08 luglio 2012

Plazhi i pensionistëve. Liqeni artificial, mundësia e vetme

Tiranë - Duket si gjiri i ndonjë prej bregdeteve të vendit?Të moshuarit mund ta shohin edhe si të tillë, por ky është liqeni artificial, në të cilin po bëjnë plazh pensionistët. Pensioni i vogël nuk u ofron as pushime në bregdetin më të afërt, atë të Durrësit, por vetëm këtë mënyrë pushimi. Bile dhe drekën e marrin me vete nga shtëpia. Nuk i trembin as infeksionet në lëkurë prej ujit të ndotur. Çdo ditë ata janë këtu dhe kalojnë orë të tëra nën hijet e pemëve dhe freskohen me ujin e liqenit.

"E kam të përditshme pothuajse. Edhe i moshuar, por kalojmë kohën, nuk kemi ku të shkojmë pasi mundësitë janë të pakta. Vjet mora sëmundjen e zjarrit. Vjet hyja në ujë, sivjet jo",-thotë një pensionist. 

"Vera është shumë e nxehtë e unë nuk mundem dot të rri në asfalt, prandaj mendoj që ta kaloj këtu me shokët. Jam shumë fukara e nuk mundem dot nga ekonomia, jam invalid",-thotë një tjetër. 

Vera është e gjatë dhe më fatlumët shpresojnë se të paktën për pak ditë mund të ndryshojnë ambient. Fëmijët e tyre mund t'u ofrojnë ca para për të shkuar disa ditë në bregdet.

"Kushtet tona janë për këtu, pastaj shohim e bëjmë. Pensionist jam e të ardhurat nuk mjaftojnë, por mund të shkojmë edhe në plazh. Patjetër që na ndihmojnë fëmijët sepse ne vetë jemi zero",-thotë një tjetër. 

Gjatë vëzhgimit të kameras së "AS", në orët më përvëluese të ditës kur dhe termometri shënon 38 gradë, në pjesën e pyllit të liqenit artificial u ndeshëm dhe fëmijë, të cilët luanin nën hijen e pemëve. Me përfundimin e shkollës, të vegjëlit argëtohen në këtë ambient, pasi është ndoshta e vetmja zonë në kryeqytet, ku pemët nuk janë prerë.
Publikuar: Korrik 08,2012 - 13:56 
Julia Bardhushi

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate