21 settembre 2012

"Shqipëria e vjetër" në Bruksel po ekspozohen per 4 dite - 50 harta - 50 libra mbi shqiperine



”Shqipëria e vjetër” në Bruksel
20/09/2012 19:55

Përreth katër ditë, në ambientet e Parlamentit Europian në Bruksel u ekspozuan 50 harta dhe 50 libra mbi Shqipërinë. Me rastin e 100-vjetorit, ekspozita “Kontakte euro-shqiptare” synoi ndërgjegjësimin, në zemër të Europës, jo vetëm për vendndodhjen, por edhe për lashtësinë e vendit.

Nga Brukseli, korrespondetja e “Top-Channel”, Arta Tozaj, arriti të grumbullonte vlerësimet më të mira të vizitorëve dhe përvojën e organizatorëve, gjatë kësaj “ekspozite tepër të suksesshme” sipas tyre.

Artan Shkreli, bashkënismëtar i ekspozitës
"Këto janë hartat e Ptolemeut, shekulli i dytë i erës tone, ku pjesa e Shqipërisë shtrihet nga Dalmacia jugore dhe zë gjithë pjesën e Maqedonisë perëndimore dhe të Epirit të veriut e të jugut. Këtu për herë të parë shfaqet emri i fisit ilir Albani dhe Albanopolis si kryeqyteti i këtij fisi. Emër që më vonë përhapet derisa më kalimin e kohës të quhet Albania. Gjithashtu kemi një hartë të shekullit të 18. Është e bërë nga Lapie, që është një kartograf francez, hartë e vitit 1843, ku në mënyrë evidente del Çamëria si një krahinë shumë e qartë, e shkruar dhe saktë me ortografinë e kohës. Gjeografët kanë evidentuar krahinën e Camërisë brenda Shqipërisë, një zonë e cila nganjëherë tejkalon edhe Gjirin e Artës, pra nuk mbaron në Prevezë por ndonjëherë shkon edhe tutje Prevezës".

Artan Lame, bashkënismëtar i ekspozitës
"Koncepti për zgjedhjen e librave ishte që të gjejmë atë ç'ka kanë thënë të huajt, europianët për Shqipërinë: kujtime, guida turistike, shënime udhëtarësh, memorje apo studime historike për Shqipërinë. Mjafton të kujtoj përshembull "Guide d'Albanie", që është guida e parë turistike e Shqipërisë, e vitit 1930. Lajtmotivi i kësaj ekspozite: kontaktet e Europës me Shqipërinë dhe trokitja jonë tashmë në dyert e Europës, e vazhdueshme në këto 2000 vjet dhe që po përfundon le të themi në vitet apo në epokën që po jetojmë".

Libor Rouçek, zëvendëspresident i social-demokratëve në Parlamentin Europian
”Ç‘ka është interesante dhe e rëndësishme të shihet është se Shqipëria është në hartën e Europës që prej 2000 vitesh. Nuk është një vend apo një komb i ri, është një komb i vjetër, pjesë e Europës dhe e kujtesës tonë, nga librat dhe hartat e vjetra”.

E organizuar nga Partia Socialiste shqiptare dhe nga simotra e saj europiane, ekspozita mblodhi në inaugurimin e saj eurodeputetë, përfaqësues të Komisionit, të Këshillit të BE-së, diplomatë dhe shqiptarë që punojnë e jetojnë në Bruksel.

Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste Shqiptare
”Dua që këtu të jap një mesazh të qartë: pushteti aktual mund të mos e meritojë statusin kandidat, por atë e meriton populli shqiptar. Prandaj këtu ju kërkoj dhe uroj që të gjithë ju të mbështesni popullin shqiptar. Por në të njëjtën kohë, ju kërkoj të jini dhe vigjilentë. E di nga përvoja e hidhur, se zgjedhjet në Shqipëri mund të fitohen dhe humben, jo me vota, por me manipulime dhe vjedhje. Nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë sërish. Ju kërkoj të jeni vigjilentë dhe të kuptoni rrezikun, dhe ju kërkoj të qartësoni paraprakisht pasojat serioze për ambicet europiane të Shqipërisë, nëse praktikat e së kaluarës nuk mbulohen nga pluhuri i historisë, ku e kanë dhe vendin”.

Zita Gurmai, Presidente e Gruas në PSE
“Ky 100 vjetor i pavarësisë së Shqipërisë është një rast i mirë për të reflektuar për të kaluarën si edhe se çfarë të ardhmeje duam për brezat e ardhshëm. Kur unë shoh këto harta të vjetra që varen në muret e Parlamentit Europian, më rikujtojnë se çfarë po përpiqemi të arrijmë nëpërmjet projektit të ndërtimit europian”.

Angel Martines, zv/president i Parlamentit Europian
”Mbi të gjitha, kjo ekspozitë dëshmon përtej ç‘do dyshimi që Shqipëria është pjesë e Europës. Është pjesë e gjeografisë europiane, është pjesë e historisë europiane, është pjesë e kulturës europiane, por Shqipëria ndan me ne jo vetëm gjeografinë, historinë dhe kulturën, por edhe problemet që ndajmë të gjithë. Shqipërisë i ka munguar fati jo vetëm gjatë diktaturës së tmerrshme, pasi më parë Shqipëria ka qenë një tokë pushtimesh, shfarosjesh të të gjitha formave dhe një vend që nuk ka pasur shumë falenderime për t’ju dhënë shumë europianëve, përfshirë këtu edhe demokratët europianë”.

Eduard Kukan, kreu i delegacionit për Ballkanin në PE, PPE
”Është shumë mirë që kjo ekspozitë u organizua pasi shumë njerëz në Europë apo në vetë Parlamentin Europian as nuk e kanë idenë sa e lashtë, e qytetëruar dhe historike është Shqipëria. Kjo e ndihmon vendin tuaj dhe përbën një mesazh të rëndësishëm. E në këtë kuptim, është një iniciativë e mirë e Partisë Socialiste, së bashku me grupin e socialistëve dhe demokratëve në Parlamentin Europian dhe si rezultat është një ngjarje shumë e mirë dhe fisnike për Shqipërinë”.


Vasiliss Maragos, shef i njësisë për Shqipërinë në Drejtorinë e Zgjerimit, KE
”Është shumë interesante dhe shumë e rëndësishme. Kjo tregon kulturën që na bashkon të gjithëve në Europë dhe siç u tha nga të gjithë ata që mbajtën fjalime, është shumë e rëndësishme të kthejmë sytë nga rrënjët e përbashkëta e të përgatisim së bashku të ardhmen në Europë. Mendoj se kjo ekpozitë e tregon se e ardhmja e Shqipërisë është në Europë, siç ka qenë e kaluara, por më lini të them, siç është dhe e tashmja”.

Knut Fleckenstein, eurodeputet social-demokrat gjerman
”Mund të shihet se si, megjithë ndryshimin e kufijve gjatë shekujve, një gjë ka mbetur gjithnjë e përbashkët : është pjesë e këtij kontinenti europian dhe i takon të jetë edhe në këtë Parlament, dhe do t’a kemi një ditë”.

Mimoza Halimi, ambasadore e Shqipërisë pranë BE-së
"Një moment mjaft i mirë për të treguar vlerat e Shqipërisë, çfarë ne kemi qenë, ku jemi, dhe ku pretendojmë të shkojmë."

Pierre Mirel, drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian
”Është një ekspozitë e shkëlqyer, është shumë mirë që njerëzit mësojnë më shumë mbi historinë, e cila lidhet ngushtë me identitetin dhe ndienjat. E nëse nuk e njeh të kaluarën, si mund të shohësh nga e ardhmja. Por meqë është një ekspozitë që feston përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, unë do të kisha preferuar që të dyja partitë kryesore politike, le të themi i gjithë spektri politik i Shqipërisë, të ishin këtu së bashku e të na thonin: ja çfarë kemi kaluar nëpër shekuj, jemi të lumtur të ndajmë këto harta me ju dhe e ardhmja jonë është në këtë ndërtesë, në Bashkimin Europian”.

Safet Kryemadhi, drejtor kabineti në Bashkinë e Brukselit
”Ekspozita dëshmon vendin qëndror të Shqipërisë në ngjarjet historike sepse Shqipëria është në zemër të Mesdheut, në zemër të Ballkanit dhe në kryqëzimin e pushtimeve”.

Artan Seferi, piktor
"S'duhet të harrojmë se shumë europianë nuk e dinë nga bie Shqipëria. Hartat e tregojnë këtë".

Lendita Haxhitasimi, diplomate e Kosovës në Belgjikë
"Si ka qenë Shqipëria, që t'u themi të gjithëve që ne kemi qenë edhe atëherë, që nga shekulli i II-të deri në shekullin e 19-të siç tregohet në harta."

Tania Fajon, eurodeputete social-demokrate sllovene
"Jam shumë e lumtur që shoh sot shumë shqiptarë krenarë dhe bie dakort me atë që Edi Rama tha sot se shqiptarët nuk kanë nevojë për një të ardhme europiane, por për një të tashme europiane. Shqipëria ka qenë gjithnjë pjesë e Europës, ju jeni në thelb të Europës dhe mendoj se ka ardhur koha dhe shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mire”.

Pergatiti: Arta TOZAJ, Bruksel

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate