09 novembre 2014

Drejt majës më të lartë- Kur pasioni shndërrohet në turizëm nen guiden e High Albania Mountain Club.

  • Drejt majës më të lartë- Kur pasioni shndërrohet në turizëm
- Intervistë për ATSH-në e Fisnik Muçës, themeluesi i High Albania mountain club -
high 1TIRANË, 8 Nëntor/ATSH-Maela Marini/.- Nëse vjen në një aktivitet të High Albania mountain club do të ngjitesh gjithmonë në majën më të lartë… Është ky një premtim i këtij klubi alpin, ndër të parët që ka ofruar guida turistike të organizuara drejt natyrës dhe maleve shqiptare.
Lartësitë janë sfiduese ndaj ndiqni aventurën e High Albania dhe njihni Shqipërinë: Do të ndryshojë përgjithmonë diçka brenda jush….
Mund të nisë si një alternativë për të kaluar fundjavat ndryshe, por për shumicën e atyre që e kanë provuar, hiking “ngjitja e malit” është shndërruar në pasion.
Fillimisht mund të ngjisësh kurrizoren e Dajtit apo destinacione të tjera përreth Tiranës, por papritur mund ta gjesh veten në majë të Korabit, Tomorrit apo Jezercës, një sfidë që ndoshta as në ëndërr nuk do t’ia pranoje vetes, por që vjen aq natyrshëm kur dashurohesh me malet.
Në një intervistë për ATSH-në, Fisnik Muça, themeluesi i High Albania mountain club tregon vështirësitë e para, por edhe sukseset e këtij klubi, të cilit përafërsisht i bashkohen rreth 5 mijë persona në vit. “Ne filluam pak nga pak t’i tërheqim, si fillim duke organizuar aktivitete të lehta nëpër monumente natyrore në rrethinat e Tiranës dhe më vonë në Alpet shqiptare, në Theth dhe në Valbonë“, thotë ai.
high 3“Nuk është mali ai që ne duam të pushtojmë, por vetvetja”. Ishte kjo një thënie e sir Edmund Hillary, një alpinist, eksplorues dhe filantrop nga Zelanda e Re, që më tërhoqi vëmendjen teksa kërkoja të mësoja diçka më tepër në sitin e High Albania.
Dhe nëse misioni i High Albania për të orientuar turistët drejt natyrës dhe maleve shqiptare, do të ndryshonte diçka në konceptin e turistit të sotëm shqiptar të etur për pushime jashtë vendit, atëherë ky mund të konsiderohet një mision i përmbushur.
Njihni Shqipërinë – Ndryshoni përgjithmonë diçka brenda vetes…
“Nëse një njeri tregohet fisnik dhe shërben bujarisht ndaj të huajve kjo tregon se ai është një qytetar i botës; dhe se zemra e tij nuk është një ishull, i prerë nga tokat e tjera, por është një kontinent që është i bashkuar me to. Dhe ata nuk do kenë kaluar përmes jetës time më kot, nëse nga ky rrëfim i shkurtër qoftë edhe disa lexues njihen me një vëzhgim të vërtetë të karakterit të anëtarëve të fiseve të maleve.” “High Albania” nga Edith Durham.
high 5Ky është një fragment i shkurtër nga hyrja e librit të Edith Durham, “High Albania”. Britanikja e cila u dashurua me malet shqiptare, gjeti në Shqipëri më tepër se sa mund të kishte parashikuar. Në vendin mes maleve, që ajo e cilësonte si “toka ku e shkuara jeton akoma”, gjeti një mikpritje dhe fisnikëri që nuk e kishte hasur as në kryeqytetet e perëndimit. Thjeshtësia e njerëzve, bujaria e tyre, besa dhe mirësia lanë gjurmë të fuqishme të autorja e radhëve të mësipërme.
Alpet shqiptare u bënë për të një udhëtim në të shkuarën, ku ajo kishte mundësinë të prekte ndjenjat më të pastra njerëzore të së shkuarës, ato tradita të lashta që dikur kishin ekzistuar edhe në Britaninë e saj, por para mijëra vjetësh,
Sot kur bëhet fiks një shekull nga dalja në dritë e librit që sapo përmendëm, bukuria natyrore vazhdon të jetë po aq magjepëse, mikpritja e njerëzve vazhdon të jetë e fuqishme edhe pse sot ata përballen me probleme që një shekull më parë edhe pse më të varfër nuk i kishin.
highTë lexosh një britanike që shkruan me një ndjenjë magjepsje për vendin tënd, është një ndjenjë e bukur, por të mos shohësh të paktën se përse ajo u magjeps nga malet tona, është vërtet keqardhje.
“High Albania” mountain club, ju ofron mundësinë që të tentoni të kryeni një “përgënjeshtrim” të përfundimeve mrekulluese të atyre udhëtarëve që kanë parë Shqipërinë e Epërme dhe Alpet shqiptare… Por, ne mendojmë se këto udhëtime në veri dhe në të gjithë Shqipërinë do të ndryshojnë përgjithmonë diçka brenda jush.
High Albania – Me sytë drejt maleve
High Albania Mountain Club ose High Albania Summit Club janë të përqëndruara në organizimin e aktiviteteve të ndryshme në natyrën e mrekullueshme shqiptare në formën e tureve duke ju përshtatur niveleve të ndryshme të fitnesit.
high 4Aktivitetet ose turet janë të organizuara në një mënyrë të tillë për t’i tërhequr njerëzit drejt natyrës dhe veçanërisht drejt maleve. “Ne u japim mundësi të gjithëve që jo vetëm të shkojnë në zonat më të bukura dhe tërheqëse të Shqipërisë, por edhe të ngjiten në majat më të larta dhe më të bukura në të gjithë Shqipërinë”, thotë Muça.
Qëllimi kryesor i aktiviteteve tona, vijon ai, është që t’i bëjmë shqiptarët që të kthejnë vëmendjen drejt natyrës dhe maleve jo vetëm për të shijuar një drekë me prodhime të zonës apo për të bërë një festë, por për të ecur në natyrë dhe për t’u ngjitur në majat më të larta të maleve, nga veriu në jug.
Nuk ka problem se nuk kanë eksperiencë, mjafton të jenë të shëndetshëm dhe mirë fizikisht, pjesa tjetër është e realizueshme vetëm me High Albania-an. Gjithashtu High Albania është e përqendruar edhe në aktivitete të tjera si: xhiro me biçikleta (mountain bike), kacavarje shkëmbore (climbing), ski etj. high 2Duke filluar nga viti që po vjen, 2015, High Albania planifikon të fillojë edhe aktivitete të organizuara në grup për të zbuluar natyrën edhe të vendeve të tjera të Ballkanit, Evropës dhe më tej.
High Albania Mountin Club është një grup i hapur për të gjithë, me pjesëmarrës nga gjithë Shqipëria, nga Kosova edhe nga Maqedonia. “Mesatarisht në vit me ne në mal vijnë mbi 5000 njerëz, një numër ky në rritje nga viti në vit”, shton Muça.
Turizmi i natyrës dhe aventurës
High Albania mountain club ka qenë ndër të parët që ka ofruar turizmin e natyrës dhe aventurës për qytetarët shqiptarë, një shërbim i përqendruar në turizmin e brendshëm malor.“6 vjet më parë ishte pothuajse utopi që të tentoje të bëje një grup të organizuar me shqiptarë dhe t’i çoje në Alpe apo diku tjetër. Ne filluam pak nga pak t’i tërheqim si fillim duke organizuar akitivitete të lehta nëpër monumentet natyrore në rrethinat e Tiranës dhe më vonë në Alpet shqiptare, në Theth dhe në Valbonë”, shprehet Muça.
high 6Pothuajse për të gjithë ishte një gjë e re sepse tradita ishte që pushimet ose fundjavën ta kaloje në det, kështu që nuk ka qenë e lehtë në fillim. ‘Por për fatin, tonë kemi një natyrë shumë të bukur dhe tërheqëse që nuk mund të mos e pëlqesh kështu që kjo mënyrë e re e të jetuarit shëndetshëm dhe e të zbuluarit të Shqipërisë rezultoi e suksesshme”, vijon Muça.
Aq e suksesshme, sa nga komuniteti i njerëzve që shkon me High Albania, pothuajse të gjithë janë në gjendje të ngjiten në majat më të larta të maleve në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, sipas Muçës, tashmë agjenci të ndryshme që më përpara mendonin vetëm se ku të çonin shqiptarët jashtë, si dhe grupe të reja që janë hapur duke edhe na “kopjuar” në njëfarë mënyre i janë drejtuar turizmit të natyrës dhe aventurës. Ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i High Albania, që të zgjerohej ky lloj aktiviteti në natyrë, ku njerëzit të sensibilizohen për bukuritë që kemi edhe për t’i mbrojtur ato. Një nga sfidat kryesore që kemi pasur dhe e kemi akoma është që të gjithë pjesëmarrësit nëpër këto aktivitete të “edukohen” të respektojnë mjedisin dhe natyrën që na rrethon, vijon Muça.
high 14
Paolo Coelho thotë: “Bota nuk ndryshohet nga mendimet e tua, por nga shembulli yt” kështu që të gjithë duhet të japim shembullin tonë personal për mbrojten e natyrës tonë të mrekullueshme duke e mbajtur pastër dhe duke e pastruar kur ke mundësi. “Me plot gojën them që tashmë ka një komunitet të mirëfilltë të interesuar të zbulojnë Shqipërinë ndryshe”, thotë themeluesi i High Albania.
Një pjesë e mirë e suksesit të këtij klubi i takon edhe organizimit të aktiviteteve në formën e guidave të mirëfillta të fokusuara më shumë tek informacionet dhe tek realizimi i qëllimit të aktivitetit.
Pjesë e guidave kanë qenë edhe kulinaria e zonave, traditat, sitet kulturore dhe arkelogjike por gjithmonë qëllimi kryesor ka qenë natyra dhe ngjitja në mal. Kjo ka qenë dhe është edhe pika jonë më e fortë deri më sot. Nëse vjen në një aktivitet të HIGH ALBANIA-s do të ngjitesh gjithmonë në majën më të lartë. Urojmë dhe shpresojmë që njerëzit të vazhdojnë të na mbështesin dhe kjo traditë të mos ngelet në mes si një trend i momentit por të vazhdojë brez pas brezi.
high 8Lidhur me promovimin turistik, Muça thotë se “me bashkëpunimet që kemi me kompani të ndryshme jemi munduar të japim më të mirën për të krijuar një imazh tjetër të Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Ndonjëherë “fuqia e fjalës” është më efikase dhe më e rëndësishme sesa një reklamë apo një fushatë promocionale. Dhe ne me këtë kemi “luftuar” deri tani.
Nëntori me High Albania Mountain Club
Për të krijuar një ide më të qartë rreth aktiviteteve të High Albania Mountain Club mund të njiheni me kalendarin e aktiviteteve për muajin nëntor. Është ende vjeshtë dhe ngjyrat e natyrës të ftojnë…
high 121- Ngjitje në majën e Vajushës, rreth 2000 m nga fshati Lepushe. (1-2 Nëntor)
2- Ngjitje në majën e Marjashit, 2533 m nga bjeshkët e Rashkodolit, Deçan, Kosovë.(1-2 Nëntor)
3 – Kurrizorja e malit të Dajtit nga qafa e Priskës deri tek qafa e Qershisë.(2 Nëntor)
4- Kalimi Përmet-Sheper dhe ngjitja në majën e Çajupit nga shtegu i Tilmanit.(8-9 Nëntor)
5- Udhëtim në Theth dhe rrethinat e tij. (8-9 Nëntor)
6- Ngjitje në majën e Mllezes, 1113 m nga fshati Skurraj, lugina e Kurbinit. (9 Nëntor)
7- Kalimi Valbonë-Theth nga liqeni i Komanit.(15-16 Nëntor)
high 138- Ngjitje në malin e Ostrovicës, 2346 m nga fshati Shtyllë.(15-16 Nëntor)
9- Ngjitje në majën e Tujanit,1534 m nga fshati Zall-Dajt. (16 Nëntor)
10- Ngjitje në malin e Thatë, 2288 m nga fshati Liqenas buzë liqenit të Prespës së Madhe.(22-23 Nëntor)
11- Valbona nga liqeni i Komanit. (22-23 Nëntor)
12- Ngjitje në malin e Skënderbeut, 1723 m, Parku kombëtar Qafë-Shtamë. (23 Nëntor)
13- Ngjitje në majën e Qerres, 2018 m dhe të Çikës 2048 m me rastin e 102 vjetorit të Pavarësisë. (27-28 Nëntor)
14- Kanioni i Gjormit,( 29 Nëntor)
15- Ngjitje në majën e Rabës, 2250 m nga fshati Dedaj. (30 Nëntor) http://www.ata.gov.al/drejt-majes-me-te-larte-kur-pasioni-shnderrohet-ne-turizem-194904.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate