuk do të qëndroj shumë. Por, do të kthehem shumë shpejt, për të qëndruar më gjatë. Madje, do të ftoj edhe miq dhe të njohur të mi. Ju këtu keni gjëra me të vërtetë të mrekullueshme, që vlejnë për t’u parë. Keni një bregdet, që ofron surpriza të këndshme. Është një vend, që kam dëshirë të rikthehem më me qetësi”. Kështu e vazhdon bisedën e tij turisti francez Delestaing. Por, krahas kësaj, ai bën edhe sugjerime. Më shumë, sipas tij, duhet bërë për promocionin. Ai thotë se nuk përcillet informacioni i duhur në perëndim për atë që ofron Shqipëria. “Kjo nuk mund të bëhet vetëm nga qeveria, apo nga shteti, por po aq, madje, më shumë, nga vetë operatorët turistikë. Në botimet që ekzistojnë në Francë, një prej të cilëve ai na e tregon, informacioni për Shqipërinë shpesh nuk është shumë i detajuar. Këto janë elemente që për të, kanë shumë rëndësi dhe që ofrojnë turistët.Qyteza antike e Orikut, që prej më shumë se dy vjetësh ka marrë statusin e Parkut Arkeologjik Kombëtar, ka zgjuar interesimin e vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj, që vijnë këtu për t’u njohur me historinë e lashtë të trevave ilire, por edhe më gjerë.25 km larg Vlorës dhe rreth 170 km larg Tiranës qyteza antike ndodhet brenda bazës ushtarake të Pashalimanit, por kjo nuk e ka penguar atë për të qenë në vëmendjen e vizitorëve, të cilët në mjaft raste përballen me vështirësitë e lejes për të hyrë në zemër të parkut. Drejtori i këtij parku, Nasip Xhelili tregon se “pavarësisht nga pengesat, që lidhen me vendndodhjen e parkut, brenda territorit të bazës ushtarake të Pashalimanit, numri i vizitorëve këtu, ka ardhur në rritje të vazhdueshme”. Xhelili sqaron se gjatë vitit të kaluar mjediset e Parkut Arkeologjik të Orikut u frekuentuan nga rreth 800 turistë të huaj e nga rreth 3500 vizitorë vendas. Ky numër, sipas Xhelilit, mund të ishte më i madh, nëse nuk do të ekzistonin pengesat proceduriale për të marrë leje në organe të larta drejtuese të Forcave të Armatosura të Republikës, për shkak se parku përfshihet në një territor ushtarak.Pesë ditë më parë, sipas tij, një grup me 100 turistë të huaj u kthye, për shkak të pengesave të pakapërcyeshme të hyrjes së tyre, në territorin e Parkut. Aktualisht, po bëhen përpjekje për lehtësimin e procedurave të kalimit të vizitorëve, që pritet të realizohet në një kohë optimale. Kjo, thotë drejtori Xhelili, do të shoqërohet me veprimtaritë promovuese të vlerave që ofron Parku Kombëtar Arkeologjik i Orikut. Drejtori i parkut thotë se, me heqjen e këtyre pengesave, numri i turistëve të huaj, pritet të dy dhe trefishohet. Krijimi i Parkut Kombëtar Arkeologjik të Orikut, vlerësohet nga arkeologët vlonjatë si një projekt mjaft efektiv, që mundëson ridimensionimin e kësaj qyteze antike dhe shfrytëzimin e vlerave që ofron ajo. 
Në këtë qendër, veç vlerave të periudhës së antikitetit, si mozaikë, janë zbuluar edhe objekte të periudhës mesjetare. Gërmimet më të fundit në këtë qendër, janë bërë të paktën 20 vjet më parë, kur u zbuluan një pjesë e amfiteatrit, nekropoli, shkallët që të çonin tek akropoli, etj.
Pjesa më e madhe e gjurmëve të këtij qyteti, ndodhen nën tokë dhe nën sipërfaqen e ujrave të lagunës që gjendet shumë pranë. Në ditët me mot të kthjellët, një pjesë e rrënojave reflektojnë në sipërfaqen e ujit. Qyteti, që mendohet të jetë ndërtuar nga eubeasit kolonë, në territorin e banuar nga fisi ilir i Amantëve, i ka fillimet në shekullin VI, para Krishtit, kur ai njihej me emrin Jeriko. Oriku përjetoi një zhvillim të vrullshëm gjatë periudhës së pushtimit osman, për shkak edhe të pozitës gjeografike.Pak ditë më parë, në këtë qytezë, përfundoi restaurimi i Pusit të Shenjtë, një nga objektet më të rëndësishme të kësaj qendre arkeologjike, që u mundësua përmes një projekti të financuar nga Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal(AULEDA). Në të ardhmen, janë parashikuar të realizohen edhe projekte të tjera restauruese të objekteve që ndodhen në territorin e parkut, si dhe një fushatë promovimi shumëdimensionale. Veç formave të njohura siç janë ato të përgatitjes së fletëpalosjeve e materialeve të tjera, do të shfrytëzohet interneti, kontaktet me agjenci turistike lokale, kombëtare, etj. Në 3 maj, për herë të parë, në Parkun Arkeologjik të Orikut, u çel sezoni turistik për bashkinë e Orikumit, në prani të qindra banorëve të zonës, nga qyteti i Vlorës e më gjerë.Në janar të vitit 2006, qyteti antik i Orikut, u shpall Park Arkeologjik Kombëtar, krahas atij të Amantias, me propozim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Kjo qytezë është përfshirë dhe do të përfshihet shumë shpejt në programet e promovimit të turizmit në rrethin e Vlorës dhe në axhendat e agjencive turistike.     

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate