Search

Loading...

Translate

07 August 2012

Shqipëria Turistike Zhvillimi i turizmit përmes trashëgimisë kulturore


Intervistë me znj. Armada Molla, presidente e Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor në Shqipëri 07/07/2012
 Nga Dorina Talo
Përshëndetje znj. Armada. Si fillim le të prezantohemi. Ju jeni në krye të Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor, cili është misioni juaj? Kush janë anëtarët që formësojnë Shoqatën tuaj?
Shoqata për Zhvillimin e Turizmit Kulturor - ADCT është themeluar në vitin 2009 si një organizatë profesionale e fokusuar në zhvillimin e turizmit kulturor dhe turizmit në përgjithësi, përmes promovimit dhe ruajtjes së trashëgiminë Kulturore dhe Natyrore.
Anëtarët e saj janë personalitete të fushave të Trashëgimisë Kulturore, Arkeologjisë, Muzeologjisë, Turizmit, Medias etj. Bazuar në këtë sfond akademiko-kulturor, në profesionalizmin dhe ekspertizën e tyre dhe të drejtuesve të saj, ADCT synon që zhvillimi i turizmit në Shqipëri të arrijë standardet e kohës duke respektuar interesat e vizitorëve.
Ndërkohë që vizioni i ADCT-së është i qartë: promovimi i potencialeve turistike dhe kulturore shqiptare për të krijuar një imazh tërheqës dhe një identitet të fortë të Shqipërisë, misioni i saj konsiston në rritjen e ndjeshmërisë së shoqërisë kundrejt vlerave të trashëgimisë kulturore përmes edukimit, komunikimit ndërkulturor për një zhvillim të qëndrueshëm të Turizmit në vend.

Promovimi i turizmit, dihet që në Shqipëri ka ende shumë për të bërë për të qenë afër standardeve evropiane, si arrihet kjo?
Në fakt, eksperienca evropiane dhe jo vetëm pohon se shumë vende e kanë turizmin si një nga industritë më të rëndësishme dhe e zhvillojnë atë bazuar në pasuritë e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, por me një përkujdesje të veçantë që kjo pasuri t’u ngelet brezave edhe në të ardhmen.
Ndërkohë, Shqipëria ndodhet akoma në një fazë, ku vlerat kulturore dhe natyrore prezantohen shumë spontanisht, ku strategjitë e hartuara si dhe planet e rralla të menaxhimit të qendrave historike apo të siteve arkeologjike dhe natyrore, përballen me mungesën e kapaciteteve lokale për t’i përthithur dhe aplikuar ato.
Por, nëse do t’i referohemi termit Turizëm Kulturor, i cili nënkupton lëvizjet e njerëzve të motivuar nga qëllime kulturore të tilla si: vizita në objekte dhe monumente arkeologjike dhe historike, udhëtime studimi, pjesëmarrje në festivale, shfaqje artistike apo ngjarje kulturore, udhëtime për të njohur traditën, jetën dhe identitetin e një populli, vizita në institucionet e kulteve fetare, etj. gjykojmë që Turizmi Kulturor në Shqipëri akoma nuk është konturuar si i tillë.
Si arrihet kjo? Në fakt, tendenca për ta përthithur dhe përdorur këtë eksperiencë ndërkombëtare nga institucionet publike dhe vetë Tour Operatorët Shqiptarë është evidente, sfida qëndron në faktin se si ta përshtatim atë me kushtet dhe mundësitë reale të Shqipërisë. Një gjë është e qartë: është momenti i duhur për të përfituar nga këto eksperienca dhe duhet të bashkëpunojmë seriozisht për të krijuar një produkt që përqaset me këto standarde.
Megjithëse produkti turistik shqiptar i ofruar nga Agjencitë Turistike të specializuara për Incoming (ofrimin e shërbimit për turistët e huaj), rreket të jetë sa më interesant dhe atraktiv, në shumicën e rasteve ai ngelet klasik dhe nga viti në vit vjen i njëjtë pa ndonjë ndryshim thelbësor. Kjo sepse, siç e përmenda më sipër, nuk ka plane të mirëfillta të menaxhimit apo një kalendar konkret të ngjarjeve kulturore që e gjallërojnë jetën e këtyre qendrave, prezantimi paraprak i të cilit tek Tour Operatorët do t’i ndihmonte në gërshetimin e tureve me këto aktivitete që pa dyshim rrisin numrin e vizitorëve.

Në muajin qershor ju organizuat një aktivitet në Orikum. Çfarë ofroi dhe çfarë solli ky organizim në drejtim të zhvillimit të turizmit?
Projekti “Orikumi - Qendra e Diversitetit Turistik, ishte iniciativa e parë e ADCT-së për të celebruar në një formë ndryshe në 2 qershor, çeljen e sezonit turistik dhe prezantimin e aseteve turistike - kulturore të kësaj qendre, përmes një sërë aktivitetesh që tërheqin kështu vëmendjen e publikut.
Orikumi si qendër turistike ofron për vizitorët një bregdet të magjishëm me arkeologji të pasur nënujore, ofron një sit arkeologjik rrënojat antike të të cilit janë dëshmi dhe rekorde të historisë së famshme të këtij qyteti shekullor, ka folklor të pasur dhe ofron një kuzhinë të pasur dhe ushqim të shijshëm, ndërkohë që temperamenti i veçantë i vendasve është intrigues për vizitorët. A nuk janë këto elementët e dëshiruar për çdo qendër turistike?
E gjithë kjo panoramë iu prezantua të ftuarve dhe publikut në aktivitetin njëditor, i cili përfshinte: Ceremoninë zyrtare të Hapjes së Sezonit Turistik nga Bashkia e Orikumit me një program të zgjeruar muzikor dhe argëtues, Organizimin e panairit të Agro-Turizmit organizuar nga Bashkia Orikum dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Vizitë në qendrën antike të Orikumit dhe më pas një prezantim profesional të përgatitur nga Prof. Dr. Neritan Ceka, Një shfaqje teatrale në rrënojat e qytetit antik të Orikumit, Drekën tradicionale përgatitur mjeshtërisht nga Klubi i Shefave të Kuzhinës Shqiptare, Shëtitje me varka përgjatë Gadishullit të Karaburunit e ofruar nga Aksion Service.
Por unë dua të ndalem pikërisht në disa nga aspektet më përfaqësuese të këtij aktiviteti:
Isopolifonia. E lashtë sa vetë historia e këtij vendi, Isopolifonia Shqiptare tashmë “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” dhe e mbrojtur nga UNESCO ishte pa dyshim një pjesë emocionuese e këtij eventi. Kënduar me shumë shpirt nga Treshja e Dukatit kjo performancë rijetësoi muret e qytetit antik duke na ftuar të gjithëve ta ruajmë dhe të krenohemi me vlerat e saj.
Shfaqja Teatrale. Një shfaqje teatrale në një format krejt ndryshe, u realizua në teatrin antik të Orikumit nga grupi “Aion Teatër”. Përmes vargjeve dhe interpretimin e vetë regjisorit Marsel Lesko, shoqëruar nga pianisti Robert Bisha dhe performancës trupore të balerinës dhe aktores Magda Saba, shfaqja përcolli një emocion të thellë te të ftuarit.
Dreka Tradicionale. Me një përkushtim të admirueshëm duke respektuar çdo detaj të kuzhinës tradicionale të zonës, të ftuarit tanë shijuan në një mjedis natyror dhe familjar pjatat e përgatitura me shumë dashuri dhe profesionalizëm nga Klubi i Shefave të Kuzhinës Shqiptare.
Udhëtimi me varka përgjatë Gadishullit të Karaburunit mrekulloi të ftuarit me pamjet magjepsëse të bregdetit shqiptar, duke shënuar kështu dhe mbylljen e këtij aktiviteti turistiko-kulturor në qytetin e Orikumit.
Ne jemi të bindur që ky aktivitet i larmishëm, mundësoi prezantimin e burimeve turistike të qytetit të Orikumit, orientoi autoritet lokale se si duhet ta promovojnë qendrën e tyre turistike në tërësi si një destinacion, dhe natyrisht do t’i orientojë Tour Operatorët të ndërtojnë paketa turistike më të pasura në program.

Pjesëmarrja e turistëve të huaj, ka qenë aktiv në këtë aktivitet? Si bashkëpunoni me ta, për t’i afruar ndaj turizmit vendas?
Natyrisht që qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte prezantimi i këtyre vlerave te vizitorët e huaj. Kështu ADCT kishte të ftuar jo vetëm përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, Vlorë etj., të cilët pa dyshim janë të prirur t’i prezantojnë dhe pasqyrojnë këto vlera turistike tek institucionet publike dhe private të turizmit në vendin e tyre, por edhe grupe turistësh dhe gazetarësh të huaj, që atë ditë kishin Vlorën si destinacion.

Projekti juaj më i afërt?
Përgjatë muajit gusht dhe shtator 2012 të tjera aktivitete do të zhvillohen në Lezhë, Durrës dhe Shkodër ku tashmë është i sigurt dhe numri i vizitorëve edhe nga Rajoni.
ADCT e mbështetur nga MTKRS, Bashkia Shkodër, Teatri Migjeni dhe shumë institucione publike dhe private të kulturës dhe të turizmit në vend, do të organizojë aktivitetin kulturor - turistik “Kalaja e Rozafës - një skenë ku përjetësohen vlerat”.
Unik në llojin e vet, ky aktivitet ka tërhequr vëmendjen e personaliteteve të jetës politike, sociale dhe diplomatike ne vend, të cilat e kanë parë dhe vlerësuar këtë projekt si skena që do të shpalos dhe lartësojë atë vlerë njerëzore që historia i ka atribuuar gjithmonë femrës - sakrificën shpirtërore dhe fizike për t’i dhënë jetë jetës.
Në këtë kontekst, organizatorët e këtij projekti po krijojnë mundësi marketimi tek Tour Operatorët shqiptarë dhe fqinjë, në mënyrë që audienca të përfshijë vizitorë të huaj dhe vendas.
Së fundi, dua të theksoj edhe një herë se megjithëse Shqipëria citohet si një destinacion ende i pazbuluar dhe kanalet botërore mediatike prezantojnë publikime, foto apo spote publicitare për turizmin në Shqipëri, për ne konturimi i një destinacioni turistik me të gjithë elementët e duhur ngelet akoma një sfidë.
Ju falënderoj për intervistën.http://www.infokult.al/events.php?id=559

Përgjatë muajit gusht dhe shtator 2012 të tjera aktivitete do të zhvillohen në Lezhë, Durrës dhe Shkodër ku tashmë është i sigurt dhe numri i vizitorëve edhe nga Rajoni.
Adresa: , Tirane

No comments:

Post a Comment