22 giugno 2013

UNESCO vë alarmin për Gjirokastrën dhe Beratin... 06/2013

Raporti i fundit i UNESCO-s për Beratin dhe Gjirokastrën, kritika të rënda për autoritetet përgjegjëse shqiptare. Kërkohen ndryshime në ligjin “Për trashëgiminë kulturore” në Shqipëri dhe kujdes në dhënien e lejeve të ndërtimit. 244 ndërtime pa leje në Gjirokastër dhe 38 të tilla në Berat
gjirokaster22 Qershor 2013
UNESCO ka vënë alarmin mbi gjendjen aktuale në të cilën ndodhen dy qytetet historike shqiptare që janë pjesë e saj, Berati dhe Gjirokastra. Në raportin e fundit të bërë publik nga Qendra e Trashëgimisë Botërore, kërkohen ndërhyrje urgjente në legjislacionin shqiptar për sa i përket ligjit “Për trashëgiminë kulturore” apo ligjit për pronat. Ndërtimet pa leje janë parë si tepër të rrezikshme për të ardhmen e dy qyteteve që janë monument kulturore nën ombrellën e UNESCO-s. Instituti i Monumenteve të Kulturës bëhet përgjegjës për mosndërhyrjen në dhënien e lejeve të ndërtimit pa kriter, ndërsa specialistët shqiptarë janë parë si të paspecializuar për të bërë ndërhyrjet e duhura në trashëgiminë kulturore. “Për Gjirokastrën pala shqiptare ofroi një listë me 244 ndërtime pa leje, nga të cilat 68 ishin krejtësisht të reja. Shteti shqiptar ka informuar se është ngritur një komitet i përbërë nga specialistë për shqyrtimin e të gjitha ndërtimeve të paligjshme, autoritetet kanë hartuar dhe një plan për të trajtuar këto ndërtime, por deri tani asgjë nuk është zbatuar. Ndërtimet pa leje, në mënyrë të konsiderueshme kanë degraduar imazhin e rrugëve dhe pengojnë lëvizjet kryesore në rrjetin rrugor. Misioni ynë i vëzhguesve në Gjirokastër ka identifikuar një numër të madh rastesh të tilla kritike”, thuhet në raportin e UNESCO-s. Në Berat, ky raport identifikon një listë prej 38 ndërtimesh të reja të aprovuar, bashkë me një listë të re ndërtimesh që duhet të aprovohet për tre vitet e ardhshme. Një problem të cilin UNESCO e quan shqetësues për dy qytetet është identifikimi i pronave. “Në pjesën më të madhe të rasteve, pronarëve u mungojnë dokumentet e pronësisë. Misioni i vëzhguesve vuri re se sistemi i përgjithshëm për kontrollimin e ndërtimeve pa leje nuk është adekuat. Shkak kryesor për këtë problem është mungesa e mbrojtjes ligjore. Ekziston një nevojë urgjente për të përmirësuar legjislacionet ligjore për procedurat e planifikimit. Ligji ekzistues për “Trashëgiminë kulturore” është i përgjithshëm dhe i pamjaftueshëm për mbrojtjen e duhur të këtyre dy qendrave historike. Nuk ka rregulla të hollësishme që mund të përdoreshin nga organet përkatëse, të cilat merren me trashëgiminë në nivel lokal dhe qendror, ndaj ndihet një pasiguri për projektet e reja që do të paraqiten për këto zona të mbrojtura”, thuhet në raport. Vëzhguesit kanë kërkuar që të mos vonohet zbatimi i “rregullores për Qendrën Historike të Beratit dhe zonën e tij buferike”, si dhe në të ardhmen një rregullore e ngjashme të hartohet për qendrën historike të Gjirokastrës. Ndërgjegjësimi i popullsisë që jeton në këto zona, është një tjetër problem i identifikuar nga UNESCO. “Shteti shqiptar ka raportuar se mbledhjet për trashëgiminë mbahen në Berat për të rritur ndërgjegjësimin e banorëve për sa i përket kësaj çështjeje. Por misioni vuri në dukje se është e nevojshme të motivohen qytetarët, të këshillohen për sa i përket hapësirës ku ata jetojnë”, thuhet në raport. Duke e quajtur Beratin dhe Gjirokastrën si një njësi të vetme, UNESCO kërkon të vendoset një strukturë e vetme gjithëpërfshirëse e menaxhimit. “Misioni sugjeroi që Instituti i Monumenteve të Kulturës të jetë organi përgjegjës për ruajtjen e të dy qyteteve si një njësi. Është rekomanduar gjithashtu që IMK-ja të jetë përgjegjëse për monitorimin e ndërtimeve pa leje, dhe të gjitha kërkesat për çdo ndërtim të ri në këto dy qendra historike. Misioni vuri re se mungesa e specialistëve të trajnuar ka ndikuar në menaxhimin e pasurive dhe se ka nevojë për rritjen e këtyre kapaciteteve, dhe një buxhet ekstra nga UNESCO”, thuhet në raport. Për Gjirokastrën, propozohet të shtohen fondet për numrin e objekteve që kanë nevojë restaurim. Për sa i përket rrezikut nga zjarri, në të dyja qytetet ai është ulur dukshëm vitet e fundit, por vihet theksi në bashkëpunimin që duhet të jetë për këtë problem mes bashkisë dhe prefekturës së qytetit. Në Gjirokastër janë të nevojshme dy-tre zjarrfikëse jo shumë të mëdha, në mënyrë që të depërtojnë lehtë në një situatë rreziku në rrugicat e ngushta të qytetit. Për sa u përket gërmimeve arkeologjike është raportuar se nuk ka pasur gërmime arkeologjike në kalanë e Gjirokastrës në këto pesë vitet e fundit, ndërsa në Berat vijojnë gërmimet në kala. Plani i turizmit, i ofruar nga Bashkia e Gjirokastrës, duket abstrakt për UNESCO-n. “Qeveria shqiptare nuk ka zhvilluar ende një plan afatmesëm për zhvillimin e turizmit në këtë qytet, por ajo ofron një plan abstrakt për zhvillimin e një strategjie për turizmin. Misioni vuri në dukje se ekziston një nevojë e përgjithshme për lidhjen e planeve të menaxhimit me strategjinë e turizmit”, thuhet në raport. Puna restauruese që ka nisur në kalanë e Beratit, ende nuk ka përfunduar, ndaj UNESCO kërkon një planifikim më të saktë për këto ndërhyrje. Në fund të raportit të saj të gjatë për Gjirokastrën dhe Beratin, UNESCO përdor fjalën “alarmuese” në raport për një nga çështjet që ajo e çuan më të ndjeshme, ndërtimet pa leje. “Qendra e Trashëgimisë Botërore dhe organet këshilluese e konsiderojnë alarmuese shkallën e ndërtimeve pa leje në Gjirokastër. Në Berat, shkalla e problemit është disi më e vogël, pasi janë zbatuar disa masa kundër dëmit të shkaktuar nga ndërtimet e paligjshme. Ata kanë vënë re se ndalimi i aktiviteteve të paligjshme është penguar nga mungesa e kuadrit ligjor, mungesa e një autoriteti të përgjithshëm për pronën të pajisur me një mandat përkatës, si dhe mungesa e vetëdijes në mesin e komunitetit lokal rreth statusit të trashëgimisë botërore, të cilët duhet të ndërgjegjësohen urgjentisht”, thuhet në raport. Një problem i evidentuar nga vëzhguesit e UNESCO-s është dhe mosgatishmëria e institucioneve përgjegjëse për të penguar ndërtimet pa leje, që cenojnë objektet e trashëgimisë kulturore. Çështja e pronës konsiderohet një çështje tepër e ndjeshme dhe kjo ka çuar në rritjen e rasteve abuzive me ndërtimet pa leje. Në raport u bëhet thirrje autoriteteve shqiptare të rregullojnë menjëherë legjislacionin për pronat, dhe të procedojnë menjëherë zbatimin e planit të veprimit rekomanduar nga raporti i misionit, para përfundimit të vitit 2014, për të shmangur shfaqjen e rreziqeve serioze, në mënyrë që këto dy qytete të hiqen nga lista e trashëgimisë botërore në rrezik.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate