15 maggio 2012

Trashëgimia Kulturore Nënujore, albania

Trashëgimia Kulturore Nënujore

 

Trashëgimia kulturore nënujore përmbledh të gjitha gjurmët e histories së njerëzimit që ndodhen ose kanë qenë nën ujë dhe që kanë karakter kulturor ose historik. Duke njohur nevojën urgjente për të mbrojtur dhe ruajtur këtë trashëgimi, UNESCO në vitin 2001 përpunoi Konventën për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Nënujore.
Vendi ynë, i pozicionuar pranë detit Adriatik dhe Jon, ka qenë banuar në lashtësi nga Ilirët, dhe sot shtrihet pak a shumë në zonën më jugore të Ilirisë së kahershme. Periudhat prehistorike por edhe ato historike të territoreve të Shqipërisë së sotme kanë lënë gjurmë të shumta në sipërfaqet ujore detare, lumore e liqenore.
Shqipëria e ratifikoi konventën nëpërmjet ligjit nr. 10027, dt.11.12.2008. Objektivat kryesore të konventës janë mbrojtja e trashëgimisë kulturore nënujore kudo që ajo ndodhet si dhe përcaktimi i përgjegjësive për shtetin që e nënshkruan atë. Mbrojtja realizohet nëpërmjet parandalimit të dëmtimit të trashëgimisë por edhe promovimit të saj për qëllime arkeologjike, shkencore-profesionale e kulturore, duke përcaktuar qartë që ‘trashëgimia kulturore nënujore’ nënkupton të gjitha gjurmët e ekzistencës njerëzore që kanë një karakter kulturor, historik ose arkeologjik që kanë qenë pjesërisht ose plotësisht nën ujë, periodikisht ose vazhdimisht, për të paktën 100 vjet.
Si një shtet anëtar i KE (13.07.1995) dhe duke synuar anëtarësimin ne BE, ratifikimi i konventës për Mbrojtjen e Trashëgimise Kulturore Nënujore (2.11.2001, Paris), ishte thelbësor për mbrojtjen e mëtejshme dhe studimin e trashëgimisë nënujore.
Është fakt që vetëm një numër i kufizuar i gjetjeve historike apo artifakteve mund të gërmohen apo tregohet përkujdesje nga arkeologët. Gjetjet zakonisht mbeten të pa mbrojtura dhe qëndrojnë atje ku janë depozituar për gjeneratat e ardhshme. Legjislacioni ndërkombëtar synon në mbrojtjen e trashëgimisë tonë përkundrejt atyre qe e dëmtojnë ose trafikojnë atë.
Anijet e mbytura në ujëra ndërkombëtare janë subjekt i legjislacionit të rikuperim/shpëtimit, domethënë objekte të paidentifikuara apo të braktisura i përkasin atij që i gjen, duke rezultuar ndonjëherë në rikuperimin komercial pa kryer ndërhyrje arkeologjike. Objekte të gjetura në ujëra territoriale janë trajtuar kryesisht bazuar në legjislacione vendase.
Kjo konventë parashikon gjithashtu sanksione, sekuestrimin e trashëgimisë kulturore nënujore në territorin kombëtar të përftuar jo në pajtim me konventën, trajnimin në arkeologjinë nënujore, ndërgjegjësimin publik, përcakton qartë rregullat në lidhje me aktivitetet drejtuar ndaj trashëgimisë kulturore nënujore, por edhe fuqizon autoritetet kompetente ekzistuese te mbrojtjes së trashëgimisë si dhe plotëson legjislacionin përkatës në fushën e trashëgimisë kulturore. 
Për më shumë klikoni në websitin e UNESCO:
http://www.unesco.org/new/en/unesco/themes/underwater-cultural-heritage/

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate