28 luglio 2014

“Shqip” sjell emisionin e fundit për këtë sezon 2014 kushtuar "TURIZMIT/Razma dhe projekti i Alpeve"

Sot në ekranin e “Top Channel”

ne Razëm (1)
“Turizmi është resursi ynë më i madh, mundësia jonë më e madhe, e ndërthurur me bujqësinë dhe blegtorinë, sepse ne këto kemi potenciale. Këto do të na bëjnë ne një vend të jetueshëm”. Gazetarja Rudina Xhunga beson se arsimi profesional dhe një vizion i ri për turizmin do t’i jepnin vendit një tjetër dimension jo vetëm ekonomik. Për 8 të hëna me radhë emisioni “Shqip” në “Top Channel” u zhvendos nga veriu në jug, në pikat strategjike të turizmit shqiptar, duke i dhënë mundësi publikut të njihet me këto vende, por dhe për të hapur një diskutim mbi zhvillimin e tyre. Një “Shqip” për Shqipërinë e bukur, për të cilën nuk mjaftojnë vetëm ato çfarë na ka falur natyra, por duhet dhe vizioni dhe strategjia jonë. “Shqip” prej 12 vitesh e ka kthyer turizmin në kryefjalën e verës, duke ftuar specialistë, dhe njerëz që kanë në dorë politika e strategji për të thelluar diskutimet për këtë fushë. Sot, në ekranin e “Top Channel” do të jetë Razma dhe projekti i Alpeve, një nga më të rëndësishmit për turizmin e vendit…
Sonte është emisioni i fundit i këtij sezoni për turizmin. Pse Razma në fund?
Sepse është ëmbëlsira. E një sezoni plot vende dhe projekte të reja për turizmin. Në fund, një vend nga ata që me fjalë të thjeshta, mund ta përshkruash, një vend si dikur, një vend si jashtë. Nuk duhet humbur pa u parë dhe shijuar Razma dhe projekti i Alpeve është nga më të rëndësishmit për turizmin. Pak rrugë aty, pak rrugë këtu, ca km atje, e ca më tutje dhe Veriu do të ndryshojë, sa hap e mbyll sytë, sikur ke fërkuar llambën e Aladinit. Zvicra, Austria nuk kanë asgjë më shumë se ne. Jam e sigurt se mundemi. Tanimë u bënë 12 vjet që sezonin e verës ia kushtoj turizmit dhe nuk jam dorëzuar së besuari.
Emisioni i parë, kur ka qenë?
Ka kaluar kohë. Në verë të 2002-it. Një sezon në tre qytete kryesore bregdetare; Vlorë, Sarandë, Durrës. Tema, turizmi, ujë, drita, plehra. 12 vjet më pas flasim për projekte. Edhe pse diku nuk ka ujë, diku nuk ka drita, diku digjen plehrat në rrugë.
Atë kohë isha duke shkruar “Sikur Anën”, tani rris Alanën, por në një pikë jam e njëjta; Njësoj entuziazmohem pas lajmeve të mira nga çdo cep i Shqipërisë. Me të dëgjuar për një vend, projekt a një shembull që frymëzon, nisem me vrap të bëj emision turizmi.
Ciki është propozimi yt për turizmin?
Arsimi profesional. Mjaft me ide amatore, mjaft me ide kalimtare, duhet vizion, qëndrueshmëri dhe besueshmëri për turizmin. Turizmi është resursi ynë më i madh, mundësia jonë më e madhe, e ndërthurur me bujqësinë dhe blegtorinë, sepse ne këto kemi potenciale. Këto do të na bëjnë ne një vend të jetueshëm. Një fshat në Norvegji u kthye në librari, që të mos zhdukej. Do ta gjejmë edhe ne fabulën tonë. Jam e sigurt.
A e ndieni audiencën e këtij tipi emisionesh?
Po, kanë shumë audiencë. Kjo është e prekshme, e matshme. 8 emisione, pothuaj 112 të ftuar. Një staf prej 30 personash çdo puntatë. Një zhvendosje nga studio nëpër Shqipëri, në një nga ato sipërmarrjet që bën vetëm “Top Channel”. Dhe Bujar Kokonozi, Nardi i regjisë, Red Neziri, Sibora e montazhit me djemtë e Vanit dhe kamera e Elinit.
Tani në gusht nis pushimi. Ku do të pushoni, në vendet që propozoni apo jashtë, si shumë nga emrat e rëndësishëm të ekranit?
Do të pushoj në Jug, si gjithmonë. Dhe do të shkoj disa ditë në Razëm ose Rugovë. Pa harruar ndalesat te Mrizi dhe Rapsodia, aty ku prodhohen simfonitë e ushqimit të Veriut.
Ndërkohë, do të përfitoj nga ky muaj pushim për t’iu përgjigjur pozitivisht disa ftesave për të ndarë biseda për “Shkrimtarët e shekullit”, pasi sezoni ka qenë i ngarkuar dhe kam qenë e detyruar të ndaloj vetëm në Shqipërinë jashtë kufijve, për promovim. Struga, Mitrovica, Plava, Prishtina. Tani do të ndaloj në disa qytete brenda Shqipërisë. Dhe po pres me shumë kënaqësi të flas për librin dhe të takohem me njerëz që më shkruajnë për të. Ndonjëherë, pyes veten, çfarë kam bërë që më shkruajnë kaq gjëra të bukura e më kushtojnë vëmendje dhe i jam mirënjohëse çdo njeriu, çdo komenti, çdo urimi, çdo fjale. Me gjithë zemër.
A është “Shkrimtarët e shekullit” libër vere?
Nuk e di çfarë është tamam një libër vere. Nëse quhet libër vere, një libër që nuk të kushtëzon të nisësh në faqen e parë dhe ta vazhdosh faqe pas faqeje deri në fund; një libër që të pret dhe kur hyn në det e të harrohesh; një libër që të bën gati fjalorin dhe ambiciet për në shtator. Po, “Shkrimtarët e shekullit” është një libër vere. Dhe sidomos është një dhuratë e mirë për t’u marrë me vete nga Shqipëria, bashkë me një autograf, nëse ke ardhur për pushime vere dhe do ikësh në vendin ku jeton e punon. Mjafton të më kontaktosh në Twitter e Facebook dhe kushdo mund të ketë autograf.
Bisedoi Alda Bardhyli
Autor  te 28 Korrik 2014. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • zak topuzi
    Pershendetje.
    Vleresoj kontributin tuaj te vecante per turizmin shqiptar dhe mesazhet pozitive qe jep ne vazhdimesi per kete industri, qe per 24 vjet, nga politika, nuk eshte vleresuar si kontribusi kryesor por eshte perdorur si slogan politik. Me vjen mire qe konstaton se arsimimi profesional eshte i rendesishem por nuk kuptohet qe nuk mungojne shkollat . Vetem ne Tirane shkolla hoteleri turizem ka 1100 nxenes. Problemi kryesor eshte shkolla qe duhet te nxjere nxenes te certifikuar dhe ligji te detyroje bizneset te marin keta nxenes ne pune. Vendosja pra e standardeve .Eshte njesoj si te maresh ne pune per ekonomist apo farmacist kedo qe del ne rruge , mjafton te dije nje gjuhe te huaj. Faleminderit Zak Topuzi
    Kryetar i Sekt Hotelier
    Shoqata Shqiptare e Turizmit ATA

Shqip, 28 Korrik 2014, Pjesa 1 - Top Channel... di tchalbania
Shqip, 28 Korrik 2014, Pjesa 2 - Top Channel... di tchalbania
Shqip, 28 Korrik 2014, Pjesa 3 - Top Channel... di tchalbania

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate