06 giugno 2012

“Malet e Shqipërisë” Guida e parë turistike e viteve ‘40

“Malet e Shqipërisë” Guida e parë turistike e viteve ‘40

Një udhëzues alpinistik dhe turistik i Shqipërisë së viteve ‘40 i botuar nga “Distaptur” vjen i shoqëruar me një studim për “Rapsoditë e maleve shqiptare” nga Nikola Lo Russo Attoma me foto historike.
Në vitin 1941 shtëpia botuese “Distaptur” në Tiranë publikon vëllimin “Montagne D’Albania”, me autor Piero Ghiglione, i cili është shtypur nga Instituti Gjeografik “De Agostini”.
Libri përfshin edhe një studim për “Rapsoditë e maleve shqiptare” nga Nicola Lo Russo Attoma, me 118 faqe dhe shoqërohet nga 60 ilustrime me foto bardhezi të vetë autorit.
Në mënyrë që libri të shpërndahej në të gjithë Shqipërinë, paralelisht ky vëllim u botua edhe në gjuhën shqipe, po nga shtëpia botuese “Distaptur” me titullin në shqip “Malet e Shqipërisë” dhe nëntitull “Me nji studim qi merret me rapsodët e malevet shqiptare”.

Revista “Drini” (Buletini mujor i turizmit shqiptar) i botuar në Tiranë nga Drejtoria e Turizmit, Shtypit dhe Propagandës në Kryesinë e Këshillit të Shqipërisë, e botoi librin në numrin 8, të saj, pikërisht me 1 tetor 1941.
Libri “Malet e Shqipërisë” mund të konsiderohet si dokumenti i parë shkencor për malet shqiptare dhe tani gjendet kudo në tregun e librarive. Hulumtimet tona tregojnë se ka ende kopje në bibliotekat e specializuara, madje edhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Ky udhëzues i inxhinier Ghigliones fokusohet veçanërisht në aspektin e alpinizmit dhe në të njëjtën kohë në turizmin malor shqiptar.
Ky vëllim ndahet në dy pjesë:
ashtu siç edhe përshkruhet brenda tij ai është një dokument shkencor, i cili është “një ftesë për të gjithë ata që i duan malet dhe vizitojnë Shqipërinë, ku do të zbulojnë me siguri bukuri panoramike dhe emocione alpine, për të cilat, deri tani udhëtohej vetëm në disa rajone të Evropës”. Kopertina e librit është një foto e piktorit Sante Bullo, i cili paraqet malet e Krujës, ndërsa në brendësi të librit paraqiten fotografi të realizuara nga vetë inxhinier Ghiglione. Kapitulli për “Rapsoditë e maleve shqiptare”, shoqërohet edhe me ilustrime të detajuara të disa prej instrumenteve kryesore muzikore më të përdorura në Shqipëri.

Ja dhe teksti që shoqëron recensionin e botuar nga revista “Drini”:
“Bordi Editorial “Distaptur”, i cili nuk ka më shumë se një vit që ka nisur iniciativën botuese në Shqipëri, ka bërë një punë të lavdërueshme (mjafton të kujtosh kartolinat e mrekullueshme artistike të cilat nuk mund të popullarizonin më mirë folklorin dhe bukuritë panoramike të Shqipërisë), duke pasur një meritë të çmuar në prezantimin e vëllimit të ri, të botuar kohët e fundit nga Instituti Gjeografik “De Agostini”, i cili do të çojë nëpër botë një ilustrim të prekshëm të një sektori të injoruar të territorit shqiptar: malet”.

Tre të tretat e territorit të Shqipërisë është malore: maja të paarritshme, vargmale madhështore, një ultësirë e thyer shkëmbore, pyje, lugina, borë dhe akullnaja, kasolle alpine të ndërtuara mbi shkëmbinj dhe kreshta dolomite të ngritura mbi opalin e kthjellët të qiellit. Kjo është një pjesë e panjohur e Shqipërisë: për shumë njerëz ajo ngjason një Shqipëri e largët, shpesh pa kurrfarë kurioziteti, por që falë botimit të “Distaptur”, thërret fort për të tërhequr vëmendjen e publikut.

As që do ta besoni se në “Malet e Shqipërisë” do të takoni përveçse një vëllimi në prozë me përshkrime, por edhe një guidë turistike, mjaft elegante dhe të ilustruar me të gjitha me rregullat e artit modern. Jo në çdo faqe do të ndjeni prani humane, por çdo luginë aty përshkruhet nga kënga e një bariu, në çdo majë mali jeton legjenda e tij prej mishi dhe gjaku, aq sa kur ata mbyllin punët, rreth e rrotull mbetet vetëm lavdia e hapësirës dhe heshtjes, por edhe shpirti i njeriut të pastruar e rafinuar nga era mijëvjeçare dhe bardhësia e përjetshme e dëborës.
Dhe ndoshta ky është fakti kryesor që libri hapet me një përshkrim rreth të shkruarës, në mënyrë që lexuesi të lidhet fort pas një strukture komplekse shpirtërore dhe të fuqishme: atë të malit shqiptar, i cili formësohet duke dëgjuar këngët e lindura në mënyrë spontane nga buzët e barinjve, instrumentet rudimentale, prej nga dalin detaje të thjeshta, të sugjeruara nga instinkti i jetës që e rrethon, i cili përbëhet vetëm nga dy elemente thelbësore të ciklit njerëzor : dashuria dhe vdekja.
I vendosur për të përmbushur këtë detyrë fisnike dhe i pajisur me një ekspertizë të thellë Nicola Lo Russo Attoma, i cili me studimin e tij mbi rapsoditë e maleve shqiptare, nuk mjaftohet vetëm me fjalë, por edhe me ilustrime fotografike, duke hapur një panoramë shpirtërore, e cila do të shoqërojë lexuesit në një udhëtim që nis nga një vargmal duke hyrë thellë në çdo luginë. Këtu, si në çdo gjë, mbizotëron elementi njerëzor. Aty e gjen njeriun me pasionet e tij, historinë, traditat, të metat dhe virtytet: ai përshtatet me ligjet misterioze të natyrës, duke shfaqur shpesh pa vetëdije gjithë fizionominë e tij, e cila përbëhet nga ngjyra dhe tinguj të mjedisit ku jeton.
 
Pjesa turistike e këtij vëllimi përshkruan malet shqiptare me një ilustrim teknik “të shtyllës kurrizore”, që përbën edhe gjithë kompleksin alpinistik të vendit, i cili është shkelur nga vetë Piero Ghiglione, një nga alpinistët më të njohur në botë. Mjafton të kujtosh se Ghiglione ka kryer eksplorime alpinizmi në Himalaje, Ande, masivet e Afrikës dhe natyrisht në të gjithë vargmalet e Evropës, çka të bën të kuptosh seriozitetin dhe përgjegjësinë që përmbajnë këto faqe libri. Madje
Ghigliones iu deshën disa muaj për të shkuar deri në thellësi të këtyre fshatrave shqiptare. Ai iu përkushtua me shumë dashuri këtij udhëtimi, për t’u përshtatur me njeriun, për të cilin mali përbën elementin më të rëndësishëm të jetës. Disa nga majat e maleve ishin tashmë të njohura për të, të tjerat i kaloi për herë të parë, por disa ngjitje ishin “një pushtim” i lakmuar apo një rekord. Ai përshkruan në faqet e librit çdo shkëmb të thepisur që të çon nëpër shtigje edhe më të ashpra, duke u ngjitur drejt lartësive ku të merret mendja.
Libri është i ndarë në gjashtë kapituj që mbulojnë gjashtë grupe ngjitje malore të sistemit alpinistik shqiptar, ku secila pjesë analizon malet me saktësinë e një dokumenti shkencor: saktësi për çdo masiv shkëmbor, si të ishte një produkt me formulë kimike ose shenja misterioze të shoqëruara me një radiolog të qartë spekto-analitik. Në çdo faqe të librit do ndieni frymëmarrjen e natyrës, pafundësinë e horizontit, madhështinë luftës mes njeriut të vogël dhe kokëfortë, i cili do të fitojë përballë një shkëmbi gjigand.
Piero Ghiglione u ndie mjaft entuziast për malet e Shqipërisë. Ai vlerëson punën e bërë për turizmit shqiptar, duke ndërtuar tashmë një strehë të rehatshme në rajonin e Thethit, (vargmal në veri), vend i cili ka një të ardhme të begatë turistike për Shqipërinë, si dhe zona të tjera malore, ku mund të shkohet për ski apo pushime. Madje inxhinieri Ghiglione, një alpinist me përvojë, do të donte të shoqëronte këtë libër edhe me një udhëzues “Paralajmërimesh” për vizitorët, ata që do të udhëtojnë në këto vende për qëllime alpinizmi.
 
“Mbani në mend, - shkruan ai, - sezoni më i mirë për shëtitur është gjatë stinës së verës, periudha nga muaji qershori deri në shtator. Deri në mes të qershorit moti është zakonisht shumë e paqëndrueshëm, aq sa dëborë mund të gjesh edhe në shkëmbinjtë më të afërt: ndërsa në shtator, sidomos pas mesit të muajit, mbrëmjet ftohen dhe netëve temperaturat ulen, sidomos në kampet në lartësi mbi 1500 metra. Malet shqiptare janë shumë të përshtatshme për ski, edhe sidomos në muajt e dimrit dhe pranverës”.
“Ju lutem vini re, - vazhdon autori, - që për alpinizëm zona më e mirë është pa dyshim ajo e veriut shqiptar mes Bogës, Thethit dhe Valbonës. Këtu shtrihen sipas rendit gjeografik rajoni i Majës së Madhe që kufizohet në Parnus, i cili përbëhet nga një vargmal që arrin në rreth 2000 metra.
 
Janë të njohura edhe zonat e Majës së Dejës, ndërsa në pjesën qendrore të Shqipërisë ngrihet mali i Korabit dhe Radomirës. Zona e Tomorit (Ultësira Qendrore) është gjithashtu shumë e rekomanduar, sidomos për udhëtarët që shkojnë aty me qëllime turistike. Vlen të përmendim si mjaft të rëndësishme edhe vargmalet e Ostrovicës, ndërsa në afërsi të zonës së Korçës në jug të vendit, ngrihet Nemërçka”.
Autori e përmbyll librin e tij me këshilla të vyera mbi pajisjet dhe furnizimet e nevojshme, mjaft të dobishme për alpinistët. Natyrisht, kjo pjesë i referohet viteve heroike të alpinizmit dhe tani ato janë zëvendësuar nga risi të vazhdueshme të teknologjisë.
Megjithatë, nga një ide e përgjithshme e përshkrimit ato vështirësi u tejkaluan nga eksploruesit e hershëm, alpinistët (mos harroni se shumë nga shqiptarët deri atëherë nuk i kishin shkelur ende ato maja) mund të përplasen me rrezikun: ujqër, derra të egër, pse jo edhe në ndonjë ari.
Vëllimi “Malet e Shqipërisë” është një libër mjaft interesant dhe i dokumentuar, i cili ka edhe sot vlera kulturore dhe shkencore.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate