01 aprile 2013

Kisha e Mesopotamit, specialistët italianë: Rrezikon të shembet mars/2013


27 Mars, 2013 | 12:44 pm
Raporti për ndërhyrjet në një nga monumentet e kulturës.
Prej 5 vitesh është e mbyllur për arsye sigurie, firma ndërtuese ka prishur kolonat mbajtëse.
E ndodhur në jug të Shqipërisë, në një kënd, ku vëmendja kryeqytetase nuk shkon, Kisha e Shën Nikollës në Mesopotam, në historinë e jetës së vet ka përballuar tërmete e cuname.  Një nga kishat më të veçanta, ku thuren larmi kulturash, besimesh, arkitekturash, është e mbyllur për gati 5 vjet. Ndërsa u jetoi gjithë fenomeneve natyrore, Kisha e Mesopotamit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku, duket se i është “nënshtruar” vetëm ndërhyrjes njerëzore. Për shkak të ndërhyrjeve të
Një nga bazorelievet që zbukurojnë muret e saj
gabuara, kjo kishë rrezikon të shembet. Ky fakt është thënë qartë nga specialistët italianë, të cilët kanë bërë studimin e gjendjes. Në raportin e hartuar prej prof. Luigia Binda nga Universiteti Politeknik i Milanos, arkitektja dr. Paola Condoleo, po nga Universiteti i Milanos dhe prof. Gianclaudio Macchiarella nga Universiteti i Venecias, thuhet se firma ndërtuese ka bërë ndërhyrje të gabuara, duke shembur disa struktura mbajtëse të ndërtesës. Bëhet fjalë për “ato që mbanin murin në jug të kishës, pilastrin kryesor që mbante murin mbi kolonat në narteksin e brendshëm apo kolonat e tjera që mbajnë gjithë peshën e rëndë të katër kupolave”. Sipas prof. Macchiarella “kisha rrezikon të shembet”, kjo edhe për shkak të veprimtarisë aktive sizmike në këtë zonë. Ndërhyrjet restauruese në këtë kishë janë bërë nga firma “Gener Red Lushnjë”, drejtuar nga arkitekti Reshat Gega, të cilit një vit më parë i është hequr edhe licenca e aktivitetit.
Prof. Luigia Binda në kishën e Mesopotamit. Pas saj, një nga kolonat, tashmë e shembur pjesërisht nga firma ndërtuese
Problemi
Shqetësimi për gjendjen e kishës së Shën Nikollës në Mesopotam është shtruar së fundmi nga deputeti i Partisë Socialiste, Auron Tare. Në një përballje të para pak kohëve me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, në Komisionin parlamentar të Mediave, Tare u shpreh se Kisha e Mesopotamit ka 5 vjet që është mbyllur. “Ju si Ministri keni financuar një ndërhyrje në Kishën e Mesopotamit, për të cilën ekspertja më e mirë në botë nga Universiteti i Milanos po thotë: ‘do të rrëzohet’”. Për të vërtetuar këtë fakt, Tare vë në dispozicion një informacion të dërguar nga prof. Gianclaudio Macchiarella nga Universiteti i Venecias, ku ndër të tjera shprehet se rreziku i shembjes është potencial. Sipas tij, përveç studimeve të bëra nga ekspertët italianë, firma ndërtuese nuk ka bërë asnjë lloj ekspertize për të mbështetur ndërhyrjen e saj. Sa më sipër u verifikuan gjatë një inspektimi të bërë në dhjetor të vitit 2010, pas një shqyrtimi të bërë nga një grup i përbashkët i IMK-së dhe universiteteve të Milanos dhe Venecias, kryesuar nga Apollon Baçe dhe prof. Machiarela. Sipas këtij të fundit, në lidhje me këtë problem është vënë në dijeni edhe ministri i Kulturës nga drejtori i IMK-së, Apollon Baçe. Megjithatë, prej daljes së këtij raporti, deri më sot ende nuk është bërë asgjë dhe Kisha e Mesopotamit vazhdon të jetë e mbyllur dhe në rrezik shembjeje.
Prof. Gianclaudio Macchiarella
Letra
“Shqetësimi për Mesopotamin nuk është vetëm për dy kupolat, por për gjithë ndërtesën, pasi që prej dhjetorit të vitit 2010 disa struktura mbajtëse janë shkatërruar ose janë lëvizur. Të gjitha këto struktura mbajtëse janë historikisht rezultat i një restaurimi tërësor të Kishës së vjetër të Shën Nikollës, bërë pas tërmetit të tmerrshëm të vitit 1743, i cili, sipas arkeogjeologëve tanë, ishte një cunam, që përfshiu një hapësirë të gjerë në Adriatik. Pavarësisht vendosjes së shufrave të hekurit, përforcuese, por të oksidueshme, rreth kupolës dhe përgjatë mureve anësore të kishës dhe përdorimit të portaleve të hekurta, për të zëvendësuar pilastrat e shembura (sipas Reshat Gegës, të përkohshme, por askush nuk e di se për sa kohë ky mekanizëm i përkohshëm joestetik do të zgjasë), kërcënimi nga një shembje e mundshme e kishës është i lartë, sidomos për shkak të aktivitetit sizmik, i cili është një kërcënim i vazhdueshëm për zonën. Përveç matjeve të rregullta të bëra nga ekspertët e Universitetit Politeknik të Milanos, me sensorë specialë të vendosur në 38 anë të ndryshme të kishës, përgjatë 18 muajve të vëzhgimit (dhjetor 2007-qershor 2009), asnjë ekspertizë tjetër paraprake e monumentit nuk është bërë përpara fillimit të restaurimit. Me pak fjalë, Reshati nuk mund të paraqesë asnjë studim shkencor apo përllogaritje për të mbështetur propozimin e tij, ishte thjesht çështje e eksperiencës së tij “praktike”, aftësisë apo “intuitës””.
ALMA MILE

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate