25 luglio 2014

“Jazz in Albania”, një javë maratonë në qytete turistike summer 2014


“Jazz in Albania”, një javë maratonë në qytete turistikeTIRANE - Tashmë vera nuk mund të kuptohet pa një festival xhazi. U bënë vite që, në mënyrë sporadike, zhvillohen koncerte xhazi, pastaj diku-diku merr formën e një festivali…
Por të organizosh një festival ndërkombëtar xhazi në Shqipëri, nuk është aspak e thjeshtë. Kjo jo vetëm për kulturën jo të mjaftueshme të shqiptarëve me këtë lloj muzike, por më së shumti për shkak të mungesës së mbështetjes financiare. Shoqata “Syri Blu” dhe fondacioni “Xoxa” ia kanë dalë që për të tretin vit të organizojnë festivalin “Jazz in Albania”. Këtë vit festivali vjen më i pjekur, më i qëndrueshëm dhe do të shtrihet përgjatë 7 ditëve, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Fier-Apoloni, Korçë, Shkodër e Himarë. “Nga sa kuptohet edhe nga vendet ku do të zhvillohet ky festival, mund të themi me bindje se ky është një festival i turizmit kulturor. Shpresojmë që në të ardhmen ai të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, pse jo edhe në viset shqiptare në Kosovë e Maqedoni”, u shpreh përfaqësuesi i fondacionit “Xoxa”, Agron Xoxa. Këtë vit festivali ka gjetur mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës, por Xoxa thotë se do të ishte mirë që ky aktivitet të ishte pjesë e një axhende të qëndrueshme, dhe të kishte një suport më të madh nga institucionet shtetërore.
Për drejtuesin e shoqatës “Syri Blu”, Besim Petrela, përgjatë një maratone 7-ditore, festivali do të ofrojë ritme dhe motive nga vende të ndryshme të Europës, e më tej. Kështu, në këtë edicion do të performojnë grupe muzikore xhazi nga Austria, Çekia, Gjermania, Greqia, Italia, Izraeli, Turqia, Zvicra dhe Shqipëria. “Pas koncerteve në Tiranë, në ambientet e HOTEL“Sheraton”, festivali do të zhvendoset në qytete turistike. Do të ftojmë edhe disa grupe polifonike, prej të cilëve artistët edhe mund të frymëzohen, pasi xhazi është shumë fantazi e improvizim”, tha Petrela. Sipas tij, artistët janë me fat që do të mund të interpretojnë me skenografi si Apolonia apo Kalaja e Porto Palermos
Grupet
Edicioni i tretë i festivalin ndërkombëtar të xhazit, “Jazz in Albania”, do të zhvillohet në datat 22-27 korrik.
Një nga grupet pjesëmarrëse në festival është Grossmutterchen Hatz Salon Orkestar. I krijuar nga Franziska Hatz, grupi vjenez nisi rrugëtimin e tij në vitin 2010. Muzika e tyre është një gërshetim i elementëve nga tradita klezmer, ritmet pop, rock, ska dhe xhaz.
Martin Brunner Trio është një nga grupet që do të çelë sot festivalin. Bëhet fjalë për një trio të xhazit standard, që interpreton vetëm kompozime origjinale. Trioja është krijuar në vitin 2007 në Pragë.
Lebi Deria nga Gjermania, gjithashtu janë pjesë e programit të sotshëm. Grupi i përbërë nga muzikantë të rinj, janë të tërhequr nga miksimi i kulturave orientale e perëndimore. Muzika e tyre është një gërshetim i xhazit oriental me muzikën e dhomës, motivet që vijnë nga folklori.
Manos Tavlakis trio do të performojnë vetëm në koncertet e Apolonisë dhe Himarës më 26 dhe 27 korrik. Tradita mesdhetare është në themel të muzikës së tyre.
Marco Castelli-Trio nga Italia sjellin një muzikë tërësisht origjinale, jashtë klisheve dhe që krijon shumë atmosferë e emocion. Marco Castelli është një nga saksofonistët më të talentuar italianë, i cili përgjatë karrierës së tij ka eksperimentuar në shumë rryma muzikore, duke u dhënë të gjithave një formë krejtësisht personale.
Tal Kravitz, këngëtar dhe muzikant nga Izraeli, do të interpretojë në koncertin e nesërm në Tiranë, por edhe në Shkodër e Himarë. Pasioni i tij janë këngët dhe instrumentet e vjetra nga vende të ndryshme të botës.
Marco Zappa vjen nga Zvicra, kitarist dhe poet nga Locarno. Rrugëtimi i tij muzikor ka nisur në vitet ’60 dhe gjatë gjithë karrierës së tij ka qenë në kërkim të gjetjeve të reja, shkrirjeve mes muzikës klasike dhe rock, eksperimentimit të instrumenteve elektronike etj.
Nga Turqia vjen Evrim Demirel Ensemble. Ky grup sjell muzikën turke dhe xhazin, së bashku, përmes një perspektive moderne. Muzika e ansamblit është një gërshetim kulturash të ndryshme.
Shqipëria përfaqësohet me Genti Rushi Trio, që do të performojë në koncertin e Apolonisë në datën 27 korrik. Përmes miksimit të stileve të ndryshme, grupi sjell krijime unike. Çdonjëra prej tyre ka një udhëtim të vetin, krijohet dhe rritet përmes improvizimit.

Besim Petrela: Festivali, homazh martirëve të xhazit
Për njërin prej organizatorëve të festivalit të xhazit, Besim Petrelën, historia e xhazit në Shqipëri është relativisht e shkurtër, me yjet dhe pionierët e vet, si Krajka, Çurçia, Shllaku etj. “Gjatë fëmijërisë së vet, muzika xhaz në Shqipëri pati një histori të dhimbshme. Muzikantë të talentuar shkuan në gijotinën e sistemit komunist. Festivali është gjithashtu një homazh për martirët e muzikës së lirisë. Ky festival është një shprehje mirënjohjeje ndaj gjithë muzikantëve shqiptarë që kanë kontribuuar në vite, që nga errësira e sistemit komunist, në lirinë e pas viteve ’90″, thotë Petrela. Sipas tij, performancat profesionale të muzikës xhaz në Shqipëri filluan pas viteve 2000 me artistë si Elina Duni, Eda Zari, Salim Rushi, Fatos Qerimaj, Ilir Kola, Emilion dhe Ervin Dhimo, Gjon Shllaku, Markelian Kapedani, Rrok Jakaj etj. Festivali që nis sot është vazhdimi dhe rritja e një tradite. “’Jazz in Albania’ ka nisur me dy edicione si Tirana Jazz % World Music Festival në vitit 2012-2013, por këtë vit festivali ka ndryshuar emër, pasi ai nuk do të jetë më vetëm pjesë e Tiranës, por do të prekë 5 qytete të Shqipërisë, Tirana, Shkodra, Korça, Fieri, për të ringjallur jetën artistike, për të mbështetur turizmin kulturor dhe për të promovuar trashëgiminë kulturore, si Parkun e Apolonisë, kalatë e Ali Pashës dhe Porto Palermos”, thotë një nga bashkëproducentët e festivalit, Besim Petrela.

Artisti izraelit Tal Kravitz
“Punoj me kolegë palestinezë, çdo notë muzike, lutje për paqe”

Një lutje për ditë më të mira. Performancën e tij në festivalin “Jazz in Albania”, muzikanti izraelit Tal Kravitz do t’ia kushtojë situatës në Izrael e Palestinë, të përshirë së fundmi në një tjetër konfrontim luftarak. Kravitz është një artist i gjithë botës, udhëton shumë, nga çdo vend merr diçka me vete, të cilën e shndërron në art. “Për vite kam udhëtuar rreth botës, duke mbledhur këngë dhe instrumente të vjetra, karakteristike të vendeve. Kudo ku shkoj, studioj dhe mësoj këngë nga gjuhë të ndryshme, si edhe historitë e instrumenteve. Dashuria ime e madhe është folklori, muzika origjinale e popujve. Çdo lloj muzike që vjen nga populli, pavarësisht se nga, më prek thellësisht zemrën. Shpresoj që të mësoj edhe këngë nga gjuha shqipe, e cila është e 31-ta për mua”, tregon Kravitz, teksa thotë duke qeshur se 31-shi është një numër me fat. Edhe pse jeta e tij është e lidhur tërësisht me muzikën, ai nuk mund të jetë indiferent ndaj asaj çka po ndodh në vendin e tij, Izrael, por edhe Palestinë. “Nuk e di nëse duhet ta them, por, në këto ditë të vështira që po kalon vendi im, i përfshirë në luftë, jam shumë i lumtur që merrem me kulturë, me muzikë. Kur të kthehem në vendin tim apo edhe në Palestinë, unë do të këndoj në gjuhën e këtyre vendeve. Në vendin tim, unë punoj me palestinezë, këndojmë mbi dashurinë dhe bashkimin dhe çdo notë që do të luaj në këtë festival, do të jetë një lutje për ditë më të mira”, tha artisti izraelit. Tal Kravitz është diplomuar në National School of Choir Conducting në Tel Aviv, ku gjithashtu ka studiuar kompozicion me kanto. Ka studiuar për muzikë etnike në Bar Illan University. Performon në të gjithë botën i mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme, përfaqëson Izraelin në festivale ndërkombëtare, leksione dhe performanca në universitete rreth e rrotull botës.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/jazz-in-albania-nje-jave-maratone-ne-qytete-turistike-202343.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate