10 luglio 2012

Berati në Forbes: Një nga tri destinacionet e rëndësishme në Ballkan

BERAT-më 2012-07-09 12:51:09
 Promovimi online i vlerave të turizmit në Berat, i cili shënon vitin e katërt si pjesë e trashëgimisë kulturore, ka sjellë këtë verë një numër të madh turistësh. Sipas drejtuesve të Zyrës së Turizmit në Berat, një tjetër element i rëndësishëm që ka shtuar këtë vit numrin e turistëve në këtë qytet, pjesë e UNESKO-s është edhe publikimi i bërë dy muaj më parë në revistën Forbes, e cila e ka nominuar Beratin si një nga 3 itineraret më të rëndësishme të vizitueshme në Ballkan. Ata thonë se Berati mund të cilësohet si një qytet dominues në paketat e shumta turistike që ofrojnë agjencitë dhe kjo duket mjaft qartë në shifrat e regjistruara që tregojnë se këtë vit në qytet kanë ardhur rreth 20 mijë vizitorë, që do të thotë 2000 turistë më shumë se vitet e tjera. Drejtuesit e Bashkisë së Beratit thonë gjithashtu se muajt maj e qershor të këtij viti kanë shënuar për herë të parë në Berat një turizëm VIP, pasi ky qytet është vizituar nga guvernatorë të bankave europianë, si dhe ambasadorë, ish-ambasadorë e anëtarë të trupave diplomatike. Disa turistë nga Prishtina, të ndodhur këtë fundjavë në Berat, tregojnë se ata kanë ardhur për vizitë në këtë qytet, pasi janë njohur me vlerat e tij që në fëmijëri nëpërmjet librave, sepse në shkollë kanë mësuar se Berati është një qytet i vjetër e me dritare shumë dhe pjesa më e bukur e që të lë mbresë në këtë qytet është pikërisht kalaja dhe shtëpitë karakteristike, të vendosura njëra mbi tjetrën. Ata shprehen se kanë mbetur të mahnitur nga ky ndërtim shekullor siç është Kalaja e Beratit, si dhe nga ndërtesat muzeale që janë të ruajtura në një gjendje mjaft të mirë, për të cilat kishin vetëm një njohje të vogël nëpërmjet librave të ndryshëm historikë ose televizionit. Rreth viteve 80 në Kosovë shikohej Televizioni Shqiptar, i cili transmetonte në të shumtën e rasteve qendrat historike e zonat turistike të Shqipërisë, mes tyre edhe qytetin e Beratit, shprehen turistët. Një tjetër i ri nga Prishtina, i cili ka ardhur në Kalanë e Beratit jo vetëm si turist, por edhe për specializim, si pjesë e një grupi restauruesish të pikturave e veprave të artit në Kishën e vjetër të Shën Kollit, shprehet se Kalaja e Beratit është kalaja e dytë pas asaj të Ulqinit që kishte vizituar më parë, në të cilën ka banorë, pasi pjesa më e madhe e kalave të vjetra nuk janë të populluara. Veç qytetit-muze, turistët që mbërrijnë në qarkun e Beratit kanë mundësi që të vizitojnë kanionet e lumit Osum, në Skrapar. d.xhhttp://lajme4.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/1047260302/titulli/Berati-ne-Forbes-Nje-nga-tri-destinacionet-e-rendesishme-ne-Ballkan

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate