12 aprile 2014

Norma të reja për mjetet lundruese në plazhe per 2014 dhe rregullat e lundrimit


skafQeveria miratoi dje vendimin për vendosjen e sistemeve GPS për çdo mjet detar. Në këtë kuadër, kabineti qeveritar ka shfuqizuar vendimin e Sali Berishës, për moratoriumin e mjeteve lundruese. Moratoriumi i vendosur nga ish-kryeministri Berisha, kufizonte lëvizjen në maksimum të mjeteve detare. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi se nëpërmjet ndryshimeve të propozuara dhe miratuara, qeveria i ka hapur dritën jeshile rregullimit, disiplinimit dhe rritjes së sanksioneve lidhur me trafikun detar, kryesisht për qëllime turistike. “Kështu, me ndryshimet e propozuara nga Ministri i Brendshëm, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 8663, për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 tonë, kemi propozuar së pari, riklasifikimin e mjeteve lundruese, duke përfshirë të gjitha mjetet që përdoren për çdo lloj qëllimi, përfshirë këtu edhe motorët e detit apo edhe mjete të tjera, të cilat deri dje nuk ishin të klasifikuara në ligj. Me anë të këtij riklasifikimi zgjerojmë bazën e mjeteve të cilat do të njohin këtë rregullim, sipas ndryshimit që ne propozojmë në ligj”, theksoi Tahiri.    Dënimet sipas shkeljeve të rregullave   Në mbledhjen e zhvilluar dje, qeveria “Rama”, përcaktoi masat përkatëse në varësi të shkeljeve të konstatuara, lidhur me përdorimin e mjeteve të lundrimit. Në këtë kuadër, për shkeljen e detyrimeve të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji, e cila përbën kundërvajtje administrative, qeveria vendosi masën e dënimit me gjobë nga 10 000 deri në 50 000 lekë dhe me sekuestrim të mjetit. Sipas vendimit, është gjykata ajo që vendos për konfiskimin e mjetit, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative. Gjithashtu, për shkeljen e rregullave për sigurinë e pushuesve në plazhet publike dhe jopublike, në bregdet apo në ujërat e brendshme në thellësi të territorit, sipas nenit 15/a, të këtij ligji, që përbën kundërvajtje administrative, qeveria vendosi dënimin me gjobë nga 100 000 lekë deri në 150 000 lekë, si dhe me sekuestrim të mjetit. Do të jetë gjykata ajo që do të vendosë për konfiskimin e mjetit, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative. Sakaq, ndaj masave administrative të marra në bazë të këtij ligji, kundërvajtësi mund të bëjë ankim brenda pesë ditëve te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili vendos brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga data e paraqitjes së ankimit. Po ashtu, ndaj vendimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kundërvajtësi mund të bëjë ankim në gjykatë në përputhje me rregullat dhe afatet e parashikuara sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.   Vendimi i plotë për mjetet lundruese   Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8663, datë 18. 9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 nt””   Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave, vendosi:    Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.   Në ligjin nr.8663, datë 18.9.2000, “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20 NT”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:   Neni 1   Neni 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:   Neni 2 Përkufizimi i mjetit lundrues   Në kuptim të këtij ligji, me mjet lundrues kuptohet mjeti lundrues me motor, me tonazh nën 20 NT, duke përfshirë edhe mjetet lundruese që përdoren për qëllime argëtimi e sportive, të klasifikuara si të tilla nga Regjistri i Mjeteve Lundruese Shqiptare ose nga institucionet korresponduese të shteteve të tjera.”.   Neni 2   Pika 1, e nenit 3, ndryshohet, si më poshtë vijon: “1. Ky ligj zbatohet për mjetet lundruese, objekt i këtij ligji, që mund të përdoren në det, liqene, lumenj, rezervuarë dhe përrenj.”.   Neni 3   Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:   “Neni 4   Respektimi i normave të lundrimit   Mjetet lundruese duhet të respektojnë rregullat e regjimit të lundrimit në det, liqene, lumenj, rezervuarë dhe përrenj, duke përfshirë edhe normat që lidhen me pajisjet e shpëtimit, me sinjalet ndriçuese për lundrimin natën, me pajisjen me radio ndërlidhjeje, të sintonizuar në frekuencat e ndihmës detare, si dhe me sistemin për lokalizim gjeografik, GPS.”.   Neni 4   Pas nenit 15 shtohet neni 15/a, me këtë përmbajtje: “Neni 15/a Kushtet e sigurisë dhe mënyra e përdorimit të mjeteve lundruese për qëllime argëtimi dhe sportive Kushtet për ushtrimin e aktivitetit të rregullt e të sigurt me mjetet lundruese, mënyra e përdorimit të tyre për qëllime argëtimi e sportive dhe rregullat për sigurinë e pushuesve në plazhet publike dhe jopublike, në bregdet apo në ujërat e brendshme në thellësi të territorit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.   Neni 5   Pas nenit 30 shtohen nenet 30/a, 30/b dhe 30/c, me këtë përmbajtje:   “Neni 30/a Mosrespektimi i normave të lundrimit   1. Shkelja e detyrimeve të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative, dënohet me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe me sekuestrim të mjetit. 2. Gjykata vendos për konfiskimin e mjetit, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.   Neni 30/b Shkelja e rregullave të sigurisë në plazhe   1. Shkelja e rregullave për sigurinë e pushuesve në plazhet publike dhe jopublike, në bregdet apo në ujërat e brendshme në thellësi të territorit, sipas nenit 15/a, të këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative, dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, si dhe me sekuestrim të mjetit. 2. Gjykata vendos për konfiskimin e mjetit, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.    Neni 30/c Shkelja e rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese në plazhe e sporte ujore   1. Shkelja e kushteve për ushtrimin e aktivitetit të rregullt e të sigurt me mjetet lundruese e për mënyrën e përdorimit të tyre për qëllime argëtimi e sportive sipas nenit 15/a përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë, si dhe me sekuestrim të mjetit lundrues. 2. Gjykata vendos për konfiskimin e mjetit, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.”.   Neni 6   Neni 37 ndryshohet, si më poshtë vijon:   “Neni 37 Ankimi administrativ   1. Ndaj masave administrative të marra në bazë të këtij ligji, kundërvajtësi mund të bëjë ankim brenda pesë ditëve te drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili vendos brenda pesëmbëdhjetë ditëve nga data e paraqitjes së ankimit. 2. Ndaj vendimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kundërvajtësi mund të bëjë ankim në gjykatë në përputhje me rregullat dhe afatet e parashikuara sipas legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.”.   Neni 7   Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.  
 - See more at: http://www.sot.com.al/politike/vendimi-i-qeveris%C3%AB-sistem-gps-p%C3%ABr-%C3%A7do-mjet-detar-hiqet-moratoriumi#sthash.ddJLhSEO.dpuf

Mjetet Lundruese


Ligji nr.8663, datë 18.09.2000 “Për regjistrimin, klasifikimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese me motor me tonazh nën 20 NT”
Objekt i  këtij ligji janë të gjitha mjetet lundruese me tonazh nën 20 NT, që kanë një fuqi të përgjithshme të motorit ose të motorëve më të lartë se 30 kilovatë/orë ose 40,8 kuaj/fuqi HP, të klasifikuar si të tillë nga Regjistri Detar Shqiptar ose nga institucionet korresponduese të shteteve të tjera.

  • Zotërimi, mbajtja apo importimi i mjeteve lundruese
Cilido që zotëron, mban ose importon, me çfarëdolloj titulli, një mjet lundrues ose pjesë të tij, duhet të bëjë deklarimin me shkrim, brenda njëzet e katër orëve nga marrja në zotërim ose në mbajtje, në zyrën e policisë kufitare, përgjegjëse për territorin, duke shënuar gjeneralitetet dhe vendqëndrimin e tij, vendbazimin e përhershëm të mjetit, si dhe gjeneralitetet e pronarit ose të bashkëpronarëve.
Deklarimi i zotërimit ose i mbajtjes duhet të bëhet sa herë ndryshon vendbazimi i përhershëm i mjetit.
  • Matrikullimi i mjeteve lundruese
Këto mjete lundruese duhet të jenë në çdo rast:
a) të matrikulluara në kapitenerinë e portit ose në zyrat që varen prej saj, përgjegjëse për territorin, dhe që ndodhen pranë liqeneve e lumenjve;
b) të regjistruara në zyrën e policisë kufitare, përgjegjëse për territorin.
Kërkesa për matrikullim duhet të paraqitet nga pronari i mjetit lundrues brenda pesë ditëve nga fitimi i së drejtës të pronësisë mbi mjetin lundrues dhe duhet të përcaktojë qëllimin e përdorimit të mjetit, duke i bashkëlidhur dokumentacionin e lëshuar nga Regjistri Detar Shqiptar.
Pasi të jetë çertifikuar në Regjistrin Detar, Kapiteneria e portit ose zyrat që varen prej saj, përgjegjëse për territorin bëjnë matrikullimin dhe lëshojnë lejen e lundrimit.
Numri i matrikullimit dhe emri i mjetit lundrues duhet të vihen në vend të dukshëm.
Leja e lundrimit i lëshohet të interesuarit brenda pesë ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
  • Rregjistrimi në Zyrën e Policisë Kufitare
Pasi të jetë paisur me dokumentacionin e mësipërm, pronari i mjetit lundrues duhet të paraqitet në zyrën e Policisë Kufitare përgjegjëse për teritorin, në të cilën do të paraqesë këto dokumente:
Kërkesë për regjistrimin e mjetit lundrues e cila duhet të kryhet brenda pesë ditëve nga marrja e lejes së lundrimit në Kapitenerinë e Portit, kërkesë në të cilën duhet të përcaktojë qëllimin e përdorimit të mjetit, i cili duhet të përputhet me atë të shënuar në dokumentin e lëshuar nga Regjistri Detar Shqiptar;
Kërkesës duhet t'i bashkëlidhen dokumentet e mëposhtme:
leja e lundrimit;
b) dëshmia e aftësisë së pronarit ose të bashkëpronarëve ose të personit tjetër të mundshëm;
c) autorizimi i mundshëm me shkrim, i përkohshëm ose i përhershëm, i vërtetuar nga noteri, me anë të të cilit pronari ose bashkëpronarët autorizojnë një person tjetër të drejtojë mjetin lundrues;
ç) deklarata me shkrim e vendbazimit të përhershëm të mjetit lundrues;
d) dëshmia e penalitetit të pronarit ose të bashkëpronarëve, si dhe të drejtuesit të mjetit.
Brenda pesë ditëve nga kryerja e regjistrimit, zyra e policisë kufitare u lëshon pronarit ose bashkëpronarëve çertifikatën e përdorimit të mjetit lundrues (modelin e së cilës do ta gjeni bashkëlidhur këtij materiali), në të cilën janë përcaktuar: gjeneralitetet e plota të pronarit, të bashkëpronarëve e të drejtuesit të autorizuar, numri i matrikullimit  dhe emri i mjetit lundrues, tipi dhe kapaciteti mbajtës, numri i personave që mund të transportohen, vendbazimi i përhershëm dhe qëllimi i përdorimit të mjetit lundrues.
Gjatë lundrimit gjithmonë duhet të gjenden në bordin e mjetit lundrues: leja e lundrimit, Çertifikata e përdorimit, dokumenti i vlefshëm identifikues dhe dëshmia e aftësisë.
  • Respektimi i normave të lundrimit
Mjetet lundruese duhet të respektojnë rregullat e regjimit të lundrimit në det, në liqene e në lumenj, duke përfshirë edhe normat që lidhen me pajisjet e shpëtimit, me sinjalet ndriçuese për lundrimin natën, si dhe me pajisjen me radio ndërlidhjeje, të sintonizuar në frekuencat e ndihmës detare.
  • Detyrimet për mjetet lundruese të matrikulluara jashtë shtetit
Shtetasi shqiptar, me shtetësi të huaj ose pa shtetësi, pronar, mbajtës ose zotërues i mjeteve lundruese që nuk janë matrikulluar në Shqipëri, përveç detyrimeve të caktuara doganore, duhet të deklarojë me shkrim, në çastin e mbërritjes në port, praninë e tyre dhe arsyen e ardhjes, si dhe kohën e qëndrimit në ujërat territoriale shqiptare.  Kjo deklaratë i paraqitet kapitenerisë së portit ose zyrave që varen prej saj dhe që ndodhen pranë liqeneve e lumenjve, si dhe zyrës së policës kufitare, përgjegjëse për territorin.
Nëse këto mjete qëndrojnë në ujërat territoriale shqiptare pa u ankoruar në port, deklarata u dërgohet zyrave, të përmendura në pikën e mësipërme, në çastin e hyrjes në ujërat territoriale shqiptare dhe mund të dërgohet edhe duke përdorur radion e anijes.

  • Detyrimet për qëndrimin në R.Sh të mjeteve lundruese të matrikulluara jashtë shtetit
Përveç sa është parashikuar në pikat e mësipërme dhe detyrimeve të tjera ndaj kapitenerisë së portit, që rrjedhin nga legjislacioni për lundrimin, për pronarët, mbajtësit ose zotëruesit e mjeteve lundruese, të matrikulluara jashtë shtetit, të cilët duan të qëndrojnë në ujërat territoriale shqiptare për një periudhë më të gjatë se shtatë ditë ose duan të zhvillojnë një veprimtari të qëndrueshme në Shqipëri, i nënshtrohen detyrimit të regjistrimit, të parashikuar në nenin 7.
Për regjistrimin duhet të paraqiten dokumentet e lundrimit, të lëshuara nga autoritetet e huaja, pranë të cilave është bërë matrikullimi.
Dëshmia e penalitetit duhet të paraqitet në rastin kur mendohet të zhvillohet në Shqipëri një veprimtari e qëndrueshme.
  • Detyrimet për planet e lundrimit
Kur plani i lundrimit parashikon tejkalimin e dy miljeve larg bregut, ose të 0,2 miljeve për Kanalin e Korfuzit, pronari ose personi i autorizuar për drejtimin e mjetit duhet të bëjë një deklaratë me shkrim, të paktën 6 orë para çdo veprimi për zhvendosje, në zyrën e policisë kufitare dhe të kapitenerisë së portit, të vendit të nisjes, të cilat i lëshojnë një kopje të vërtetuar të deklaratës.
Detyrimi i parashikuar në pikën 1, qëndron edhe kur plani i lundrimit parashikon kalimin e vijës kufitare shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
  • Detyrime për fabrikat dhe kantieret detare:
Fabrikat dhe kantieret detare, që ndërtojnë, ristrukturojnë, riparojnë ose përfitojnë me çfarëdolloj titulli mjete lundruese, objekte të këtij ligji, mbajnë një regjistër me fletë të numëruara, të vulosura e të firmosura nga drejtuesi i zyrës së policisë kufitare, përgjegjëse për territorin.
Në regjistër duhet të shënohen, në mënyrë kronologjike e pa mbishkrime të palexueshme ose fshirje, të dhënat që kanë të bëjnë me çdo prodhim, ristrukturim e riparim: modeli, numri i matrikullës së prodhimit dhe emri i mjetit, gjeneralitetet e plota të blerësit të pronarit, të bashkëpronarëve ose të ceduesit dhe atij që e ka transportuar mjetin lundrues, si dhe mënyra e pagesës.
Përgjegjësi i fabrikës dhe i kantierit detar është i detyruar ta paraqesë regjistrin, për qëllime kontrolli, sa herë që i kërkohet nga autoritetet policore.

  1. Çertifikata e përdorimit të mjetit lundrues;
  2. Procesverbal për vendosjen e gjobës;
  3. Procesverbal për bllokimin administrativ të mjetit lundrues;
  4. Procesverbal për sekuestrimin e mjetit lundrues;
  5. Procesverbal për dorzimin e mjetit lundrues në pikën e bllokimit;
  6. Procesverbal për rikthimin e mjetit lundrues;
  7. Deklaratë për daljen në lundrim;
  8. Procesverbal për mbylljen e përkohëshme të fabrikës. 
http://www.asp.gov.al/index.php?option=com_content&view=article&id=4203%3Amjetet-lundruese&catid=38%3Asherbime-per-qytetaret&lang=sq

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate