30 maggio 2013

Fjala e Ministrit Visar Zhiti në përurirmin e linjës se çarterave Shqipëri-Hollandë per sezoni turistik 2013

E nderuar Znj.Andrea Gebbeken
Të nderuar të pranishëm
Eshtë një nder dhe një kënaqësi e veçantë të marr pjesë në këtë hapje zyrtare të linjës ajrore midis Tiranës dhe Amsterdamit.
Tashmë ndodhemi pikërisht në nisje të sezonit turistik të këtij viti, një sezon, i cili, duke u bazuar në shifrat dhe tendencën e këtyre viteve të fundit, pritet të sjellë përsëri një numër mjaft të madh vizitorësh në vendin tonë. Dhe pikërisht, iniciativa për vendosjen e një linje direkte fluturimesh midis Tiranës dhe Hollandës, në vigjilje të sezonit turistik, tregon për interesin e madh të vizitorëve të huaj ndaj pasurive, bukurisë dhe mikpritjes shqiptare.
Është gjithashtu një kënaqësi, të gjendem sot në këtë aeroport, i cili për disa vite tashmë ofron një shërbim mjaft cilësor ndaj udhëtarëve, shqiptarë dhe të huaj, si një portë e parë e mikpritjes në vendin tonë. Shpreh në këtë rast, konsideratën mjaft pozitive për punën e mrekullueshme të stafit të këtij aeroporti, i cili administron në mënyrë korrekte, një numër gjithnjë në rritje udhëtarësh, dhe vizitorësh. Nëpërmjet një mirëkuptimi të mirë midis nesh, vitin e kaluar u hap në këtë terminal, zyra e informacionit turistik, si një stacion i parë i informimit dhe promovimit të bukurive të Shqipërisë.
Zhvillimi i turizmit është një nga prioritetet absolute të qeverisë shqiptare, e cila gjatë viteve të fundit, ka finalizuar një sërë investimesh të rëndësishme, kryesisht në plotësimin e infrastrukturës kryesore drejt destinacioneve më të spikatura turistike, apo edhe në përmirësimin e shërbimeve sekondare. Tashmë vizitorët që vijnë në vendin tonë mund t’i qasen më shpejt një numri të madh plazhesh, destinacionesh malore apo monumentesh të trashegimisë sonë kulturore. Tashmë vizitorët mund të përfitojnë informacion të detajuar lidhur me zonat tërheqëse turistike, nëpërmjet një numri të konsiderueshëm pikash informacioni. Jo më larg se të premten, ne inaguruam pikën e informacionit turistik në terminalin e pasagjereve në Portin e Durrësit, dhe jemi duke punuar për hapjen e njësive të tilla në të gjitha pikat hyrëse të vizitorëve në vendin tonë.
Mbetet akoma shumë për të bërë, por ne jemi të përkushtuar dhe serioze në punën tonë, me qëllim fuqizimin e turizmit, si një nga sektorët kryesorë të ekonomisë në Shqipëri.
Kam besim të plotë se pas inagurimit të kësaj linje të re charteri midis Shqipërisë dhe Hollandës, të tjera linja ajrore do të fillojnë të operojnë në Shqipëri, një tregues i mirëfilltë i suksesit të punës së përbashkët, në kuadër të zhvillimit të potencialit turistik të vendit tonë.

Duke e mbyllur, dua tju uroj punë të mbarë dhe suksese!

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate