12 giugno 2012

8 Qershore 2012 “Skënderbeu” vjen në atdhe, partiturat i kthehen familjes


Muzika e filmit s’është luajtur asnjëherë e plotë në Shqipëri, por mbi një suitë të ’95-s


Në 85-vjetorin e Çesk Zadesë ekspozohen partet.



http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2011/06/skenderbeu-rusisht.jpg
Më shumë se ekspozimi i tyre fizik, që mbart me vete dhe një lloj kurioziteti për kohën e largët kur janë shkruar, që përkon dhe me periudhën e dashurisë shqiptaro-ruse, ngjarja më e madhe është kthimi i tyre në Shqipëri. Më në fund, pas 60 vjetësh mbërrijnë në Shqipëri partiturat e muzikës së filmit “Skënderbeu”, që mban firmën e kompozitorit Çesk Zadeja dhe kontributin e pianistit dhe kompozitorit rus, Georgi Vasiljeviç Sviridov. Të konsideruara të humbura për një kohë të gjatë, partiturat e muzikës së filmit shqiptaro-rus të gjetura në arkivat e Moskës, u ekspozuan dje në 85-vjetorin e lindjes së kompozitorit Çesk Zadeja. Tashmë ato mund të shfrytëzohen dhe luhen nga muzikantët shqiptarë, çka nuk ka qenë e mundur deri më sot. Për të përkujtuar një nga themeluesit e muzikës serioze shqiptare, Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, në bashkëpunim me Këshillin e Muzikës Shqiptare, Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës etj., organizuan takimin “Akademi përkujtimore me rastin e 85-vjetorit të lindjes të kompozitorit, Prof. Çesk Zadeja”. Pas prezantimit të ekspozitës me partiturat e sapokthyera nga Moska, emra të njohur të muzikës shqiptare kumtuan mbi figurën e kompozitorit. Mund të përmendim akademikun Vaso Tole, akademikun Rauf Dhomin, Prof. Fatmir Hysin, Prof. Zana Shuteriqin etj. Më tej, e bija e kompozitorit, pianistja Delina Zadeja e instrumentistë të tjerë interpretuan pjesë nga krijimtaria e Zadesë. Ndërsa sot në Teatrin e Operës dhe Baletit, Orkestra Simfonike e TKOB, nën drejtimin e dirigjentit Bujar Llapaj, do të mbajë një koncert me vepra të autorit.
 
Krijimi dhe “humbja”
http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2012/06/Zadeja.jpgMuzika e filmit “Skënderbeu” është kompozuar në vitin 1952, ndërsa filmi u shfaq në kinematë shqiptare dhe ato të Bashkimit Sovjetik në vitin 1953. Çesk Zadeja ishte vetëm 26 vjeç aso kohe. Prej një viti (deri në vitin 1956, ku u diplomua shkëlqyeshëm) ndiqte studimet për Kompozicion në konservatorin shtetëror të Moskës “P. I. Çajkovski”. Për realizimin e muzikës së filmit, i cili thuhet se është realizuar me kërkesën e vetë Enver Hoxhës, ka kontribuar edhe kompozitori rus Georgi Vasiljeviç Sviridov, ndërsa ekzekutimi i saj është realizuar nga Orkestra e Kinematografisë në Moskë, në ish-Bashkimin Sovjetik, nën drejtimin e Grigori Gamburg. Kur filmi u shfaq në kinematë shqiptare e ruse (premiera më 28 Nëntor 1953 në kinema “17 Nëntori” në Tiranë dhe “Dom-Kinon” në Moskë), pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe në mënyrë të veçantë u vlerësua kolona zanore, sidomos ajo që shoqëronte skenat masive të betejave. Kur Zadeja u kthye në Shqipëri, nuk i mori me vete partiturat e veprës së tij, por i la ato në Moskë. Gjatë periudhës së diktaturës, sidomos pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, t’i shtije në dorë ato ishte e pamundur. “Kush do të mund t’i merrte? Ju e dini se si ishte koha atëherë”, thotë Alma Zadeja, bashkëshortja e kompozitorit. Pas viteve ’90, vetë kompozitori e më tej familjarët e tij u përpoqën të binin në gjurmë të këtyre partiturave, por pa mundur. Ato u konsideruan të humbura dhe sipas familjarëve të kompozitorëve, ky ishte një nga pengjet që Zadeja mori me vete. “Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, regjisori Pirro Milkani mendoi të dublonte edhe një herë filmin “Skënderbeu” dhe ta sillte atë në kohë, e për këtë iu desh të shkonte ta merrte në Moskë kopjen. Nga kërkimet e tij rezultoi se aty gjendej edhe partitura origjinale e muzikës së filmit që ne nuk e dinim ku ishte. Unë bëra gjithçka që ta sillja këtu këtë vepër, siç deshi im atë”, thotë Alban Zadeja, i biri i kompozitorit.
Interpretimi
Të gjithëve na vijnë ndër mend pasazhe nga muzika e filmit “Skënderbeu”. E sigurt është që ato na janë ngulitur prej herëve të shumta që mund ta kemi parë. Kjo të krijon përshtypjen se ajo është luajtur edhe nëpër koncerte. E vërteta është se “Skënderbeu” nuk është luajtur asnjëherë mbi bazën e krijimit të vitit 1952. “Kjo vepër nuk është luajtur asnjëherë sipas partiturave origjinale. Në vitet ’94-’95 Zadeja realizoi vetëm një suitë mbi këtë vepër, duke e dëgjuar atë me veshë, si të thuash një përshtatje të origjinalit. Ndërkohë që vetëm tani kjo vepër vjen e plotë dhe lajmi i madh është që tashmë ajo mund të luhet nga orkestrat tona”, thotë muzikologu Vaso Tole. Sipas tij, “Skënderbeu” na hap derën për në laboratorin krijues të Zadesë, solli jo shumë larg (1956) simfoninë e parë shqiptare. “Ne sot jemi të gëzuar sikur kemi gjetur një objekt të rrallë të trashëgimisë sonë kulturore dhe një objekt që i mungonte publikut shqiptar. Pa partiturat ajo ishte e pamundur të luhej”, thotë Tole. Sigurisht, në Shqipëri kanë ardhur kopje të partiturave origjinale që ndodhen arkivat e Moskës. Megjithatë, për muzikantët kjo nuk përbën asnjë rëndësi. Mjafton që vepra tashmë është e plotë.
ANI JAUPAJhttp://www.panorama.com.al/kulture/%E2%80%9Cskenderbeu%E2%80%9D-vjen-ne-atdhe-partiturat-i-kthehen-familjes/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate