23 luglio 2014

Ksamili me plazhe e ishuj përrallorë, vend ideal për pushime

Korrik 23, 2014 15:04
Derisa bashkatdhetarët nga Zvicra e Suedia kanë përshtypje të mira për pushimet në Ksamil e Sarandë, një taksist vendës për rritjen e fluksit të të huajve e falënderon Amerikën, përkatësisht të përditshmen e amerikane «New York Times», që e renditi Shqipërinë si destinacionin e katërt turistik në botë.
Rexhep RIFATI
foto 1
Pamje mahnitëse nga korriku i sivjetmë në Ksamil
Shumica e pushuesve që po mësyjnë Sarandën, veçmas shqiptarët nga mërgata, por edhe mysafirët e huaj nga Evropa dhe shtete tej Atlantikut, pikë referimi zakonisht e kanë Butrintin historik, për shkak të gjetjeve të shumta arkeologjike, filluar nga antikiteti. Menjëherë pason fshati piktoresk Ksamil, falë ishujve atraktivë dhe plazheve të vegjël, por shumë tërheqës. Ndërkohë rrallë lihet pa vizituar edhe atraksioni natyror Syri i Kaltër, ndonëse jo edhe i rregulluar si duhet, nga ajo që presin vizitorët kureshtarë.
Por, kësaj radhe në këtë udhëpërshkrim do të ndalemi te fshati i bukur, që i ngjason një qyteze tërheqëse, Ksamil, që ndodhet në cepin më jugor të Shqipërisë, buzë Detit Jon, vetëm 18 km në jug të Sarandës, apo vetëm 1,6 milje larg ishullit grek, Korfuz. Ksamili edhe këto ditë korriku është ndër lokalitetet më tërheqëse për shumë turistë, pasi plazhet e vegjël të qytetit të Sarandës nuk i plotësojnë kërkesat e shumta të vizitorëve që ia kanë mërsyrë këtij qyteti më në jug të Shqipërisë. Ndaj edhe Ksamili gjithsesi mbetet në një nga pikët turistike që duhet vizituar nga të gjithë ata që ia mësyjnë jugut shqiptar. 
Ishujt e Ksamilit, pjesa më atraktive e zonës bregdetare 
foto 2
Plazhet dhe ishujt e bëjnë Ksamilin tejet përrallor
Sipas asaj që shihet e përjetohet nga pushuesit e kësaj vere në këtë anë, ishujt e Ksamilit e përbëjnë pjesën më atraktive të kësaj zone bregdetare, pasi ata shtrihen në një lartësi nga 7,5 deri në 15 metra mbi nivelin e detit, dhe zakonisht këta ishuj të vegjël shkëmborë janë vendosur pranë njëri-tjetrit dhe janë të mbuluar me një vegjetacion tipik mesdhetar mjaft të zhvilluar. Pranë qytezës së Ksamilit gjenden katër ishuj, ku gjenden edhe plazhet më të bukura në gjithë rivierën. Dallohen për natyrën e tyre ekzotike me ujëra të pastër kristal dhe gurë të vegjël. Ishujt e Ksamilit janë shumë të frekuentuar për sezonin e verës nga pushues të shumtë vendës dhe të huaj. Për të mbërritur është shumë e thjeshtë, meqë funksionojnë shumë agjenci me anije dhe skafe private, të cilat e kryejnë sistematikisht lëvizjen e turistëve në vajtje-ardhje me çmime tejet të arsyeshme.
Shtëpi e apartamente të mjaftueshme për pushues
Familja Berisha nga Kreuzlingeni i Zvicrës në Ksamil
foto 3Për të qenë sa më tërheqës për pushues të shumtë, si nga vendi, ashtu edhe shtetet e jashtme, sidomos për nevoja të turizmit familjar, në Ksamil janë ngritur mjaft shumë apartamente banimi, apo edhe godina të vogla familjare të cilat jepen me qira me çmime relativisht të volitshme, diku prej 20-30 euro për një dhomë banimi, apo ndonjëherë me këtë çmim mund të gjendet edhe një apartament (kuzhinë dhe dhomë gjumi). Kështu që tash, kur thuajse është kulmi i sezonit, qindra turistë kanë marrë dhoma me qira dhe apartamente për pushimet e tyre.
Mërgimtarë nga shtete të ndryshme evropiane
foto 5
Familje nga Suedia, Zvicra e Kosova gjatë një dreke në Ksamil
Gjatë vizitës në Ksamil e patëm rastin t’i vizitojmë disa nga plazhet më të bukura të këtij lokaliteti (ndonëse ende larg standardeve urbanistike). Takuam kryesisht mërgimtarë shqiptarë që i kalonin pushimet në këtë fshat turistik. Nga Zvicra, pos tjerëve, me familje ishte edhe inxhinieri i diplomuar Agron Berisha, që jeton dhe punon në Kreuzlingen, e që këtu ishte për pushime me të shoqen dhe dy fëmijët dhe të afërmit që jetojnë në Gjermani apo Kosovë. Agroni, që ishte për herë të parë në Ksamil, na deklaroi se ishte i kënaqur, si me vendosjen, ashtu edhe kuzhinën dhe kushtet tjera, kur kihet parasysh se në këtë vend mjaft vonë filloi lulëzimi i turizmit. Mendim të ngjashëm kishte edhe Florent Reçica, që jeton prej vitesh në Suedi, e këtu ishte për pushime me tre fëmijët, të shoqen Laurën, si dhe me miqtë që jetojnë në Kosovë.
Pas Ramazanit, pritje më e madhe e pushuesve nga Kosova dhe Maqedonia 
foto 6
Sara nga Zvicra dhe Elisa nga Kosova, të gatshme për not
Vendësit, siç na tha një bashkëkombës nga Gostivari, që e ka restorantin po me emërtimin “Gostivari” në qendër të Sarandës, presin që me të përfunduar të Ramazanit të vijnë më shumë mysafirë. Përndryshe, tash nga Maqedonia ka një numër të konsiderueshëm maqedonasish dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera. Edhe nga Kosova e Kosova Lindore presin një shtim më të madh të mysafirëve.
Një taksisti, derisa udhëtonim në drejtim të Ksamilit, ia shtruam pyetje se si e vlerësoni fluksin e vizitorëve sivjet, në krahasim me vitet e mëparshme. Ai na deklaroi se ka rritje shumë më të madhe të numrit të vizitorëve, sidomos nga shtetet e Evropës Perëndimore, por edhe nga Amerika e Kanadaja.
Edhe për këtë, si edhe për shumë arritje të tjera viteve të fundit në Shqipëri, duhet falënderuar Amerikën, sepse për vitin 2014 e përditshmja e njohur amerikane “New York Times” e renditi turizmin e vendit tonë si destinacioni i katërt turistik në botë. Taksisti mendon se ky sistemim ka pasur një efekt shumë pozitiv. Se kjo mund të jetë njëri nga faktorët, kjo mund të vërehet edhe nga prania e turistëve të shumtë që komunikojnë në gjuhë të ndryshme, gjë që haset, pos në Butrint, ndonëse në masë më të vogël, edhe në Ksamil. Sidoqoftë, Ksamili tashmë është bërë njëri nga vendpushimet bregdetare më të frekuentuara nga turistët vendës dhe të huaj. Kësaj gjithsesi i kanë kontribuar plazhet e tij përrallore me ujë të pastër dhe ishujt e vegjël përballë, që e bëjnë Ksamilin një vend ideal për pushime.
Çfarë mund të vizitohet nga Ksamili?
foto 8
Nga Ksamili gjenden lokalitetet me interesante në jug të Shqipërisë, siç është qyteti i lashtë Butrint, një zonë kjo e trashëgimisë botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s dhe një nga zbulimet arkeologjike më të rëndësishme në Shqipëri e Ballkan, pastaj rrënojat e qytetit të lashtë të Onkesmusit, Muzeu Etnografik, burimi natyror Syri i Kaltër, si dhe rrënojat e Foinikes në fshatin Finiq, kalaja e vogël të Ali Pashës në fshatin Vrinë, Kisha e Shën Kollit në fshatin Mesopotam, si dhe vetë ishujt e bukur të Ksamilit. Gjithsesi ajo që e bën Ksamilin edhe me tërheqës janë bukuritë që e rrethojnë, siç janë ishujt, plazhet dhe zhytja në ujërat e kthjellëta. Por, Ksamili është i vetmi destinacion bregdetar që jua ofron mundësinë t’i hipni një varke (me 200 lekë), dhe të shkoni e të drekoni në ishullin përballë, ose të zgjidhni njërin nga ishujt që preferoni. Po ashtu, funksionojnë edhe lidhjet e autobusit në relacionin Sarandë-Ksamil-Butrint dhe anasjelltas, ndonëse jo edhe në masë të duhur.
Çfarë nuk do të ju pëlqejë në Ksamil?
foto 12
Por, ka edhe mjaft gjëra që nuk do të ju pëlqejnë në Ksamil. Duhet pranuar, siç konstatojnë disa nga burimet e këtushme, se rrallë ndodh që magjisë së natyrës t’i shtohej dhe magjia e dorës së njeriut, si në Ksamil. Por, nga brezaret gjigante me agrume të dikurshme pak gjurmë kanë mbetur. Tashmë magjisë së natyrës me gjire e me ishuj të vegjël i kanoset rreziku i shkatërrimit nga ndërtimet, nga fakti se mjaft të tilla të egra ia prishin hijeshinë që ia ka dhuruar natyra këtij vendi.
Nga ekspertët përkatës përmendet se Ksamili është kthyer në një problematikë turistike sa i përket mbipopullimit dhe keqpërdorimit të imazhit të tij turistik, por se me ndërtimin e infrastrukturës, shëtitores së re, e madje edhe disa hoteleve të mira, është megjithatë një destiancion që mund ta shihni me kënaqësi edhe nga ana e akomodimit. Ndaj edhe ia vlen që të shihet e përjetohet nga afër, për ç’gjë me objektivin e aparatit i regjistruam disa imazhe nga pamjet e tij tejet mbresëlënëse.http://www.dialogplus.ch/ne-vendngjarje/ksamili-me-plazhe-e-ishuj-perrallore-vend-ideal-per-pushime/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate