05 agosto 2014

Ky eshte Borshi i trimërisë, plazheve, agrumeve dhe 180 ditë në plazh, aty ku vera mer ngjyrat e saje..

"Shqipëria ime fantastike është një projekt i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, i cili synon që çdo javë të sjellë në vëmendjen e lexuesit shqiptar destinacione dhe atraksione turistike, të cilat vlejnë të vizitohen përgjatë 2014. Ky suplement do t’i çojë lexuesit në çdo cep të vendit për ta bërë atë të njohë elementë nga kulinaria, trashëgimia kulturore, hoteleria dhe artizanati që zona të veçanta ofrojnë."

Shqipëria ime fantastike, pushime në Borshin e trimërisë, plazheve, agrumeve dhe 180 ditë në plazh!

Në Borsh njeriu mund të qëndrojë me këmbë në ujin e detit, trupin në rërën e plazhit, kokën nën hijen e portokalleve. Borshi përfaqëson një amfiteatër gjigant natyror të vendosur buzë detit Jon. Sapo del në Qafën e Shën Thanasit, në sheshin e Melqinës, të shpaloset papritur një panoramë e mrekullueshme me detin e pamatë, të kaltër në maksimum deri në atë blunë e tij gati të frikshme në distancë nga bregu.
 
borshi

Ky është Borshi! Parë nga sipër, të krijohet përshtypja se bashkëjetesa e valëve të tij me bregun, me rërën e plazhit, vazhdon e paqtë, ashtu si gjatë mijëvjeçarëve të krijimit nga natyra. Nën kalanë e Sopotit, rrëzë Picakut shfaqet e gjarpëron deri në det lumi i Borshit me shtratin e tij të zalltë e të bardhë.

borshi

Borshi është i dëgjuar në tërë Shqipërinë për bukuritë natyrore të tij. Në të gjithë morinë e shpateve të pjerrët, të ashpër e shkëmbore që përbëjnë tiparin dallues të rivierës shqiptare, territori i Borshit përfaqëson një ndërthurrje të shkëlqyer të relievit fushor, kodrinor e malor. Prania e formave të ndryshme të relievit në një distancë të vogël në vijë ajrore lindje-perëndim i jep një bukuri të rrallë peisazhit të Borshit.

Aty formohet një oaz klimatik, të cilin nuk e gjen në asnjë pjesë tjetër të viseve bregdetare të Shqipërisë, duke qenë kështu një vend i privilegjuar nga natyra. Pozicioni gjeografik i Borshit, i vendosur në mes të bregdetit të Jonit, lejon që ai të arrihet njësoj nga të dy ekstremet e Rivierës shqiptare, duke bërë që me mundësi minimale të realizohen nga turistët vizitat e vendeve dhe pikave historike të zonës.

Turizmi në Borsh, thjesht familjar!
Të shkruash për turizmin në Shqipëri provon njëherësh dy ndjesi. Njëra është adhurimi dhe magjepsja ndaj asaj që i ka falur natyra vendit tonë të vogël e të varfër dhe tjetra është keqardhja e mospromovimit të këtyre bukurive e mos shfrytëzimit të tyre në dobi të njeriut dhe në rastin më të keq, e shkatërrimit të tyre për përfitime vetjake.

Turizmi në përgjithësi në Shqipëri bazohet në iniciativën private të familjeve që aplikojnë turizmin familjar, por të cilave u mungon vizioni ndoshta dhe mundësia për një marketing të atyre çka ofrojnë. Hotelet e dikurshme ndërkohë kanë një rimëkëmbje dhe vazhdojnë të funksionojnë, për shkak të emrit të dikurshëm, ndoshta jo me kapacitet të plotë, ndërsa hotele të vogla të reja janë në përpjekjet e tyre të para për t’u promovuar.
 
Në këto kushte të mungesës së strategjisë dhe informacionit të plotë mbi turizmin, ka mundur të zhvillohet më shumë vetëm turizmi familjar, por problem mbetet forcimi, kategorizimi dhe përfshirja në organizmat kombëtare, rehabilitimi dhe përshtatja sipas kategorive.

borshi

Aktualisht në Borsh, edhe pse shtrihet në rajonin e përfshirë në hartën e agjensive turistike detare të Korfuzit, turizmi është më shumë një potencial se sa një vlerë reale. Kështu në vend të komoditetit dhe standardit të lartë të shërbimit turistik, aty do të gjesh një mikpritje të pashoqe, bujari që të bën të ndihesh si në shtëpi dhe gatishmëri për të të shërbyer.

Nëse nisesh për të kaluar disa ditë në Borsh, nuk është e nevojshme të shfletosh asgjë, për faktin e thjeshtë se informacioni mbi hotelet dhe resurset me adresat përkatëse nuk ekzistojnë dhe në fakt nuk ka hotele të mirëfillta të regjistruara. Vendin e tyre e zënë vila private 2-3 katëshe e ndërtime të vogla intime, me kapacitet të vogël e të përshtatshme për një turizëm elitar.
 
Borshin, vendi i sopotarëve trima e të ditur shekujt e mbuluan me pluhurin e harresës emrin e qytetit. Por shkrimtarët e historianët e lashtë s’kishin si ta linin pa përmendur qytetin bregdetar. Midis Orikut dhe Onhezmit (Saranda) ato bëjnë fjalë vetëm për një qytet, Panormusin. Rrënoja të ndonjë qyteti tjetër nuk ka.

borshi

Historia e Borshit dhe e borshiotëve është e lidhur pazgjidhshmërisht me historinë e Sopotit, në themelet e të cilit jeta ka evoluar në formën e nje qyteti të vjetër antik, të rrethuar me mure, që nën peshën e shekujve janë kthyer në rrënoja, mbi të cilat filluan të hidhen themelet e Kalasë së Sopotit rreth shek. IV p.e.s.
 
Kalaja e Sopotit kishte një pozitë gjeografike tepër të favorshme për zhvillim. Ajo ndodhej në kryqëzimin e rrugëve që fillonin njëra nga Dyrrahu në Foinike (Finiq) e Nikopol (Arte) mbi malet Akrokeraune (Llogara). Kalaja nuk i shpëtoi djegies, plaçkitjes dhe rrënimit nga legjionet e konsullit romak Paolo Emili në vitin 167 p.e.s.

Në perandorinë e Bizantit, perandori Justinian e vuri atë në listën e fortifikimeve në vitet 527-565. Ndërsa në vitin 1458 na shfaqet nën Despotatin e Epirit me emrin Arhonteja e Sopotit (Arcontea Sopotu) dhe në vitin 1266, Sopoti gjendet në pushtetin e Karlit I të Azhuinëve francezë e më pas në duart e kalorësve gjermanë e më vonë për shumë kohë nën Republikën e Venedikut.

borshi

Në 1431 në regjistrin otoman figuron si nahija e Sopotit, ku përfshihej Kudhesi, Piluri, Lukova dhe lugina e Borshit deri në kufi me Kurveleshin. Më pas, në luftrat shqiptaro-turke, kalaja binte herë në duart e njërës palë herë në duart e tjetrës derisa në 1492 u bë përfundimisht pronë e sulltan Bajazitit. Në 1571, pas shtypjes së kryengritjes së Bregut, vendasit e hodhën në erë me municion së bashku me kalanë.
 
Këtë vit Borshi në regjistrimin e ri osman figuron me 80 shtëpi. Në 1679 Bedo Zeneli u vu në krye të fshatit për meremetimin e kalasë dhe vendbanimeve dhe më pas i biri e lidhi kalanë me pashallëkun e Janinës. Në vitet 1845-1865, falë emigracionit ushtarak, fshati u zhvillua shumë, nga jashtë vinte mall e pasuri, bëheshin ndërtime madje dhe hanë ku bujtnin falas nevojtarët, të vobektit dhe rrugëtarët.

Vitet e socializmit u shoqëruan me reformën agrare në vitin 1957, të cilat pas rënies së komunizmit u shpërbënë në mënyrën më të gabuar ne vitet 1990. Periudha 97-’00 është një nga më të errëtat për Borshin, për dëmet në fushën ekonomike, sociale, demografike e të mjedisit.
 
Si mund të shkohet atje?
Borshi i ka mundësitë dhe perspektivën për të plotësuar të tre mënyrat e transportit, tokësor, detar dhe ajror, në distancë të afërt, edhe pse cilësia dhe niveli i tyre sot lënë për të dëshiruar. Ato që mund të shfrytëzohen më shumë janë rrugët automobilistike nga Saranda (38 km) dhe Vlora (96 km).

Me perspektivë është edhe transporti detar me anë të terminaleve të vogla portuale në Porto Palermo (4 km), Himarë (12 km), Vlorë (70 km). Në të ardhmen do të vihet në efiçencë aerodromi i Vrionit, 30 km larg Borshit, rreth 10 ha, i mjaftueshëm për aviona çartër dhe turistikë si dhe për helikopterë. Kjo do të bëjë të mundur lidhjen e Borshit me basenin më të fuqishëm turistik në botë, pellgun e Mesdheut.
 
Kështjella e Sopotit
Kështjella e Sopotit, mesazh i botës së lashtë, teknika dhe ndërtimi i mureve si dhe qeramika me vërnik të zi e datojnë kalanë e Borshit në shek. IV-III para erës sonë. Rreth 2400 vjet më parë nisi dhe nuk pushoi për muaj të tërë zhurma e vareve të rënda, që godisnin daltat e hekurta që shkëputnin prej malit shkëmbinj të mëdhenj të rëndë sa një kamion. Sipërfaqja e rrethuar arrin në 5 hektarë (50 000 m2), e mjaftueshme për t’u quajtur qytet.

borshi

Jeta lindi aty në shek. IV-III. Iliria në atë kohë mbulohej nga një rrjet i dendur qytetesh dhe nuk mund të mos lindte edhe këtu një i tillë, sepse klima ishte e butë, toka pjellore, ujëra të shumta burimesh dhe kryqëzim rrugësh. Kalaja përmendet në shumë libra historianësh bizantine, dijetarësh veneciane, por edhe në regjistra fiskalë turq.
 
Ajo ka një histori shumë interesante, është djegur e shkatërruar dhe është ringritur nga dheu, si simbol i qëndresës së shqiptarëve dhe dëshirës për ringjallje.

Kalaja e Badhrës, vendbanim 3400 –vjeçar.
Në të majtë të rrugës automobilistike Piqeras- Borsh, mbi një kodër jo fort të lartë, gjendet kalaja prehistorike e Badhrës, në rrënojat e së cilës ruhen gjurmët e një vendbanimi 3400- vjeçar. Në pjesën më të ngritur të kodrës gjenden muret e kalasë me gurë të papunuar njëri mbi tjetrin me gjerësi 2-2.20 m, kurse lartësia në pjesën më të ruajtur arrin 1m.

Kalaja e Badhrës si nga teknika e ndërtimit të mureve ashtu edhe nga materiali arkeologjik, paraqet një nga fazat më të hershme të ndërtimit të vendbanimeve të fortifikuara, të detajuara në epokën e bronxit në vendin tonë duke hedhur kështu dritë mbi organizimin fisnor patriarkal të shoqërisë ilire, në mijëvjeçarin e dytë para erës sonë. Shërbime të ndryshme, shërbimet tregtare plotësohen me anë të disa dyqaneve të tipit minimarket të mbledhura në qendër të fshtatit dhe të tjera të shpërndara nëpër lagje, duke plotësuar kërkesat e tregut.
 
Shërbimi telefonik mbulohet nga filiali i Sarandës me anë të një centrali automatik, por shumë e përhapur është edhe telefonia celulare. Ekziston edhe spitali në një ndërtesë të mjaftueshme për një shërbim cilësor.

borshi

Gjenden disa bar-restorante të këndshme me kuzhinë të pasur, ku gatimi tradicional shqiptar ndërthuret me kuzhinën greke dhe italiane. Ushqimet janë të freskëta dhe të prodhuara nga vendasit si agrumet, ullinjtë, perimet e frutat. Peshku dhe frutat e detit janë gjithashtu të preferuara, tepër të shijshme dhe të sapo zëna nga peshkatarët borshiotë.

Nëse dëshironi pushime absolutisht të qeta, të preheni në gjirin e natyrës të ushqeheni me frutat e saj, larg zhurmës e pluhurit të qyteteve, ku veshi të dëgjojë vetëm dallgët e detit dhe fëshfërimën e gjetheve të pemëve aty pranë, nëse do t’i shpëtoni rutinës për pak vetmi, Borshi do te ishte një zgjidhje e shkëlqyer.

borshi

180 ditë banjo dielli. 
Për Borshin temperatura e ujit 18 gradë dhe e ajrit 20 gradë si temperatura komforte për banjo vendosen në mënyrë të qëndrueshme që në dekadën e parë të majit deri në dekadën e parë të nëntorit për ujin, dhe dekadën e parë të tetorit për ajrin. Banjot e ujit arrijnë deri në 180 ditë, kur Mesdheu i ka 150 ditë. Kripshmëria e ujit ndryshon midis 39-40 për mijë në varësi të stinës. Ka ujëra alkaline me fortësi ph. 8.08-8.40 me pastërti të madhe, tejdukshmëri të mirë, të pandotur akoma me sasi oksigjeni brenda normave 8-9mg/l pa aromë e shije anësore.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com) 
 - See more at: http://www.shqiptarja.com/aktualitet/2731/shqip-ria-ime-fantastike-sjell-pushime-n--borshin-e-trim-ris--230988.html#sthash.QNqKHAMi.dpuf

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate