06 agosto 2012

"Nisem me Pushime", hajdutët gjuajnë statuset në Facebook


TIRANE - Rrjeti social Facebook, ka dëshmuar se veç komunikimit me persona nga e gjithë bota, mund të shkaktojë edhe dëme. Kohët e fundit është zbuluar një tjetër fenomen i ri, ku të apasionuarit pas Facebook, që publikojnë shpesh vendodhjen e tyre, janë të rrezikuar të bien pre e hajdutëve.

Këtë përfundim e ka nxjerrë policia e Tiranës, e cila raporton se gjatë këtij sezoni veror, personave të cilët kanë shkruar në statuse vendodhjen e tyre, u janë vjedhur banesat.

Sipas policisë së Tiranës, janë rregjistruar një sërë vjedhjesh, ku dyshohet, se veç të tjerash, të kenë ndodhur pasi është njoftuar në Facebook se ndodheshin me familjen me pushime në zonat e plazhit. Dyshimet e policisë janë që banesat përgjithësisht, të jenë vjedhur nga të afërm të të dëmtuarve.

Duke marrë parasysh riskun që shpesh vjen nga moskujdesja e qytetarëve, policia e Tiranës, çdo sezon veror bën publike disa këshilla.

Policia u rekomandon qytetarëve që të mos u tregojnë personave të tjerë se do të largohen për disa ditë me pushime, dhe në rast se kjo ndodh të mos u tregojnë datën e kthimit. Ndër këshillat e saj, policia thotë gjithashtu që të mbahet një dritë ndezur si dhe të ndërrojnë bravën e derës në momentin që largohen nga shtëpia.

Në përfundim, policia njofton se shpesh ka ndodhur që fëmijët të kenë publikuar në rrjetet sociale se ndodheshin me pushime familjarisht dhe kjo sipas policisë, mund të intrigojë persona të tjerë për të kryer vjedhje në banesë.

Ndërkohë që policia shprehet, se gjatë ditëve të fundit janë identifikuar dhe arrestuar disa persona, të cilët kryenin vjedhje banesash në kohë dhe vende të ndryshme në Tiranë.

(gm/Shqiptarja.com)

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate