07 agosto 2012

Shqipëria tashmë destinacion edhe për pushime historike neperjmet kalave nga jugu ne veri.

Pushues jo vetëm të huaj, por edhe shqiptarë, kanë nisur të shijojnë tashmë edhe turizmin historik, që në të shumtën e rasteve në vendin tonë ndërthuret edhe nga ai bregdetar dhe malor për shkak të distancave të afërta. Në territorin tonë gjenden një varg kështjellash, të cilat datojnë që prej periudhave antike e deri në mesjetë. E veçanta është se disa prej tyre vazhdojnë të banohen edhe në ditët tona.
Kalaja e Rozafës
Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës. Ajo rrethohet prej ujërave të tre lumenjve: Bunës, Drinit dhe Kirit. Rozafa është një prej kështjellave më të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Kalaja ka origjinë ilire dhe historiani Tit Livi e përmend “si vendi më i fortë i Labeatëve” (fis ilir në brigjet e liqenit të Shkodrës). Mbretëresha ilire Teuta e ka përdorur atë si bazë në luftërat kundër Romës. Emri “Rozafa” del në mesjetë. Me këtë emër lidhet legjenda e murimit, të cilën nuk ka vendas që të mos dijë t’ua tregojë.

Kalaja e Krujës
Është objekti kryesor turistik i qytetit të Krujës. Kështjella është ngritur gjatë shekujve V-VI. Ajo ka trajtë eliptike me një perimetër prej 804 metrash. Muret rrethuese janë të përforcuara nga 9 kulla. Në pjesën më të lartë në verilindje ngrihet Kulla e Sahatit, e cila shërbente për vrojtim dhe sinjalizim me kalanë e Petrelës dhe Durrësin. Muzeu ndodhet në hyrjen kryesore të kështjellës. Muzeu është përuruar në vitin 1982. Krahas stendave, të cilat shpjegojnë veprimtarinë e Skënderbeut, në muze ndodhen edhe biblioteka, dokumente dhe botime që lidhen me figurën e Skënderbeut.

Kalaja e Lezhës
Ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane.

Kalaja e Kaninës
Ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës. Kjo kala është përmendur që në shekullin IV. Megjithatë aty janë zbuluar gjurmë që prej periudhës ilire. Mendohet se është ndërtuar që në shek III. Gjurmë të mëpasme janë ato të periudhave bizantine, veneciane dhe turke. Kalaja është rindërtuar nga Justiniani në shek. V dhe meremetuar nga sulltan Sulejmani më 1531.

Kalaja e Ali Pashait në Gjirin e Porto Palermos
Është një kala e vogël e vendosur në një pozicion mjaft të bukur në një gadishull në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos (në antikitet e njohur si gjiri i Panormes). Ali Pashai e ndërtoi këtë kala për nder të së shoqes, Vasiliqisë. Në të njëjtën kohë ajo shërbente edhe si pikë kontrolli. Gadishulli ku gjendet kalaja është i mbuluar me shkurre mesdhetare gjithnjë të gjelbra, ndërsa nga bedenat hapet një pamje mjaft e bukur e detit ku dallohet edhe gjiri ku mendohet se lahej Vasiliqia.

Kalaja e Lëkursit
Gjendet 2 km në jug të qytetit të Sarandës. Kalaja ka formë katërkëndore ku në secilin kënd ngrihen kulla të rrumbullakëta. Sipas disa burimeve, kalaja është ndërtuar në vitin 1537 nga sulltan Sulejmani në kuadër të fushatës së tij për të pushtuar ishullin e Korfuzit. Kalaja ngrihet mbi një kodër mjaft dominante dhe ofron një pamje të mrekullueshme.
http://www.infokult.al/events.php?id=495 

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate