28 giugno 2012

Tirana,Albania 6 objekte në guidën e ndërtimeve totalitare

Vendet e rajonit prezantojnë ndërtesat tipike të regjimeve.
Specialistët kanë përzgjedhur 3 ndërtesa nga periudha fashiste dhe 3 nga regjimi komunist.

Të rënda, herë-herë pompoze, ato janë gjurmë të pashlyeshme historie. Çdo sistem lë shenjat e veta, por ato totalitare janë edhe më të thella.
Me financimin e Bashkimit Europian është hartuar një guidë ndërtesash, të cilat mbartin me vete vlera të veçanta arkitekturore dhe historike. Në këtë guidë përfshihen 10 shtete, të cilat prezantojnë disa prej ndërtesave tipike të arkitekturës totalitare. Pjesë e saj është edhe Shqipëria, e cila përfaqësohet nga 6 ndërtesa mjaft të njohura në kryeqytet dhe që prezantojnë dy regjime, atë fashist dhe komunist. Bëhet fjalë për sheshin e ministrive, Bankën Kombëtare, godinën e Universitetit të Tiranës, Pallatin e Kulturës, Muzeun Historik Kombëtar dhe Pallatin e Kongreseve. Prezantimi i kësaj guide u zhvillua dje nga Bashkia e Tiranës, specialistët e së cilës shpjeguan edhe rëndësinë e saj. Projekti quhet ATRIUM – Arkitektura e regjimeve totalitare të shek. XX në menaxhimin urban është një projekt pilot, dhe synon të vendosë në një fokus më të madh një nga elementet kyçe të historisë, trashëgimisë dhe kujtesës europiane të shek. XX. Si partner i projektit ATRIUM, Bashkia e Tiranës përfiton një fond prej 62,112.58 eurosh, të cilat do të shfrytëzohen për ruajtjen dhe kthimin e tyre në qendra atraktive turistike. Qëllimi i tij përfundimtar është krijimi i një rruge kulturore transnacionale në Europën Juglindore, e cila do të certifikohet si “Rruga kulturore europiane”. Ky vlerësim është metodë bashkëkohore e rishqyrtimit të një trashëgimie të tillë dhe shfrytëzimit të saj bashkëkohor. Për këtë është hartuar një listë prej 71 objektesh në 10 vende të rajonit. Vendet e përfshira në Atrium janë Italia, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Sllovakia, Rumania, Serbia, Greqia.
Arkitektura shqiptare
Sipas specialistëve, por jo vetëm, arkitektura shqiptare e periudhës së luftës dhe asaj të pasluftës mban vulën e dy regjimeve totalitare. Regjimi i Musolinit la gjurmët e tij në një sërë ndërtesash të rëndësishme në qendër të Tiranës, duke u bërë pjesë e strategjisë dominuese fashiste. Ndërtesat kulturore, muzeale, edukative dhe kongresiale të periudhës komuniste plotësojnë temën edukative të historisë kombëtare me një legjitimitet shtesë të pushtetit të partisë. Veprat e përfshira në këtë listë janë përzgjedhur si shembuj të gjallë të një projektimi dhe ndërtimi të mirë hapësirash dhe ndërtesash, që tregojnë një integrim të plotë ndërmjet estetikës dhe artit si dhe forcën e doktrinës njëpartiake që i prodhoi ato. Sipas nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, në Tiranë mund të ndeshesh në një distancë të shkurtër në arkitektura nga më të lashtat, tek ato më modernet, ndërsa sa i përket arkitekturës gjatë regjimit komunist, Tirana pati një influencë të fortë nga Bashkimi Sovjetik, për shkak edhe të marrëdhënieve që regjimi i atëhershëm pati me këtë vend. “Pavarësisht vlerësimeve që ka për arkitekturën gjatë regjimit komunist, në vendin tonë, shpesh me nota negative, por edhe pozitive, kjo mbetet një pjesë e historisë sonë, të cilën nuk mund ta ndryshojmë. Një sërë ndërtesash që prezantohen në këtë projekt dhe që i referohen kryesisht periudhës së komunizmit, bëjnë pjesë në data-base-n që po krijon Bashkia e Tiranës me të gjitha monumentet e kulturës, pavarësisht se çfarë periudhe janë ato, për të krijuar manuale të veçanta se si mundet të mirëmbahen këto dhe të rikuperohen nga njëra anë, por, nga ana tjetër, t’i bëjmë pjesë të guidave turistike”, tha ajo.
Sheshi i Ministrive. Do të realizoheshin disa projekte njëri pas tjetrit nga arkitektët dhe urbanistët italianë, për të arritur në atë që do të ndërtohej më pas, prej vitit 1925. Ishte arkitekti De Fausto që përpunoi variantet e mëparshme, duke shtuar një lulishte në mes të katër godinave të ministrive dhe të një shatërvani në formë rrethore në mes të 2 godinave tashmë të tjera në pjesën veriore të sheshit. Për shkak se sheshi kishte përmasa lineare shumë të mëdha dhe godinat rreth tyre nuk ishin shumë të larta, ato u shtuan me një ose dy kate dhe lulishtja në mes u thellua 1,5 m për të rritur me anë të një efekti joreal lartësinë e tyre. Projekti u përpoq të shmangte në maksimum shkatërrimin e ndërtimeve ekzistuese, si: Pazari i Vjetër, dyqanet, xhamitë, Kulla e Sahatit etj.
Universiteti i Tiranës. Ndërtesa që sot njihet si Universiteti i Tiranës, dikur Casa del Fascio, plotësonte kompleksin e ndërtimeve italiane që formonin sëpatën e famshme të Liktorit. Sipas specialistëve, për ndërtimin e saj arkitekti Gerhardo Bosio u përqendrua në figuracionin e kullës malësore shqiptare. Ky objekt, i cili nisi të ndërtohej në vitin 1939, ndryshon rrënjësisht jo vetëm nga Pallati i Kolonadës dhe i Akademisë së Arteve (siç i quajmë sot), por edhe nga Kryeministria dhe akoma më tepër nga Pallati i Brigadave.
Banka Kombëtare e Shqipërisë. Në vitin 1930 nisi puna për ndërtimin e Bankës së Tiranës, e cila mbaroi në vitin 1938. Ajo është vepër e arkitektit italian Vittorio Morpurgo. Godina u ndërtua në hyrje të rrugës “Mussolini”, sot Rruga e Kavajës. Ndërtesa, shumë moderne për kohën, është realizuar me beton të armuar dhe e veshur me tulla qeramike si dhe me pllaka guri të ardhura nga Italia; Portiku qendror i përbërë nga katër kolona madhështore, në faqet e tij të brendshme është i dekoruar nga skulptura të realizuara me një terakotë speciale, vepër e skulptorit Alfredo Biagini, ndërsa interieri i sallës qendrore të sportelit në formë rrethore është i ndriçuar me një dritë indirekte që buron nga një kupolë që mbulon sallën dhe që ngrihet mbi tamburin e veshur me mozaik, të realizuar nga Giulio Rosso.
Pallati i Kongreseve. Punimet për ndërtimin e Pallatit të Kongreseve filluan në vitin 1982 dhe përfunduan në vitin 1986. Pallati ka një shtrirje rreth 70 metrash paralel me shëtitoren dhe lartësi 18 deri në 23 metra. Qëllimi ka qenë harmonizimi i mirë me objektet ekzistuese përreth si me Muzeun Arkeologjik, stadiumin “Qemal Stafa”, Kryeministrinë e Radio-Televizionin Shqiptar. Mjedisi kryesor është salla e madhe prej 2100 vende për zhvillimin e kongreseve, konferencave e koncerteve. Për veprimtari të ndryshme u projektuan edhe tri salla me kapacitete 150, 280 dhe 300 vende si dhe shumë mjedise pune, shërbime e teknike. Pamja e jashtme me brinjët rrezore, xhamat me kënde etj., është frymëzuar nga ndërtimet e traditës në Gjirokastër, Berat dhe nga kullat e Veriut, pa i kopjuar ato.
Pallati i Kulturës. Ndërtimi i tij filloi që në vitin 1960, në vendin e Pazarit të Vjetër të kryeqytetit, dhe u hap në 1966-n. Të parin gur simbolik në ndërtimin e kësaj ndërtese e ka vendosur Nikita Hrushovi në vitin 1959. Një ndërtesë imponuese, me një arkitekturë të ngjashme me shumë ndërtesa të tjera të ndërtuara në vendet e Lindjes, duke lënë një shenjë të fortë të marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik. Nën çatinë e saj, momentalisht janë përfshitë Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Biblioteka Kombëtare.
Muzeu Historik Kombëtar. Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeor më i madh në Shqipëri. E ndërtuar në pjesën perëndimore të sheshit “Skënderbej”, godina e MHK është një nga veprat më të rëndësishme arkitektonike me rol të veçantë në formimin urbanistik të kryeqytetit shqiptar. Ajo zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 27 000 m2, ka sipërfaqe ekspozimi prej 18 000 m2 dhe një vëllim të përgjithshëm prej 81 000 m3. Në pamjen ballore të tij u vendos një mozaik, i cili u realizua nga një staf artistësh: Vilson Kilica, Josif Droboniku, Agim Nebiu, Anastas Kostandini dhe Aleksandër Filipi.
ALMA MILEhttp://www.panorama.com.al/kulture/tirana-6-objekte-ne-guiden-e-ndertimeve-totalitare/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate