06 aprile 2013

Nese sot 6-04-2013 te bie rruga nga Gjirokastra mos hezito te maresh pjese ne Përurimin e monumentit të restauruar të Babametove në zonën historike të qytetit të Gjirokastrës

Restaurohet monumenti i Babametove
Përurimi i monumentit të restauruar të Babametove në zonën historike të qytetit të Gjirokastrës zhvillohet sot 6-04-2013, ora 12.00. Monumenti i kategorisë së parë të Babametove, u ndërtua më vitet 1885-’87 nga një baba me dy djemtë e tij, në mënyrë që secili të kishte nga një krah trekatësh me pamje nga oborri me puse. Muret e katit përdhe dhe të katit të parë janë të ndërtuara me gurë. Kati i dytë është realizuar me një strukturë druri më të lehtë, mënyra këto ndërtimi tipike të kohës së ndërtimit të kësaj shtëpie (1885/1887). Falë punimeve të fundit restauruese, kjo shtëpi monumentale e shekullit XIX, përfshin sërish në krahët e saj pamjen e papërsëritshme mbi Gjirokastër. Nëse dritaret tipike të ndërtesës tërheqin dritë dhe në mëngjeset më të mjegullta të qytetit të vjetër, dhomat e brendshme ruajnë intimitetin e diskutimeve dhe sekreteve familjare. Nëpërmjet hotelit, udhëtarit në këto anë i ofrohen hapësira të ngrohta dhe bujare, të cilat i shtojnë qëllimit origjinal të shtëpisë dhe një dimension tjetër pushimi, rehatie dhe mirëpritjeje. 
Po aty, artistët gjirokastritë mund të ekspozojnë punimet e tyre në dy dhomat e katit të dytë, dhe mund të organizohen seminare në një hapësirë të bollshme që dikur shërbente si magjiri. Punimet e mjeshtreve gjirokastrite që kanë bërë të mundur të pamundurën; ata kanë mundësuar ruajtjen e çdo materiali në formën autentike. Në restaurim janë përdorur materiale tradicionale dhe janë ushtruar teknika po ashtu tradicionale. Përurimi mbahet në Shtëpinë e Babametove, monumenti i kategorisë së parë. Punimet filluan në vitin 2012. Përpjekjet restauruese u ndërmorën nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij dhe partnerët e saj në Shqipëri si Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Zyra për Administrimin e Qendrës Historike të Gjirokastrës dhe Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Qytetit të Gjirokastrës (GCDO). Procesi i matjes, dokumentimit dhe zhvillimit të të gjithë projektit restaurues u krye gjatë viteve 2009-2011 dhe shërbeu si trajnim për arkitektë restauratorë të rinj shqiptarë. Investimi i realizuar ka shkuar 160.000 euro. Pjesa më e madhe u mundësua nga bashkëpunimi për zhvillim me Suedinë, si dhe një kontributi më i vogël nga Packard Humanities Institute, nëpërmjet GCDO. 
Valeria Dedaj

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate