02 agosto 2014

Pogradeci, qyteti liqenor i turizmit romantik

Pogradeci, qyteti liqenor i turizmit romantik
Saturday, August 2, 2014 - 21:00
Pogradeci është zgjedhja ideale e pushimeve të verës. Dhe me gjasë, e pamundur ta kundërshtosh. Sepse pikërisht në atë qytet buzë liqenit, mund të shijosh freskinë në kulm të verës pa qenë në mal madje, duke qenë në breg të ujit që të fton të zhytesh. Netë të freskëta dhe ditë me diell kur mund të bësh plazh, një kombinim ideal për adhuruesit e plazhit. Por jo vetëm kaq, Pogradeci, qyteti buzë liqenit të Ohrit, është vendi ku çdokush mund të shijojë natyrën dhe të bëhet pjesë e saj. Një breg mjaft i gjatë (duke filluar nga Lini (20km larg qendrës së qytetit)  e deri në Tushemisht (5km larg), ofron plazhe të pafundme. Përgjatë vijës së bregut, disa hotele ofrojnë shërbimet turistike, me dhomat komode, natyrën, restorantet me koranin apo belushkat e famshme të Ohrit, shezlongët e çadrat e deri edhe varkat për të shëtitur mbi ujë.
 
Jo më pak i bukur dhe ftues është edhe plazhi i vetë qytetit, që shtrihet përgjatë shëtitores “1 Maji”. Është një plazh me rërë dhe zhavor të imët. Ndërsa ditët kalojnë buzë liqenit mbrëmjet janë gjithashtu aty, në shëtitoren që zë fill nga lulishtja e madhe e vijon gjatë e gjatë, gjithnjë vetëm pak metra larg liqenit të cilit mund tia dëgjosh edhe fëshërimën e valëve. Pjesa e vjetër e qytetit është e ngrohtë dhe miqësore. Sipër në kodër ndodhet Kalaja. Këtu nuk ka mbetur shumë për tu parë, por për amatorët e shëtitjeve në natyrë, kalaja është një rast më tepër për ta parë gjithë sipërfaqen e liqenit nga lart. Kisha e vjetër ortodokse që quhet kisha e Shën Mërisë, ndodhet në lagjen e vjetër të qytetit. Mos humbni rastin për të ndjekur ndonjë meshë, e cila shoqërohet nga kori dal vivo që interpreton këngë kishtare. Por ka në Pogradec edhe një kishë të re, me arkitekturë shumё të veçantë që quhet  “Ringjallja”. Kisha është ndërtuar buzë liqenit, në të njëjtin vend ku u dogj kisha e vjetër gjatë fushatave antifetare. Qyteti ka dy xhami , njëra ndodhet në qendër dhe tjetra në lagjen e quajtur Goricë.
 
4 km larg Pogradecit, shtrihet Driloni, një vend me bukuri dhe qetësi të rrallë. Ky vend me një peisazh madhështor e bën të frekuentueshëm dimër dhe verë nga vizitorë të shumtë. E nëse jeni në Pogradec duhet të zgjidhni patjetër pak kohë për të drekuar në një prej restoranteve të Drilonit, në mes të një magjie natyrore me një tavë korani përpara.  Një ditë mund të zgjidhni ta bëni plazhin në Tushemisht. Fshati është joshës, ftues. Mjafton një shëtitje e shkurtër dhe do të ndiheni edhe ju protagonistë në filmin “Zonja nga qyteti”, teksa statujëza e Teto Ollgës mu në oborr të shtëpisë ku është xhiruar filmi, duket sikur ju uron mirёseardhjen. 
 
Por ka akoma… Shën Naumi është fare pranë… Përtej kufirit, por lehtësisht i arritshëm me makinë. Mund të vendosni të niseni herët, të vizitoni manastirin, brenda të cilit ndodhet një kishë e vogël, ku ndodhet varri i Shën Naumit, një dishepull i shek X i Shën Klementit të Ohrit dhe njëri prej etërve themelues të krishtërimit ortodoks.  Dhe në fund mos mendoni se nëse doni të bëni një shëtitje në Ohër do tju duhet të kaloni kthesat e qafat e pafundme. Në fakt nëse vendosni të shkoni me makinë, të jeni të sigurt, është një rrugëtim që ia vlen: natyra është me të vërtetë joshëse dhe rruga e shtruar mirë. 
- See more at: http://www.sot.com.al/aktualitet-lifestyle/pogradeci-qyteti-liqenor-i-turizmit-romantik#sthash.XCIfJfEx.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate