18 agosto 2012

Syri i Kaltër, burimi karstik rrëzë Malit të Gjerë, ku natyra të magjeps, po rrit ndjeshëm këtë vit numrin e vizitorëve


 Syri i Kaltër, shtohen vizitorët, por jo investimet
18/08/2012

Pavarësisht problemeve të mbartura në infrastrukturën rrugore prej më shumë se 10 vitesh, vizitorët thonë se parku monument natyre është një destinacion që nuk duhet humbur.

I vendosur në rrugën nacionale Gjirokastër-Sarandë, Syri i Kaltër grumbullon mijëra vizitorë në vit ndërsa fluksi i tyre kulmon gjatë muajit gusht, e lidhur kjo edhe me periudhën e pushimeve për emigrantët shqiptarë. Disa prej vizitorëve thonë se në këtë rrugë nuk është kryer asnjë investim ndërsa hapësirat për parking janë të pamjaftueshme duke shkaktuar kaos në hyrje. Cilësia e rrugës prej gati 1km gjithashtu lë shumë për të dëshiruar.

Të tjerë vizitorë shqiptarë të mbërritur nga vende të ndryshme të botës thonë se përtej mundimit në hyrje, kjo pikë turistike vlen të vizitohet nga të gjithë për bukurinë natyrore dhe praninë e shërbimeve të tjera.

Syri i Kaltër i takon administrativisht nënprefekturës së Delvinës dhe të ardhurat e grumbulluara prej taksave hyrëse shkojnë në miliona lekë gjatë muajve të verës. Cdo automjet në hyrje paguan 200 lekë dhe cdo individ 50 lekë.

Sipas të dhënave për vitin 2011, numri i vizitorëve të huaj dhe shqiptarë në këtë pikë turistike i kaloi të 70 mijë vetët, ndërsa këtë vit, fluksi i deritanishëm shkon në 75 mijë vizitorë të ardhur nga  Shqipëria dhe vende te tjera. Gjatë ditëve  të zakonshme të javës  parku vizitohet mesatarisht prej  500 personash në ditë ndërsa në fundjavë fluksi i automjeteve shkon në 300 të tilla pa llogaritur autobusët ndërsa numri i vizitorëve në rreth 1500 duke tejkaluar kështu kapacitetet për parking brenda tij.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate