13 giugno 2012

Currila-Iliria Durres, tatimorët bllokojnë 12 plazhe private


http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2012/06/durres-hiqen-shezlonget.jpgInspektorët tatimorë duke bllokuar shezlongët

Currila-Iliria, tatimorët bllokojnë 12 plazhe private

Bllokohen në bregdetin e Durrësit 12 plazhe private të palicencuara. Punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Tatim-Taksave kanë zbritur në rërë, duke konfiskuar 280 çifte shezlongësh. Në startim të fluksit të madh të turistëve që pritet të vijnë në Durrës përgjatë kësaj vere, tatimorët kanë ndërmarrë aksion për shmangien e konkurrencës së pandershme që ka “lulëzuar” përgjatë vijës bregdetare. Dhjetëra punonjës të kontrollit kanë zbritur në terren me qëllim konfiskimin e shërbimeve të paligjshme që operojnë në plazhin më të madh të vendit. Si rezultat i kontrolleve të rrepta që kanë vijuar gjatë këtyre ditëve, janë konstatuar me dhjetëra shkelje dhe abuzime. Plot 12 plazhe private, të cilat kishin në përdorim rreth 280 çifte shezlongësh dhe çadra, janë konfiskuar nga ana e Drejtorisë së Tatim-Taksave përgjatë vijës bregdetare, nga zona e Currilave deri në afërsi të Plazhit Iliria. Në një vijë bregdetare me gjatësi 3.1 kilometra që nis nga Currilat deri në afërsi të Plepave, operojnë 170 plazhe private të licencuara, ndërkohë burime nga Drejtoria e Tatim-Taksave bëjnë me dije se një numër i madh subjektesh e ushtrojnë veprimtarinë në mënyrë të paligjshme. Nga terreni, ku ndodhej në aksion kreu i Drejtorisë Tatimore në Durrës, Shkëlqim Fortuzi, deklaroi se: “Në kuadër të planit strategjik të hartimit nga Drejtoria e Përgjithshme dhe planit të masave të hartuara për menaxhimin e sezonit turistik, ka filluar kontrolli i zonës turistike dhe momentalisht jemi përqendruar në plazhet private, të cilat janë gjetur të paregjistruara”. Ndërsa Fortuzi teksa u ka bërë thirrje subjekteve private për të shlyer detyrimet ligjore, ka akuzuar Bashkinë e Durrësit për mungesë bashkëpunimi në evidentimin e rasteve kur shkelet ligji. “U bëj thirrje të gjithë tatimpaguesve të regjistrohen vullnetarisht, në mënyrë ligjore, pasi në të kundërt administrata tatimore Durrës është e vendosur t’i konfiskojë dhe bllokojë konform ligjit tatimor të gjitha aktivitetet që do të konstatohen me shkelje. Për evidentimin e këtyre rasteve i kemi kërkuar ndihmë edhe Bashkisë së Durrësit, por megjithëse kanë kaluar tre muaj, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ana e saj”, ka pohuar gjatë aksionit Fortuzi. Plazhet e bllokuara janë: një në “Currila”, tre në zonën e sektorit “Apolonia” dhe tetë në plazhin tradicional në “Hekurudha”. Ndryshe nga një vit më parë, kur tatimorët hasnin rezistencën e pronarëve të subjekteve dhe në shumë raste u konfliktuan edhe fizikisht, këtë vit situata është më e qetë dhe në këto ditë të para nuk është shënuar asnjë incident. Ndërkohë, burime nga Tatim-Taksat bënë të ditur se aksionet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit veror, ndërsa objekt kontrolli do të bëhen të gjitha zonat që kanë vijë bregdetare.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJhttp://www.panorama.com.al/kronike/currila-iliria-tatimoret-bllokojne-12-plazhe-private/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate