24 ottobre 2014

Reportazh/Çorovoda, turizëm me histori, legjenda, kanionet


corovodaTIRANE, 24 Tetor/ATSH, Nini Mano/- Rruga nga Berati drejt kanioneve të Osumit në Skrapar ndahet në dy pjesë, ku rruga plot gropa të mërzit udhëtimin, ndërsa peizazhi natyror, tokat e punuara në çdo cep, të tërheqin vëmendjen me sipërfaqe të mëdha me sera në zonën e Fushë-Peshtanit deri afër Poliçanit, për t’ia lënë vendin vreshtave mbjellë kudo nëpër kodrat e buta. Anës rrugës deri pranë Bogovës, katrorë të mëdhenj mbushur me gurët dhe mermerin e zonës së Tomorit presin blerës, qoftë dhe të rastit, ndërsa mendoj: sa mund të jenë prerë këto gurë pa dëmtuar malin e Tomorit?
Nga gjithë sa rrok syri, të bëjnë të mendosh të përditshmen për banorët, teksa mbërrin në qendrën e Skraparit, qyteti i vogël i Çorovodës ku ndjen një përballje të fortë me paravitet ‘90, me pallatet e dikurshme tipike 5-katëshe, tek -tuk ca parulla nëpër mure, mbetur gati të paprekur. Çoroditem, se ja që nuk qenkan vetëm kanionet, këtu qenka dhe një qytet aq befasues…
Çdo gjë në Çorovodë ndryshon nga të tjerët, ku me ndryshimin e sistemit politik, u shkatërrua çdo gjurmë që dëshmonte komunizmin. Por nëse shqiptarët e rritur para viteve ‘90 nuk duan të kujtojnë të këqijat që solli ai sistem në 46 vjet, sot, të rinjtë kureshtarë duan të dinë jetën aso kohe, se për turistët e huaj, po e po. E befasuar shikoj qytetin e parë që u clirua në Luftën e Dytë Botërore, më 8 shtator 1943 dhe mendoj se nëse Bashkia dhe banorët do të dinë t’a ruajnë, mund ta kthejë qytetin e vogël malor në një pikë të fuqishme turistike.
Në qytetin shumë miqësor me më pak se 10 mijë banorë, të gjithë e njohin njeri-tjetrin, miqësitë vijojnë, edhe pse shumë janë larguar drejt metropolit e banesat janë blerë nga të ardhur fshatrave përreth. Duket se asgjë nuk ka ndryshuar në qytetin e krijuar kështu që në fillim, ku lidhjet fisnore nuk ndërpriten kurrë. Tek-tuk poshtë, buzë lumit, janë ndërtuar banesa të reja përgjatë këtyre viteve, pa prekur të mëparshmen.
Ulur nën hijen e rrepave të mëdhenj te lokali i Verorit, “Sorkadhja” në qendër, pedagogia në Departamentin e Turizmit në Universitetin “A.Moisiu” në Durrës, Brunilda Licaj e mbështet idenë për të rritur turizmin në qytet. “Çorovoda ka bulevard fantastik, ku elementet e kontrasteve janë të dukshme. Ky qytet ka mbetur identik me vitet e para ‘90-s dhe sot në botë këto pika kërkohen. E kush më mirë se Çorovoda në Skrapar mund t’a tregojë kaq bukur? Duke pasur edhe kanionet, nuk ka asnjë arsye që të mos kthehet qyteti në një pikë turistike ku të krijohet dhe një shkollë rafting. Këto resurse kthehen në pikë thithje turistësh dhe brezit të ri, që me dëshirën për rafting në kanionet, kuptojnë një histori tashmë të lënë mënjanë”, thotë ajo.
Në Çorovodë, gati 90% e ndërtimeve janë si dikur, pallatet nëpër tarraca, ku vetëm tek-tuk sheh dritare të zëvendësuara me duralumin, shkallët gurështruar kudo, lulet nëpër mjediset e përbashkëta mes pallateve, i paprekur është pastërtia shembullore, ndërsa vijon tradita e pastrimit kolektiv. “E kemi kreun e bashkisë shembullin më të mirë në këto 23 vjet këtu. Ja, shikoji koshat në çdo rrugë për të hedhur plehrat”, m’i tregon me dorë koshat e vegjël me kapak një djalë i ri, duke iu përgjigjur pyetjes sime si mbahet kjo pastërti në qytet, aq dalluese dhe e pakrahasueshme as me kryeqytetin tonë, të ndotur sa nuk ka.
Gjatë komunizmit, në Skrapar u zhvilluan industritë e drurit dhe ushqimore, ndërsa në Poliçan ishte kombinati ushtarak, një mori tunelesh për ruajtjen e municioneve ushtarake, deri dhe Thesarit të Shtetit. Sot, këto objekte ndërmarrjesh dhe depot e ish-Rezervave të Shtetit ruhen më mirë se kudo, ndonëse të mbyllura e pa punë.
Ekonomia, mbështetje te traditat
qyteticorovodeSkraparllinjtë dinë të ruajnë bukur të kaluarën, që për ta përbën një mendësi jetese, që e kupton kur mëson se thuajse gjithë bizneset në lokalet e pakta në Çorovodë ruajnë traditat me agro-industri. Kështu firma “Alabalejla” që nga viti 2004 me 70 hektarë vreshta dhe fabrikën e vet tek një ish-depo tregtare, ku përpunon rrushin e llojeve “Merlot”, “Kabernet”, “Toscano”, etj., ku prodhon 50.000 shishe verë në vit dhe rakinë e rrushit, dy prodhime BIO të certifikuara.
Firma “Dashi” njihet për prodhimin e djathit të bardhë dele dhe dhie, kos e gjalpë, “Zajmi” nga viti 1999 merret me përpunimin e qumështit dhe mjaltit. Në këtë qytet shijon prodhime, që sot janë drejt zhdukjes në zona të tjera, si rehani, pekmez, stafidhja, oshafja, vera. Gjithcka falë vijimit të traditës së fermerëve në Skrapar, që zhvillojnë pemëtarinë dhe përpunojnë nënproduktet tipike.
Gjithë banorët në qytet e fshatra jetojnë me të ardhurat nga vreshtat e tyre, kryesisht me rakinë me famë të Skraparit. “Me dy hektarë vreshta me shitjen e rakisë fiton deri në 7 milionë lekë të vjetra dhe bashkë me blegtorinë, kryesisht të imta, janë të ardhura të mjaftueshme për vitin”, tregon Halimi, banor i Çorovodës, të cilin e takoj te rrepat e bukur në qendër të qytetit.
Tashmë gjërat kanë nisur të lëvizin, se që nga muaji maj, Çorovoda ka një fabrikë të re për prodhimin me fason të këpucëve nga kompania “Alba Shoes”, investim privat i biznesmenit nga Laçi, Nikolin Lleshi, ku punojnë 250 gra e vajza. Eshtë i pari investim me këto përmasa në 23 vjet dhe ka ngjallur njëfarë shprese në qytetin, se pritet të zbusë problemet e papunësisë.
Por ka shumë banorë që vijojnë ta braktisin qytetin në kërkim të një jete më të mirë drejt Tiranës, Durrësit, ndërsa emigracioni, kryesisht në Greqi e Itali, ka zvogëluar forcën aktive të rinisë. Naxhi, një emigrant nga Belgjika i cili ka ardhur sivjet, ndërsa na shoqëron rrugës për në kanione, mendon se më mirë investon larg si në Tiranë, a Durrës se në Çorovodë. “Këtu nuk kthehet kollaj fitimi se nuk ka para nëse hap një restorant”, thotë ai, edhe pse i lexohet dyshimi nëse duhet të rrijë, a të largohet kur teksa udhëtojmë në të dalë të qytetit, rrugës drejt kanioneve, shikon hotelin e ri “Kanionet”, një investim që në fakt jep shpresa se këtu zhvillimi sapo ka nisur.
Kolorado shqiptare në Skrapar
kanionet e osumitSkraparin me kanionet vertikale me forma të ndryshme, thellësi deri në 150 metra në zonën e Çorovodës dhe 8 ujëvara, po e quajnë “Kolorado shqiptare”, ku turistë të huaj dhe vendas praktikojnë sportin e rafting. Kanioni vizitohet nëpër shtratin e lumit me kanoe, varka gome dhe vozitja bëhet nga pranvera deri në fundin e vjeshtës ku shërbimin e ofron sot për sot vetëm një agjenci turistike në Berat. Ndër të tjera përfshihet hoteli, kuzhina tradicionale dhe një guidë vozitjeje kundrejt 10 mijë lekëve në total.
Përgjatë rrugës Çorovodë-Hambull, kanioni me shpatet vertikale, në fund të të cilëve vrapon lumi Osum, shfaqet në rreth 13 kilometra gjatësi, 4-35 metra i gjerë, i thellë deri në 70-80 metra, ku në brendësi shikon si bashkohen copat e qiellit me pjesët e mureve vertikale gëlqerorë gri e bimësinë e blertë, që pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit. Kanioni ishte i pashfrytëzuar deri në fillimvitet ‘90, kur nisën ta vizitojnë italianë dhe francezë, që rikthehen çdo vit për vozitje me kanoe e kajak, ndërsa Federata Shqiptare Rafting po rrit numrin e vizitorëve. Nga toka, kanioni vizitohet në çdo kohë me më pak shpenzime në rrugën Çorovodë-Hambull, ku ka linja dy herë në ditë. Në Hambull, në një lokal të thjeshtë natyror, mund të shijosh mish në hell keci, qengji dhe raki Skrapari.
Hoteli më i afërt dhe më luksozi “Kanionet” sapo ka nisur nga puna, ndërsa në qytet janë dy të tjerë me çmime të arsyeshme. Kohët e fundit, përveç të huajve që vijnë për kanotazh, vijnë ekipe televizive dhe xhirohen videoklipe këngësh. Rikonstruksioni i rrugës së kanioneve me gjatësi 16 kilometra sivjet ka dyfishuar fluksin e turistëve, që arrin në 10 mijë.
Mistere legjendash e vende të shenjta
kanoineVendndodhja e Dodonës ende nuk është zbuluar, por nuk mungojnë hipotezat se Tomori është froni i Perëndisë nga historianë të huaj e vendas ja ka rritur më shumë misterin malit, mes Beratit dhe Skraparit, si kurora e tyre mbrojtëse. Kostandin Kristoforidhi, adhurues i malit, i bindur se aty gjendet froni i Dodonës, shkruante: “Mali i Tomorit dergjet mu në mes të Shqipërisë dhe është më i madh se të gjithë malet e tjerë. Shqiptarët e quajnë Tomor, edhe kur flasin për të, thonë ‘Mali i Tomorit’, d.m.th. Mali i të Mirit, Mali i Hie-së, sepse Hie do të thotë shqip, Zot, sikurse thonë edhe vend i mirë, vend i shenjtëruar, vend i hienueshëm”. Legjenda, histori, toponime të shumta rrisin kuriozitetin e eksplorimit në një zonë plot gjetje arkeologjike, që dëshmojnë jetën shumë kohë Para Krishtit.
Rrugës drejt kanioneve në Bigas, legjenda ndërthuret me natyrën te një gropë natyrore, që vendasit e quajnë “Vëra e Nuses”, që vjen mes një kënge, e cila tregon fatin e një nuseje që po e martonin pa dëshirë. Kur krushqit po ktheheshin me nusen, kjo u thotë se po e çonin te burri pa dëshirën e saj dhe ndërsa ata nuk i dhanë përgjigje, mendoi ikjen dhe duke iu lutur Zotit, i drejtohet kanionit: “Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë”. E shkëmbi e dëgjoi, hapi një zgavër, ku nusja u hodh nga kali, zbriti poshtë në kanione dhe më pas u martua me djalin që donte. Legjenda tregon se kjo vrimë nisi që aso kohe dhe vizitohet nga nuse që kërkonin të lindnin.
Gjetjet arkeologjike në Radesh me poçeri e kocka dhe banesa tip shpelle, tregojnë se Skrapari ishte i banuar nga viti 600 p.e.s. Gjurmët e Kalasë në Çorovodën e sotme mendohet të ketë qenë e Zeleckës ilire të Dasaretëve, ndërtuar në dy anët e lumit Osum. Kala të tjera gjen në Lavdar, Dhores, Bregu i Koronit, Bargullas, Prishtë, apo hamamet në fshatin Slatinjë.
Vijimësia e jetës nuk e ka lënë zonën jashtë festave pagane, ndër to, pelegrinazhi në malin Tomor më 20-25 gusht, kur mijëra njerëz nga trevat shqiptare sakrifikojnë qengja në mirënjohje ndaj Abaz Aliut. Jo pak kremtohet në fund të muajit Shkurt pelegrinazhi në Gjurmën e Shenjtë pranë kanionit në fshatin Dhores, ku gjen ngjashmëri të një kali dhe një shkopi, të cilën e tregojnë si gjurma e shenjtit Abaz Aliu. Ai erdhi në Tomor nga Qerbelaja, hipur mbi kalin e tij të bardhë, fluturoi dhe e la gjurmën në dërrasën e Kajcës, nga ku përsëri fluturoi në malin e Tomorit.
Tradita e hershme e prodhimit të veshjeve të leshta ende nuk po ringrihet për shkak të mungesës së investimeve. “Veshja e burrave të zonës ka tipare shumë të hershme, si guna, mëngorja, këmisha, takia, qeleshja, qylafi, fustanella, xhokja, tirqit, opingat me lëkurë, kurse për gruan jeleku, tumanet, fustani, këmisha, shamia, përparësja dhe çorapet e veshjeve të Skraparit, qëndisur me motive të thjeshta e punuar me elegancë, nuk i gjen dot sot kollaj”, më thotë një mike me origjinë të hershme nga kjo zonë. Vjen kështu trashëgimia e hershme, që e gjen në shtëpinë e çdo fshatari në Skrapar, me pragjet e dyerve dhe dritareve me shqiponjën e skalitur, yllin, zogun, pa folur për shpirtin e skraparlliut me isopolifoninë me karakteristikën e tre-zërëshit polifonik vokal të zonës.
Turizmi, e ardhmja e Skraparit
Kryeministri Edi Rama gjatë një fundjave në Skrapar në kanionet e Osumit, premtoi nxitje të projekteve për rritjen e turizmit, ekonominë, infrastrukturë moderne për të lidhur luginat e Osumit dhe Vjosës. “Na duhet vetëm që të përqendrohemi dhe ta zhvillojmë këtë potencial. Duke qenë të bindur se edhe reforma administrative-territoriale do të jetë një nxitje shumë e fortë për të fokusuar mirë fondet dhe për të punuar shumë, në mënyrë racionale, me prioritet”, u shpreh Rama.Bashkia e Çorovodës ka sot projektin turistik ASSI, me mbështetjen e Ministrisë italiane të Zhvillimit Ekonomik për hartimin e paketave turistike, zhvillimin e resurseve turistike, krijimin e një agjencie turistike, bashkëpunim privat-publik,me mebiznesin për turizmin, përmirësimin e shërbimeve, përcaktimet e pikave të hyrje-daljeve në kanionet për gomonet, zonat panoramike, ujëvarën e Bogovës për rehabilitim. Malet përreth plot pisha të nxisin mendimin se një kompleks spitalesh aty do të jenë burim i mirë shërimi dhe biznesi. Pse jo edhe për të huajt…….http://www.ata.gov.al/reportazhcorovoda-turizem-me-histori-legjenda-kanionet-189631.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate