26 maggio 2012

“Shtegtimi në Shqipëri, tokë e Nënë Terezës” – guida e Vatikanit për turizëm fetar në Shqipëri, Albania 2012



Vatikani fut Shqipërinë në rrugën e pelegrinazhit duke zbatuar marrëveshja e firmosur në Vatikan një vit më parë me “Opera Romana Pellegrinaggi” (ORP) të Vatikanit.
Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, marrëveshja ishte një iniciativë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe një arritje e diplomacisëshqiptare. Turet e para turistike në Shqipëri mund të realizohen brenda vitit, ndërkohë itinerarët turistikë shqiptarë janë publikuar për herë të parë në katalogët e ORP-së. 
Për këtë qëllim është nisur puna për ndërtimin e hartës turistike dixhitale e cila me përfundimin e saj do të përfshihet në itineraret turistike ndërkombëtare. Në marrëveshje është parashikuar ngritja e strukturave pritëse turistike.
Ky pelegrinazh do të ndihmojë në vlerësimin e qendrave dhe vendeve me vlerë fetare apo kulturore si dhe në promovimin e turizmit shqiptar në botë. /albeu.com/

“Shtegtimi në Shqipëri, tokë e Nënë Terezës” – guida e Vatikanit për turizëm fetar në Shqipëri
15-05-2012 / Gazeta 55
Një paketë 8-ditore vizitash në “vendin e Shqiponjave” rekomandohet nga autoritetet e Veprës Romake të Shtegtimeve, që funksionon pranë Selisë së Shenjtë. Sipas guidës, shtegtimi zgjat 8 ditë, përfshin akomodomin në hotele me 4 yje dhe kushton 990 euro

Shqipëria vlerësohet për thesarin shpirtëror e kulturor nga Vepra Romake e Shtegtimeve. Në katalogun e udhëtimeve të këtij viti 2012, organizata kishtare e përmendur u propozon shtegtarëve italianë e ndërkombëtarë, edhe vendin e shqiponjave si pikë shtegtimi shpirtëror e kulturor. Pas marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë, për ta konsideruar këtë të fundit vend pushimi në rrugën e shtegtarëve, sidomos të atyre italianë, për në Tokën e Shenjtë. “Shtegtimi në Shqipëri, tokë e Nënë Terezës – thuhet në libretin e agjencisë kishtare, që merret me organizimin e shtegtimeve e të turizmit fetar – do t’ju japë rastin për të prekur me dorë, një nga karakteristikat më të jashtëzakonshme të popullit krenar të këtyre trevave: pasurinë e tij shpirtërore dhe takimin ndërmjet feve. Bashkëjetesa e harmonishme ndërmjet tri besimeve fetare përfaqësohet nga shumë tempuj kulti, të pranishme në rajone të ndryshme të Shqipërisë – xhami, kisha, teqe – që ekzistojnë njëra pranë tjetrës, dëshmi e qartë se feja në Zotin është shoqe jete për këtë popull. Kjo përvojë do të vlerësohet edhe më tej nga takimi me përfaqësuesin katolik të njërës nga katedralet më të njohura të Shqipërisë, si ajo e Shkodrës, gjë që do t’ju ndihmojë ta kuptoni më mirë kulturën e një vendi, kaq afër nesh (italianëve)”, shkruhet më tej në katalogun e shtegtimeve botuar nga Vepra Romake e Shtegtimeve.
Çmimi i udhëtimit përfshin edhe nisjen e kthimin me avion në Romë, të gjitha transferimet në qytete të ndryshme, fjetjen në hotele me 3-4 yje, ushqimin dhe ujin për tre vakte, guidën në italisht, vizitat dhe ekskursionet e të gjitha shpenzimet e tjera, si edhe sigurimet. Shtegtimi zgjat 8 ditë e kushton 990 euro.
Itinerari është interesant dhe nis nga Durrësi, me vizitën në Manastirin e Ardenicës, në Apolloninë e lashtë e në Vlorë, ku grupi ndalet në manastirin ortodoks të Zvërçanit. Më pas, transferimi në Sarandë, përgjatë bregut të detit Jon, duke shijuar të gjitha bukuritë që shtrihen para syrit. Parashikohet vizita në Kalanë e Lëkurësit, në gjirin e Sarandës e në qytetin e lashtë të Butrintit. Në ditën e katërt, grupi i shtegtarëve shkon në Gjirokastër. Gjatë rrugës, ndalet në kishën ortodokse të Mesopotamit e në atë të Labovës së Kryqit. Dita e pestë i takon Beratit, qytetit të njëmijë dritareve, me një nga kalatë e pakta, akoma të banuara në botë. Pas Beratit, grupi transferohet sërish në Durrës, por kësaj radhe viziton amfiteatrin dhe Muzeun Arkeologjik, për të shkuar më pas në Tiranë, ku guida do t’i tregojë monumentet kryesore të qytetit. Ditën e mëpasme, shtegtarët nisen për në qendrën e katolicizmit shqiptar, për në qytetin verior të Shkodrës, ku do të vizitojnë katedralen e Shën Shtjefnit dhe do të takohen me një përfaqësues të katolikëve vendorë. Më pas, kthesë drejt Krujës, qyteti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Dita e tetë dhe e fundit, në Tiranë, në Parkun Kombëtar të Dajtit, ku dreka e lehtë do të pasohet nga transferimi për në aeroport e nisja për në Romë.
Nisma - Në mëse 100 qytete evropiane, manifestimi i të krishterëve “Së bashku për Evropën”/Flamuri i kaltërt i Bashkimit Evropian u valëvit të shtunën në 130 qytete evropiane për edicionin e katërt të manifestimit “Së bashku për Evropën”. Në sheshet kryesore, dëshmi, këngë e valle për të përshkruar kontributin e të krishterëve për të mirën e përbashkët të kontinentit. Protagonistë të kësaj nisme në Romë - njëra nga qytetet pjesëmarrëse - ishin rreth 300 lëvizje e bashkësi të krishtera. “Duhet të përforcojmë çdo ditë filozofinë e marrëdhënieve ndërmjet evropianëve, t’i japim rëndësi gjithnjë e më shumë të afërmit”, u tha pjesëmarrësve nga Brukseli, kryetari i Këshillit të Evropës, Herman van Rompuy. Shpresa për të ardhmen është në vlerën e bashkësisë, që zgjidh të gjitha problemet e në përmasën komunitare, që e pasuron Evropën, theksoi edhe Maria Voce, kryetare e Lëvizjes së Fokolarëve, po nga Brukseli.
Ja disa dëshmi nga manifestimi i Romës. Së pari, pastori evangjelist Samuel Kpoti, i cili është nismëtar i takimeve ndërmjet fëmijëve e të rinjve të feve e kulturave të ndryshme në kryeqytetin italian: “Duhet të jemi gjithnjë gati për të mësuar nga të tjerët. Së bashku, rritemi më mirë e duhet të rritemi së bashku”. Siç bën Salvatori, që së bashku me të shoqen, Sara, mundohet çdo ditë të gjejë zgjidhje për familjet në krizë, me Tendën e Abrahamit, një lloj familje, që i mban dyert e hapura për të gjithë:
“Kemi vendosur të nisim një veprimtari të re, konkrete, që na detyroi ta lemë shtëpinë, tokën, punën, por jetojmë së bashku, në mënyrë që të formojmë një familje të madhe, e cila pret krahëhapur familjet në vështirësi”.
E si mund të kapërcehet kriza e sotme, cili duhet të jetë funksioni i financës dhe natyra e ndërmarrjes? Na e tregon Rikardi, meksikan, që administron një Institut kërkimor për etikën e bankave e të ndërmarrjeve: “Sipas nesh, fitimi e dinjiteti i njeriut duhet të gjejnë një pikëlidhjeje. Ne u propozojmë ndërmarrjeve të ndryshojnë mënyrën e administrimit, që të kenë jo vetëm fitime, por edhe punonjës më të kënaqur e më të impenjuar”.
Pra, një Evropë e Bashkuar është e mundur, nëse secili merr përsipër përgjegjësinë për të kontribuar në arritjen e këtij qëllimi. “Nuk mund t’i shmangemi historisë”, siç ka thënë Papa Benedikti XVI.
Marrë nga Radio Vatikani

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate