01 settembre 2013

Skandal, gërmime klandestine në zonën arkeologjike Gurëzezë

Skandal, gërmime klandestine në zonën arkeologjike GurëzezëFIER -31 Gusht 2013 - 08:01
NGA: XHEMIL BEHARAJ
Skandal, zonat arkeologjike të Fierit bien pre e trafikantëve. Që prej disa javësh, në zonën e Gurëzezës në Komunën e Cakranit janë kryer gërmime arkeologjike klandestine nga persona ende të paidentifikuar, as prej policisë dhe as edhe prej punonjësve të arkeologjisë. Burime të sigurta bëjnë me dije se nga gërmimet e kryera është gjetur një kokë guri afro 25 cm e gjatë, një krah prej guri dhe disa monedha bronzi e bakri. 

Sipas këtyre burimeve, objektet e gjetura fotografohen në disa pozicione. Më pas fotot hidhen në CD dhe u dërgohen me e-mail një specialisteje të arkeologjisë në Maqedoni dhe një specialisti të po kësaj fushe në Kosovë. Më pas nëpërmjet skypi-t, këta të fundit komunikojnë në lidhje me vlerën e objekteve arkeologjike dhe çmimin se sa mund të shiten ato. Pohohet se dy specialistët gjejnë klientelë në vende të ndryshme të Europës, kryesisht në Itali dhe Greqi, dhe shesin objektet e ndryshme arkeologjike. Personat që kanë kryer gërmime klandestine në Gurëzezë janë parë në Fier kur kanë hedhur fotot dhe kanë biseduar në qendra interneti me skype me personat në Kosovë e Maqedoni, por për shkak të rrezikshmërisë nuk është bërë denoncim në polici. Të pyetur në lidhje me gërmimet klandestine dhe shitjen e objekteve që gjenden në zonat arkeologjike, specialistë të kësaj fushe në Fier, pohojnë se kjo tashmë është kthyer në fenomen. 

"Nuk e dimë se çfarë vlerash arkeologjike kanë objektet e gjetura në Gurëzezë. Duhet që t'i shikosh nga afër që të bësh vlerësimin e tyre. E rëndësishme është se të gjitha objektet që gjenden në këto zona kanë vlera kulturore që lidhen me historinë, trashëgiminë dhe kulturën e trevës", shprehen arkeologët. Ndërkohë, drejtori i Parkut Arkeologjik të Bylisit, arkeologu Bashkim Vreka pohon se gërmimet klandestine në Fier kanë nisur që pas vitit 1992. Sipas tij, ka pasur tentativa në Gurëzezë, Nikaia, Apoloni, por janë konstatuar dhe janë parandaluar. 

Zoti Vreka, çfarë mund të na thoni për gërmimet klandestine në zona apo parqe arkeologjike të qarkut Fier? Ato tashmë janë kthyer në një fenomen. Ky fenomen është vënë re, por është tjetër gjë se sa shikohen, sa konstatohen dhe sa raportohen dhe çfarë masash merren. Problemi qëndron në kontrollin e territorit. Në qoftë se para viteve 1990 kishte grupe pune që kryenin kontrolle, tashmë nuk ka. 
A ka Fieri drejtori nga të varen parqet arkeologjike dhe pikat apo qytezat arkeologjike? Jo, asnjëherë nuk ka pasur, edhe pse është qarku më i pasur me vlera arkeologjike në vend. Para 7 apo 8 vjetësh, me vendim të Ministrisë së Kulturës u hoqën edhe kujdestarët që merreshin me këtë punë, pra me konstatime në terren. Është bërë krim, gabim skandaloz. Heqja e tyre ka sjellë pasoja. Ka shumë qendra që janë jashtë kontrollit. 
Cilat janë vendet arkeologjike që janë pa kontroll? Përjashto parqet arkeologjike të Apolonisë dhe Bylisit, të tjerat kanë rënë pre e gërmuesve klandestinë. Të tilla mund të përmend: qyteti ilir në Gurëzezë, Margëlliçi, Nikaia, Bazilika e Ballshit, diga e Krapsit, prita e Patosit dhe qendra të fortifikuara si Belishova, Cfiri etj. 
Cilat kanë rënë pre e gërmimeve klandestine? Më parë ka rënë pre Akropoli i Apolonisë, por u konstatua dhe u kap në kohë si problem, pasi është i shkëputur disi nga Apolonia. Ka pasur tentativa në Nikaia, por për qendrat e tjera s'kemi informacion. Territoret kanë dalë jashtë kontrollit. 
A është ngritur si shqetësim më lart? Vazhdimisht ngrihet ky shqetësim, pasi ministria merr informacion për dëmet e shkaktuara. Nuk është gjetur zgjidhje. Gjendja është kjo, që territori është jashtë kontrollit. Formalisht varen nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës. Do gjetur një mënyrë që t'i kontrollojë. Fieri asnjëherë nuk ka pasur drejtori. Kur ka sinjalizime, njoftohet policia, por kur s'ka informacion, s'ka se çfarë bëhet. 
Çfarë dëmesh sjell gërmimi klandestin? Gërmohet pa kriter nga persona që s'kanë njohuri. Ata mund të gërmojnë në varre, dëmtojnë, prishin, shesin gjëra me vlera për një copë bukë, pasi ata nuk ua dinë vlerat. Pushteti lokal duhet të marrë situatën në dorë. 
Konkretisht, çfarë duhet të bëjë pushteti lokal? Qeveria të rekomandojë pushtetin lokal që të caktojë një njeri të zonës apo aty pranë. Po të bëhet kjo, nuk do ketë dëmtim. Nuk mund të shkojë një njeri që s'njeh vendin e të gërmojë. Pse kur gjenden dhjetë rrënjë hashash në tokë pronësi të komunës merren masa ndaj kryekomunarëve dhe në raste të tilla nuk merret?! Mos kanë më shumë vlerë dhjetë rrënjë hashash para vlerave kulturore e arkeologjike që ka nëntoka jonë e sidomos nëntoka e qarkut Fier?! Kryekomunari të mbajë përgjegjësi për dëmet që janë shkaktuar në territorin e tij, pasi ai përgjigjet për këtë territor.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate