Search

Loading...

Translate

05 June 2012

Kriza ekonomike, sfida e re turistike

Kriza ekonomike, sfida e re turistike

Nga: Ervin Qafmolla
Turizmi shqiptar do të përballet këtë vit me krizën ekonomike botërore. Prurjet e e pushuesve të huaj ka gjasa të zvogëlohen ndjeshëm. Ndërkaq edhe konkurrenca rajonale është forcuar, por nuk përjashtohen mundësitë për bashkëpunim. Deri më sot institucionet përkatëse nuk janë shprehur për masat që do të nevojiteshin për t’u përballur me këtë sfidë të re, ndërsa për rezultatet e sezonit të këtij viti është shumë vështirë të bëhen parashikime

Kriza ekonomike parashikohet të godasë këtë vit edhe sektorin e turizmit. Parashikimet tashmë janë në nivel rajonal, ndërkohë që vende si Mali i Zi që një pjesë tejet të rëndësishme të investimeve dhe infrastrukturës ia kanë dedikuar turizmit kanë filluar të marrin masa emergjente për t’i bërë ballë efekteve. Shqipëria nuk përjashtohet nga vendet e rrezikuara. Viti që shkoi, institucionet shqiptare regjistruan mbi 2 milionë hyrje në territorin vendas. Për më tepër, Ministria e Turizmit i cilësoi të gjithë këta vizitorë si turistë. Ndërkaq për sivjet nuk ekziston asnjë shifër, çka mund të konsiderohet një ogur i keq në vetvete.
Sakaq ekspertët e ekonomisë kanë theksuar se turizmi do të goditet nga kriza ekonomike ndërkombëtare duke qenë se veçanërisht turistët e huaj do të kenë më pak para për të shpenzuar për pushime. Emigrantët gjithashtu parashikohet të shpenzojmë më pak për turizëm në vendin e tyre duke qenë se që tani kanë filluar të sjellin më pak para në Shqipëri
Ndërkaq edhe pushuesit vendas janë prekur nga efektet e krizës ekonomike ndaj edhe ata parashikohen të shpenzojnë më pak në sektroin e turzimit. Kjo do të thotë s enë përgjithësi situata paraqitet në mos dramatike, të paktën e vështirë.
Në fakt, janë emigrantët dhe turizmi ata që deri më sot kanë shpëtuar ekonominë e vendit.
Punët do të kishin qenë shumë më keq që para krizës, për ekonominë shqiptare, duke pasur parasysh vetëm bilancin tregtar. Në fakt paratë që hyjnë në vend dhe ato që dalin jashtë, përfshijnë edhe elementë të tjerë, siç janë të ardhurat që vijnë nga emigracioni dhe të ardhurat nga turizmi. Të dy këta zëra kanë ndikuar rrënjësisht në përmirësimin e situatës. Transfertat korente si çdo vit marrin formë prej prurjeve nga emigrantët. Këto të fundit, përfaqësojnë burimin kryesor të financimit të deficitit në tregti mallrash dhe shërbimesh. Kontributi i këtyre dërgesave në zbutjen e deficitit tregtar llogaritet në rreth 40 për qind. Ndërkaq, të ardhurat nga emigracioni po bien, ndërsa edhe vetë turistët e huaj nuk kanë më aq para sa më parë për t’i shpenzuar në vende me turizëm jokonvencional siç është Shqipëria.
Nga ana tjetër, deri më tani nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare mbi pritshmëritë e turizmit këtë vit apo edhe nivelin e humbjeve të mundshme. Por, ekziston edhe një mundësi tjetër që lidhet me pushuesit e huaj. Duke qenë se ata mund të kenë më pak të ardhura për të shpenzuar në vende ku turizmi kushton shtrenjt, sipas disa ekseprtëve ndërkombëtarë, ka disa mundësi që shumë syresh të orientohen drejt vendeve me çmime më të lira. Ndërkohë që Shqipëria jo domosdoshmërisht renditet në këto vende. Në mënyrë që vendi ynë të përfitojë nga ky moment duke amortizuara humbjet e mundshme, një ulje e çmimeve të shërbimeve turistike do të ishte e nevojshme. Kjo lë për momentin si përfitues parësorë vendi si Turqia e ndonjë tjetër.

Sytë nga Mali i Zi?
Qeveria e Malit të Zi ftoi publikisht pak kohë më parë turistët nga Shqipëria të vizitojnë këtë vend, duke premtuar çmime “në përputhje me kushtet e krijuara nga kriza”. Kroacia, e cila gjatë dekadës së fundit parapëlqente të refuzonte turistët ballkanas dhe shpresonte të bëhej “destinacion luksi”, i shtriu dorën ish-armiqve serbë dhe i ftoi për pushime. Të dhënat paraprake flasin për ulje me 20 për qind të numrit të turistëve të huaj në këtë vend gjatë pjesës së parë të këtij viti. Hotelet pothuajse i kanë përgjysmuar çmimet e fjetjes në bregdetin Dalmat, me shpresë se do të bindin turistët të kthehen.
Malazezët patën filluar të tërheqin turistë nga vendet perëndimore vitin e kaluar dhe u bënë deri diku refuzues përkundrejt turistëve të varfër nga vendet e tjera të Ballkanit. Por së fundmi, ministri i turizmit Predrag Neneziç, i bëri një ftesë të drejtpërdrejtë shqiptarëve dhe kosovarëve. Ekonomia malazeze është goditur më shumë sesa vendet e tjera të Ballkanit nga kriza. Gjatë vitit të kaluar, 30 mijë shqiptarë kaluan 155 mijë netë turistike në vendin fqinj. Numri i shqiptarëve që kanë vizituar këtë vend ka ardhur në rënie në raport të drejtë me rritjen e çmimeve.
Qeveritë e Kroacisë dhe Malit të Zi janë angazhuar gjatë muajve të fundit të bindin operatorët turistikë të ulin çmimet, ndërsa kanë ditur të reklamojnë uljet. Vetëm qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim të tillë. Sipas saj, pavarësisht se çfarë ndodh në botë, numri i turistëve të huaj është në rritje këtë vit. Asnjë reklamë për ulje çmimesh nuk është bërë. Megjithatë shpresat janë që një numër më i madh kosovarësh do të vizitojnë Shqipërinë këtë vit përmes rrugës së re Rrëshen-Kalimash.
Shqipëria dhe Mali i Zi, një pjesë të rritjes ekonomike ia faturojnë turizmit, sidomos atij bregdetar dhe për këtë qëllim po shikohet mundësia e krijimit të një pakete të përbashkët promovimi. Ideja është hedhur nga pala malazeze dhe pritet të finalizohet me ardhjen në Tiranë të ministrit të Turizmit të vendit fqinj, në ditët e para të qershorit. Palët mendojnë për krijimin e një vije bregdetare të përbashkët, nga Kotorri deri në Sarandë, duke qenë se edhe pika doganore mes dy vendeve është e unifikuar. Ky është njëri detaj i bashkëpunimit mes dy vendeve, falë iniciativës së dhomave përkatëse të Tregtisë, të cilat zhvilluan dje një takim në Tiranë në kuadër të Forumit Ekonomik.
Rreth 50 biznese të Malit të Zi dhe po kaq biznese shqiptare ishin prezent në Forumin Ekonomik për të shkëmbyer eksperiencat e tyre, si dhe për të parë mundësinë e bashkëpunimit në fusha konkrete. “Unë ngre zërin për të apeluar se Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të thellojnë bashkëpunimin për hir të afërsisë gjeografike, të historisë që ndajnë dhe aspiratave për destinacionin e shumëdëshiruar, BE”, tha Gjokë Uldedaj. Kompani që merren me turizmin, ndërtimin apo prodhimet e ndryshme bujqësore e blegtorale ishin pjesë e këtij forumi, duke u ndalur në hapa konkretë të bashkëpunimit me homologët e të dyja vendeve sipas sektorëve përkatës. Në këtë forum biznesi merrnin pjesë kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Gjokë Uldedaj, homologu i tij i Malit të Zi, Velimir Mijuskoviç, ministri i Kulturës dhe Turizmit etj. Palët u fokusuan më tepër te bashkëpunimi, te turizmi, duke qenë se një pjesë e mirë e të ardhurave krijohen nga ky sektor. Dy vendet janë duke u përballur nga presione të vazhdueshme të krizës financiare, e në këtë pikë po shikojnë mundësinë e mbështetjes nga njëra-tjetra. I pranishëm në forum ishte edhe zv/ministri i Ekonomisë të Malit të Zi, i cili pranoi faktin se vendi i tij ndodhet në presion të vazhdueshëm nga kriza dhe se shikonte me mjaft leverdi bashkëpunimin me Shqipërinë. Kurse Mijuskoviç, kreu i Dhomës së Malit të Zi, tha se sektori i turizmit përbën mundësinë reale për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik
http://revistamapo.com/lexo.php?id=1807 

No comments:

Post a Comment