20 settembre 2013

Akademiku Emin Riza shprehet per Trashigimine e çfarë kemi ruajtur prej saj....

Emin Riza: Trashëgimia, çfarë kemi ruajtur prej sajTIRANE-20 Shtator 2013 - 14:17
Akademiku Emin Riza, me përgjegjësinë e një studiuesi të përvojës boton kohët e fundit librin e tij të 16-të me titull "Arkitektura Popullore dhe Vlerësimi i saj". Kjo kolanë e specializuar është pasqyrë dinjitoze e një veprimtarie mëse 50-vjeçare të Emin Rizës në fushën e Trashëgimisë Kulturore, në përgjithësi dhe asaj të Arkitekturës Popullore në veçanti. Jeta ka treguar se nuk mjafton identifikimi i vlerave intelektuale njerëzore, vetëm me veprimtarinë rutinë profesionale. 

Studimi dhe botimi i arritjeve profesionale në çdo fushë të jetës, përveçse lartësojnë identitetin njerëzor, ato i shërbejnë aspektit patriotik dhe evidentimit të merituar të vlerave të Kulturës Kombëtare. Dhe pikërisht specialistëve të Trashëgimisë Kulturore, ju takon një vend i veçantë në identifikimin e Vlerave Shekullore Kombëtare. Me këtë ndjenjë përgjegjësie morale e ka konsideruar Emin Riza botimin e këtyre vlerave që ai ka pasur fatin të trajtojë gjatë 50-vjetëve si pjesëtar i stafit kërkimor të fushës së Trashëgimisë Kulturore. Kjo sigurisht edhe për arsyen e fuqishme të origjinës së tij familjare, me frymë atdhedashurie dhe jetuar mes librash. Për t'u admiruar zelli i Emin Rizës, për të hedhur në botime mundësisht sa më shumë vlera të kulturës shqiptare. Me njohjet e thella në fushën e Arkitekturës Popullore Shqiptare, me aktivitetin e tij në gjurmimin, identifikimin dhe restaurimin e banesës popullore, si dhe me botimet e shumta në këtë fushë,akademiku Riza padyshim mbetet një nga figurat kryesore në rajonin e Ballkanit për studimin e Arkitekturës Popullore. Ne kolegët e tij e kemi konstatuar këtë vlerësim gjatë shumë Simpoziumeve Ndërkombëtare të zhvilluara në vende të ndryshme të Ballkanit si në Stamboll, Sofje, Shkup, Selanik e Veria të Greqisë, në Prishtinë dhe më gjerë në Romë, Maltë dhe Mineapolis. Së fundi Emin Riza ka një kontribut të ndjeshëm dhe në botimin e vlerave të banesës popullore në Kosovë. Botimi sa më parë i vlerave kombëtare shqiptare është padyshim një detyrim kombëtar dhe patriotik. Kjo për arsyen e njohur të degradimit në kohë të objekteve kulturore për shkaqe të ndryshme objektive apo subjektive. 

Origjina shekullore e monumenteve kulturore është pasuar me degradimin dora-dorës të këtyre vlerave të pakthyeshme dokumentare. Ky fakt e vlerëson akoma më tepër botimin e kësaj monografie të Emin Rizës me titullin "Arkitektura Popullore dhe Vlerësimi i saj". Autori i mono-grafisë e promovon këtë punim pas një pune 50-vjeçare në terren dhe në studio për gjurmimin, përzgjedhjen, dokumentimin, restaurimin, mbrojtjen dhe botimin e subjekteve përbërës të temës së arkitekturës popullore siç janë qendrat historike, komplekset urbane, banesat popullore si vepra ndërtimore, arkitektonike dhe artistike me vlera të mirëfillta të dokumentit historik. Autori ka meritën se në monografinë e tij banesën popullore e trajton dhe si produkt i kushteve politiko-sociale dhe ekonomiko-demografike. Tashmë Shqipëria përfaqësohet në Listën e Pasurive Kulturore Botërore Të Unesko-s me dy qytete - Muze, Beratin dhe Gjirokastrën për shpalljen e të cilave akademiku Riza ka meritën esenciale. Monografia e sapo botuar e Emin Rizës, e përmbledhur në 180 faqe, përmban gjashtë kapituj të ilustruar me skicat dhe fotot e nevojshme bashkëpërbërëse të veprës. 

Kapitulli i parë, shqyrton arkitekturën popullore, si njësi e veçantë ndërtimore, në planin e dokumentit historik dhe kulturor, faktorët që përcaktojnë karakterin e kësaj kategorie ndërtimore dhe lidhjet me gjinitë e tjera ndërtimore në hapësirën ballkanike. Ky kapitull, qartazi shfaqet si ndër më esencialët e monografisë. Këtu arkitektura popullore me banesën, si më përfaqësuese është trajtuar si fenomen historik. Kështu, arkitektura popullore shfaqet si burim historik dhe si element që e dëshmon atë. Synimi i autorit ka qenë dhe mbetet ai se në ç'mënyrë i shërbejnë historisë së kombit studimet e kësaj fushe. Me rëndësi, në këtë kapitull, është dhe nënkapitulli "Banesa jonë në hapësirën ballkanike", aspekt që do të meritonte mbase një monografi të veçantë, mendim që ja kam uruar gjithmonë autorit për ta realizuar me bindjen e plotë se ai mund ta përmbushë, duke qenë një nga njohësit më me përvojë të fushës në Rajon. 

Kapitulli i dytë përfaqëson, do të mendoja, aspektin më delikat të fushës së arkitekturës popullore. Vënia në mbrojtje ligjore, dhe shpallja Monument Kulture e objekteve të kësaj fushe presupozon një njohje të gjerë territoriale dhe vlerësuese të objekteve. Mbi bazën njohëse dhe mbështetur në akumulimin gjithëpërfshirës të vlerave dhe tipareve, autori dhe kolegët e tij kanë hartuar listën e banesave Monument Kulture në trojet tona, rezultat i një pune të mirëfilltë shkencore përzgjedhëse, e cila pa diskutim mund të kryhet vetëm nga studiues të kualifikuar dhe njohës të thellë të fushës siç është autori i kësaj monografie dhe njëherazi edhe kolegë të tij, me përvojë të gjatë në veprimtarinë me monumentet. Në këtë kontekst, dokumentimi i objekteve të arkitekturës popullore, hedh dhe arkivon në letër, vlerat tekniko-historike të objekteve të seleksionuara për vënien në Mbrojtje Ligjore. Veç të tjerave, dokumentimi i objekteve në mbrojtje evidenton dhe vlera të zhdukura nga koha, apo që rrezikojnë degradimin në të ardhmen. 

Në kapitullin e tretë, përshkruhet studimi teknik i shembjeve të vlerësuar dhe përzgjedhur të banesës popullore. Autori i monografisë, Emin Riza, si një specialist që prej fillimeve të studimit të banesës sonë popullore, në mënyrë të saktë, metodike, karakterizon fazat e studimit teknik të banesës. Përvoja e gjatë dhe bashkërendimi i mendimeve me kolegët e huaj, ka kristalizuar konceptet bazë të autorit mbi kriteret e studimit të arkitekturës popullore. 

Emin Riza, aktivitetin gjurmues, njohës dhe studiues të banesës popullore e ka vënë plotësisht në funksion të mbrojtjes dhe restaurimit të banesave - Monument Kulture. Këtë aspekt, autori e shpreh me kompetencë në kapitullin e IV-te të monografisë së tij. Ai, me një praktikë shumë vjeçare, idetë e veta mbi restaurimin i ka paraqitur në disa botime të tij mbi këtë temë. 

Veprimtaritë e gjera vlerësuese, kryesisht në gjininë e banesës popullore e shfaqin atë si një njohës të thellë të Kartave Ndërkombëtare të restaurimit, dhe njëherazi, zbatues dhe respektues të përhershëm të parimeve dhe kritikeve të restaurimit. 

Autori ka meritën e restaurimit të shumë vlerave të arkitekturës sonë popullore në Gjirokastër, Berat, Korçë, Shkodër, Tiranë, etj. 
Në kapitullin V, Emin Riza si një studiues i afirmuar, shtjellon kriteret mbi botimet për arkitekturën popullore. Këtu ai sugjeron se si mund të botohen këto vlera, duke respektuar botimet paraardhëse, bazë sidomos për objektet e zhdukura, kompozimi, apo teknike të ndërtimit, kur ato ruanin vlera tipologjike në kompozim, element arkitekturorë, apo teknika të ndërtimit. Në konsiderimin tërësor të botimit, zoti Riza rekomandon veç tekstit të shkruar, edhe pjesën ilustrative, si skicat, fotot, etj. Autori vlerëson gjithashtu dhe burimet gojore, si një burim i nevojshëm, për historikun e objekteve që përfshihen në pasurinë e trashëgimisë ndërtimore. 

Në kapitullin e VI, autori trajton arkitekturën popullore në kulturën shqiptare. Në këtë kapitull shprehen pikëpamjet e autorit mbi disa aspekte të funksionimit dhe integrimit të banesës popullore në kontekstin aktual, si trajtimi i ambienteve qëndrimi ndaj monumenteve të zhdukura, problemet e vizitshmërisë dhe turizmit, etj. Gjithashtu këtu përmenden ligjet mbi financimin e restaurimin, mbi mirëmbajtjen e monumenteve, mbi problemet e pronësisë, etj. Integrimi i monumenteve në aktualitetin konkret është një nga problemet qendrore të vetë qenies së këtyre objekteve shekullore. Së fundi, në mbylljen e monografisë, akademiku Emin Riza shpreh respektin ndaj botimeve të kolegëve, duke cituar plot 75 libra të autorëve që kanë botuar në fushën e arkitekturës popullore, çka tregon se për monografinë e tij ai ka konsultuar mjaft literaturë paraardhëse. 

Monografia "Arkitektura Popullore dhe Vlerësimi i saj", i akademik Emin Rizës, u shërben specialistëve të Trashëgimisë Kulturore, studentëve të historisë dhe inxhinierisë, si dhe më gjerë, publikut të interesuar për vlerat tona kombëtare. Ajo bashkë me botime të tjera për trashëgiminë, pasqyron vlerat tona, zhvillimet historike gjatë mesjetës, pjesë e së cilët janë dhe banesat popullore. Botimi i fundit Emin Rizës e konfirmon edhe me tej atë, si një nga botuesit më seriozë dhe më të kualifikuar në fushën e arkitekturës popullore, jo vetëm për vendin, por dhe më tej. I urojmë kolegut tonë punime të tjera të rëndësishme, që ti shërbejnë akoma më tepër njohjes së vlerave tona ndërtimore kombëtare, dokumente autentikë të veprimtarisë mbarëshekullore të etnosit tonë autokton. 


(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate