04 aprile 2014

"Kisha 700-vjeçare e Shën Ristozit rrezikon shembjen"




"Kisha 700-vjeçare e Shën Ristozit rrezikon shembjen"
04 Prill 2014 - 09:11
KORCE - Kisha e Shën Ristozit në fshatin Mborje të Korçës, e konsideruar si më e rralla në Ballkan, rrezikon të shembet. Alarmi jepet nga ish-drejtori i Monumenteve të Kulturës në Korçë, Vasillaq Kolevica. Sipas tij, muret e kishës janë çarë, janë dëmtuar edhe afresket murale, ndërsa tamburi i kishës është dëmtuar. Por pavarësisht kësaj, kisha në fjalë është lënë jashtë vëmendjes së institucioneve përgjegjëse që kanë për detyrë mbrojtjen e trashëgimisë. Në një intervistë për "Gazetën Shqiptare", Kolevica thotë se ka dërguar disa herë projekte në Ministrinë e Kulturës për restaurimin e plotë të kishës që daton prej shekullit të XIV, por mungesa e fondeve ka bërë që ajo të restaurohet vetëm në mënyrë të pjesshme. Ai gjithashtu i bën apel Drejtorisë së Monumenteve për ndërhyrje emergjente, pasi Kisha e Shën Ristozit është një objekt me rëndësi të madhe historike dhe kulturore. Në qarkun e Korçës numërohen dhjetëra kisha të shekujve XIV-XVII, që janë konsideruar si mjaft të rëndësishme jo vetëm për vlerat historike, por edhe për anën arkitektonike të tyre, të cilat kanë nevojë emergjente për ndërhyrje.
Z.Kolevica si është gjendja aktuale e Kishës së Shën Ristozit?
Katër muaj më parë, me një grup ekspertësh të fushës të arkitekturës dhe inxhinierisë kemi vizituar Kishën e Shën Ristozit dhe kemi bërë një ekzaminim. Kisha, që konsiderohet si një ndër kishat më të vjetra në Shqipëri, është një monument kulture i kategorisë së parë dhe gjithashtu, është ndër më të rrallat dhe më të vjetrat në Ballkan. Gjatë këtij inspektimi na ka rezultuar se kisha është në rrezik shembjeje dhe po jap alarmin "SOS". Sot pas katër muajsh, kur unë e kam bërë disa herë problem në Ministrinë e Kulturës, marr guximin dhe e deklaroj se kisha do bjerë dhe duhet vënë dorë sa më parë që të shpëtohet ky thesar i kulturës sonë kombëtare.
Deri pak muaj më parë ju keni qenë kreu i Monumenteve në Korçë. Keni bërë ndonjë përpjekje për restaurimin e Kishës së Shën Ristozit?
Sigurisht që po. Atëherë kam punuar dhe kam realizuar projektin e Kishës së Shën Ristozit, e kam dërguar dy herë në Ministrinë e Kulturës me shpresën se do të aprovohej dhe do të fillohej të ndërhyhej. Po shikoj që prej asaj ko-he dhe deri tani nuk është bërë asgjë për këtë ki-shë. Deri tani askush nuk është interesuar, ndërsa unë jam artist dhe më dhimbset arti, pasi kam 40 vjet që prodhoj art.
Pse nuk ka asnjë reagim deri tani?
Nuk e di çfarë problemesh ka pasur, ndoshta s'ka dhe lekë. Mendoj se shteti shqiptar nuk është në kushte aq të vështira sa të mos japë pak para për të ndërtuar këtë kishë. Unë me fuqinë time dhe pa asnjë para nga shteti shpëtova monumente të shumta një vit më parë, siç është Kisha e Tudasit. Nuk di ç'të them aktualisht. Kisha e Shën Ristozit kërkon rreth 20 milionë lekë të vjetra që të mos dëmtohet më tepër se ç'është dëmtuar, pasi në të kundërt shumë shpejt do të bjerë.
Cilat janë dëmtimet aktuale të kishës?
Dëmtimet janë të dukshme. I gjithë tamburi ka shkuar në një anë dhe kisha do bjerë. Ka çarje të mureve të brendshme si dhe dëmtimin e pikturave murale. Pllakat e gurit që mbulojnë çatinë lejojnë penetrimin e ujërave të shiut të rrjedhin në brendësi dhe të dëmtojnë më së shumti atë. Kur unë erdha si drejtor i Monumenteve, çatia e kishës pikonte. Ndërhyra në mënyrë emergjente dhe i ndërrova çatinë dhe po ta shikoni, i kemi vënë disa hekura që të mbahet. Është në gjendje skandaloze. Edhe me sy të lirë mund të dallosh qartë dëmtimet e saj, që rrezikojnë seriozisht edhe strukturat mbajtëse.
Ç'vlera ka Kisha e Shën Ristozit?
Kisha e Shën Ristozit është një objekt kulti i ndërtuar herët në Ballkan dhe daton në shek e XIV. Afresket e saj janë realizuar nga piktorë anonimë. Ajo është mjaft e veçantë nisur nga vlerat arkitektonike dhe kulturore. Për më tepër është një vend shumë i vizituar, krahas turistëve, 40 ditë pas Pashke, besimtarët ortodoksë vizitojnë masivisht këtë kishë.
Cili është apeli juaj?
I bëj apel Ministrisë së Kulturës të reagojë dhe të ndërhyjë sa më parë, pasi po humbasim një ndër vlerat më të rëndësishme kulturore dhe historike në Shqipëri.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) http://www.balkanweb.com/kultur%C3%AB/2691/kisha-700-vjecare-e-shen-ristozit-rrezikon-shembjen-181089.html

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate