15 settembre 2014

Reportazh/ “Beteja” me standardet në turizmin bregdetar


Plazhi i dhemiutTIRANË, 15 Shtator/ATSH, Nini Mano/- Kur erërat vjeshtore po përmbyllin ngadalë turizmin detar, duke lënë pas në qetësi hotelet, bregdetin, restorantet, një pyetje të vërtitet në kokë, pasi ke provuar disa plazhe në Jon: sa e përligjën shërbimet turistike valën e madhe të pushuesve këtë sezon veror? Në pritje të verës së ardhshme, turizmi shqiptar ka nevojë për shumë rregullime me standard, se shërbimet në bregdet nuk përligjin cilësitë, kurse çmimet për hotel-restorantet janë mjeti që pasuron në dy muaj pronarët e tyre në turizmin bregdetar. I njëjti shqetësim të shoqëron për monumentet historike, kishtare, pikat e vizitueshme turistike…
Në Zvërnec, turizëm sipas qejfit
hoteli zvernecZvërneci është shumë pranë Vlorës, me një plazh të bukur në një gji të hapur dhe të mbrojtur njëherësh nga kodrat e buta, por rruga drejt tij është plot mbetje të ngurta dhe plehra, edhe pse ecën buzë një pylli me pisha, që duken si rrënime të frikshme nga plakja dhe sëmundjet. Dikur, në kohën e komunizmit, u tha se aty do të ngrihej një port i madh, zona ishte ushtarake, pa ndërtime, por gjithçka mbeti në letër. Sot gjen disa HOTELEaty-këtu, ca më pranë e ca më larg detit, ndërsa banesa private të reja janë ndërtuar ku kanë dashur të zotët e ku gjithçka, në fakt, duket jashtë një plani urban.
Luto Cela, pronar I HOTEL “Zvërneci” tregon se 7000 metra katrorë tokë i bleu para shtatë vitesh, ku ndërtoi godinën me 21 dhoma, në të cilin çmimet variojnë nga 4000 lekë/nata në gusht, në 2500 lekë/nata në shtator. “E kam me leje të rregullt”, tregon i qetë ai pronën rrëzë kodrës, maja e së cilës ka toponimin “hunda e plakut” se ashtu duket vërtet. Më tej, një tjetër hotel që duket i zbrazët, ka hyrë në zonën e rërës. Të tjerë tregojnë se me tokat përreth gjirit aty, janë bërë shumë pazare, ku pronarët e vërtetë kanë mbetur me gisht në gojë. Të gjithë rrinë në pritje se diçka duhet të ndodhë me këtë gjullurdi pronash të vjedhura nga të “fortët”.
Nga Dhërmiu e përtej, turizëm larg standardeve
Bregdeti Dhermi Foto ARKIV ATSHPas dhjetë vjetësh iu riktheva sivjet Dhërmiut për pushime këtë fillimshtatori me dëshirën e shijes së detit aty, që thonë se është më i pasuri me mikroelementet nga i gjithë bregdeti jonian dhe kureshtjen për të parë ndryshimet urbanistike. Nga rruga nacionale, zbritja është komode nga rruga e asfaltuar, ku në të dy krahët e saj, godina të reja, dy dhe katërkatëshe ca të përfunduara dhe ca në ndërtim e sipër, ofrojnë apartamente në shitje, ndërsa copa tokash të rrethuara aty-këtu presin investimet e reja.
Poshtë, deti padyshim është i njëjtë dhe po ashtu gjej hotelet, ish-godinat e kampit punëtor të dikurshëm, prej të cilave, vetëm njëri u është kthyer pronarëve të vjetër, aty, në qendër të plazhit.
Por nuk e gjej më molin e vjetër, prej të cilit, para luftës, të vjetrit në fshat tregonin se niseshin me agrume drejt Izraelit, ullinjtë drejt Korfuzit. Më vonë prej aty, shijonte një kredhje nga maja për shumë notarë të pasionuar. Por nuk e ka përpirë deti, as e kanë shkatërruar valët e egra dimërore, jo. Mbi të është ngritur një lokal me emrin “Yacht Club”, që ka veshur me të bardhë shkëmbin dhe për një kredhje duhet të paguash lokalin, ndërsa dy bokset e muzikës, të shurdhojnë veshët me muzikë tallava…
Më e reja duket një tokë aty pranë detit ku ngrihen të sapondërtuara disa vila dykatëshe të bukura nga jashtë, që shiten me çmim 1300 euro/m². Në dhjetë vjet shumë pak ndryshime gjen në infrastrukturën hotelerike, ndërsa gjelbërimi është harlisur goxha. “HOTEL 2000” po përfundon rikonstruksionin e godinës dhe patjetër mot do t’u bashkohet hoteleve të shtrenjtë, ku një natë arrin 100 euro.
Hotelet kanë pushtuar edhe aty gjiret e bukur me shezlonget dhe çadrat për bujtësit, ndërsa të tjerët paguajnë 500 lekë. Edhe pse shtator, pushuesit paguajnë me euro, deri në 40 euro/nata, me pak zbritje nga gushti. Çdo HOTEL ka hapur restorant për bujtësit, ku kamerierët rrinë vigjilentë se mos ndonjëri kalon për të ngrënë diku tjetër.
Asnjë pronar nuk ia ka haberin standardeve, sepse ndihen zot, se askush nuk i shqetëson në këtë aspekt. Përballë tyre, ti, si pushues, duhet të përballesh me çudira që ta nxijnë ditën, duke u betuar se nuk do të rikthehesh më aty. “E po punë e madhe, ka plot të tjerë që luten”, merr një përgjigje, kur ankohesh e revoltuar për kushtet e hotelit!
Pa folur pastaj me gramaturat në çdo ushqim, që nga një mëngjes fare i varfër, deri te pesha e vjedhur deri në 200 gramë e peshkut, apo copës së mishit në pjatën e drekës.
E njëjta gjë na ndodh në Porto Palermo, ku një sallatë vetëm me domate, qepë dhe kastravecë kushton 400 lekë! Dhe këto na mjaftojnë për të mos kërkuar eksplorime zonash kulinarie rreth e rrotull, se si thonë, “këtu shikon rrushi rrushin dhe piqet”. E përballë këtyre problemeve që në fakt ta prishin paksa rendin e ditës, e vetmja kënaqësi, ku më shumë, e ku më pak, mbetet deti i mrekullueshëm ku zhytesh e zhytesh… E si ne, janë të huaj me grupe të vogla, që gjithsesi, janë në kërkim të zbulimit të një vendi të panjohur…
Objektet e vizitueshme, jashtë kontrolleve
Për të mbërritur në Manastirin e Zvërnecit, që duket aq bukur atje, larg në një ishull, duhet të ecësh mbi një urë druri rreth 350 metra të gjatë mbi lagunën e ndotur me gjithçka, ku duket se punët e shumë OJF-ve me projektet e tyre, i ka marrë vala e detit. Një pyll me bukuri të veçantë dhe disa ndërtesa lyer në të verdhë tregojnë manastirin, monument historik fetar në Gjirin e Nartës, 13 kilometra nga Vlora. Kisha e Shën Marisë e tipit “kryq i lirë” me kupolë, sjell ndërthurje stilesh arkitekture romake dhe bizantine.
Kloster_Zvernec_Albania_2Në hyrje, një shenjtor me një plagë në dorë, dëshmon shkollën në përgatitjen e “mjekëve” te kisha, ku festa e Shën Marias më 15 gusht, mbledh mijëra besimtarë. Aty janë banesat e murgjve, mensa, një punishte, ndërsa anash oborrit, të mbjella me perimet e stinës. Restaurimi është bërë në vitin 2003, por më shumë se gurët mesjetarë, duken shtresat e llaçit në manastirin ku dëgjohen zërat e natës, që sipas besimit popullor, u heqin njerëzve brengat, dhimbjet.
Në të djathtë, mes tre varreve të vjetër gjen dhe Marigo Pozio, varrosur aty në vitin 1932, sipas amanetit të saj. Sot, varri, ribërë me mermer bardhezi të rëndomtë, të trishton tek shikon se ia kanë hequr kryqin e vjetër të gurtë, cimbisur tek-tuk nga erozioni …
Për këtë Manastir studiuesit përcaktojnë shekullin X, nisur nga një pllakë varri në dyshemenë e kishës, që sipas studiuesit Theofan Popa, aty gjendet varri i dukës Kondo Karanxhas, komandant i gardës perandorake bizantine, që perandori Aleks Komneni e nisi në vitin 1091 me mision në Durrës. Popa ka përkthyer mbishkrimin: “Këtu prehet Kondos Karanxhas, burrë fisnik me prejardhje prej një fisi fisnik, degë fisnike”.
Kur manastiri u mbyll në vitin 1967, thonë se murgu i fundit iku me lot në sy duke parë si digjej biblioteka e madhe disashekullore. Më pas, ishulli me kishë bashkë u kthye në vend internimi për kundërshtarët e regjimit komunist.
Këto të gjitha rrëfehen, se sot, edhe pse i listuar në guidat turistike, te Manastiri i Zvërnecit nuk gjen njeri që të tregojë historinë, ndërsa një polic privat nuk di dy fjalë për historinë e objektit fetar. Vetëm në të hyrë të manastirit në një pllakë të stërmadhe, shkruhet mes të tjerave “…ndërtuar nga fortlumturia e tij Anastas”, a thua se ka detyra të tjera kisha përveçse të mbrojë objekte të tilla kulti kombëtare mesjetare. “Është manastir me shumë vlera. Këtu në ishull duket sikur Zoti natën fle dhe ditën ua lë njerëzve”, thotë me gjuhë poetike Arjola, një vlonjate që jeton në Greqi e që çdo vit rikthehet këtu.
Midis Dhërmiut dhe Iliazit, majë një kodre, një rrugë na ngjall kureshtjen drejt manastirit të Shën Theodhorit, ndërtuar në shekullin XV, sot një nga trashëgimitë kulturore të Bregut, e prej aty zbret në Gjirin e bukur të Gjipesë. Por gënjehesh keq! Ndonëse rruga e përuruar në vitin 2009 është e mirë, tek hap portën e manastirit, përballesh me një pamje të frikshme: gërmadha, dhi e dele dhe braktisje totale!
Nuk e kuptoj dot se çfarë vlere ka ky investim i 5 viteve më parë, kur mungon manastiri real, ndërsa kur të nisë rindërtimi aty, rruga do të riprishet! Hajde, ekonomizim, hajde, qesh, ndërsa kthehem pas për të shkuar drejt Porto Palermos.
kalaja e porto palermosPasi ke paguar 100 lekë/person mund të vizitosh Kalanë aty, ndërtuar në fillim të shekullit të 19, nga Ali Pashë Tepelena. Thonë se Kalaja u ndërtua mbi gërmadhat e një kalaje të vjetër dhe të një manastiri, sipas përshkrimit të udhëtarit anglez Lik që kishte vizituar vendin. Sot, aty hyn dhe gjen mjediset brenda të pastruara dhe nuk gjen më dhi e dele si ca vite më parë. Një rojë disi i moshuar të shpjegon me pasion historitë sipas mënyrës së tij, sepse në asnjë cep të Kalasë nuk gjen asgjë të shkruar që të dëftejë gjithçka. Dhe ti detyrohesh ta dëgjosh rojën duke u menduar se ku fillon e mbaron e vërteta me legjendën. Energjia elektrike e ikur një natë më parë nuk të lejon të shikosh në errësirën e mjediseve brenda, ku gjithçka është bosh!
Në Llogora presin “të lodhur” restorantet
Nuk ka udhëtar në ikje, apo në ardhje të mos qëndrojë në një nga restorantet në pikën turistike në Llogora, për të shijuar kuzhinën tipike të zonave malore të Labërisë, përzier me shijen bregdetare, ku mund të shijosh kosin e deles, arapashin, mishin në hell, revaninë me mjaltin e zonës. Por në shtator, gjithçka duket e “lodhur” aty, që nga shërbimi i vonuar, pastërtia. Një pjatë e krisur nga çdo anë, ta heq nepsin dhe lezetin e të ngrënit aty.restyorant llogara
Poshtë, deti përplas dallgët brigjeve të Gjirit të Palasës, ku sivjet u ngrit një pub i madh dhe pak më tej, lagjes Drimadhes, ku turizmi ka nisur të bëhet…
Ka ardhur koha e vendosjes së standardeve, teksa patriotizmi nuk mund të zëvendësojë pafundësisht këto mungesa që lodhin, mendoj verën e ardhshme, kur makinat të këmbehen në ngjitje dhe zbritje poshtë Llogarasë………

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate