11 maggio 2012

Përgjatë brigjeve të Jonit ,Albania



Protagonistët e udhëtimit tonë kësaj radhe janë brigjet e Jonit dhe zonat pranë tij. Nisim me Dhërmiun.

Ujërat e Jonit lagin vijën bregdetare të fshatit Dhërmi, afro 40 km larg nga Vlora, duke formuar plazhe, ku bardhësia e guralecëve është në kontrast të fortë me blunë e detit. Këtu gjenden ato të Dhërmiut dhe Drimadhës. Pranë tyre janë një sërë lokalesh e restorantesh.

Çadra dhe shezlongë në dispozicion të pushuesve për 500-600 lekë. Vende të bukura, por edhe çmime të larta, tjetër kontrast ky në raport me rrogat e shqiptarëve. Për të parkuar makinën pranë plazhit, mund të shpenzohen edhe 300 lekë. Dhomat në fshat kushtojnë rreth 30 euro, ndërsa ato në hotele nga 50-70. Për ata që nuk bëjnë dot pa luksin, mund t'a kenë duke paguar nga 80-120 euro në natë. Dhërmiu preferohet kryesisht nga tiranasit, por edhe nga pushues që vijnë nga Kosova.

"Vij nga Prishtina. Ky është viti i katërt që kaloj pushimet verore këtu dhe më tërheq shumë ky vend. Është plazhi, natyra magjepse që ka ky plazh, është afërsia që ka krijuar autostrada që e ka bërë më të lehtë dhe më të shpejt ardhjen në këtë plazh", shprehet një pushuese nga Kosova.

Në nder të miqve, ofrohen edhe produkte me emra qytetesh kosovare. Kur plazhi boshatiset, pak pushim dhe nisin të mbushen lokalet e mbrëmjes. Gjallëria e ditës i kalon stafetën jetës së natës.

Zbresim më në jug dhe gjejmë një tjetër vend me pamje të bukura: Jala.

Ujërat e kristalta këtu vende-vende marrin ngjyrën e smeraldit. Plazhi është i vogël dhe çmimet për t'u relaksuar pranë detit në shezlong bëhen më të përballueshme: 300 lekë. Dikush luan Beach Volley, dikush tjetër me letra. Nata këtu në dhomat pranë shtëpive nga 3500-4000 lekë.

Shkojmë drejt Himarës. Një tjetër zonë e preferuar nga pushuesit.

Plazhi i Himarës. Çmimet këtu rriten sërish. Për të qendruar nën hijen e çadrës i shtrirë në shezlong, nga 500-700 lekë. Dhomat në hotele dhe garsonierat nga 35-60 euro, qendrimi në resort deri 110 euro për natë. Për të shijuar Himarën, por jo çmimet e kripura të saj ekzistojnë edhe alternativat: qëndrimi në kamping. I zgjedhur nga familjarë, të huaj dhe sigurisht të rinjtë.

"Arsyet ekonomike më tepër. Këtu është më lirë, pasi për të marrë një dhomë të shkon shumë shtrenjtë. Kampingu është më i lirë, është më praktik", thotë një i ri.

Një tjetër zgjedhje është kamperi. Vetëm 400 lekë dhe nata është e siguruar.

"Duke krijuar të gjitha, hotelet, shtëpitë, kjo ka të mirën se je shumë i pavarur. E bën jetën sipas mënyrës tënde. Kursen dhe jashtëzakonisht shumë", thotë një frekuentues i kamperit.

Një tjetër plazh, ai në Potam.

Dy km larg Himarës, gjendet Gjiri i Llamanit. Përpos shezlongëve, që kushtojnë 500 lekë, për ata që dëshirojnë të jenë më në privatësi, ofrohen edhe ambjente private.

"Është një nga ambjentet më të bukura për të pushuar dhe është i kompletuar me gjithçka mund të kërkojë një pushues. Mund të jetohet edhe 24 orë pa pushim, mjafton që të kesh fuqinë për ta realizuar", shprehet një pushues.

Për një ditë ndryshe, pak km larg Himarës gjendet kalaja e Porto Palermos. Pagesa 100 lekë për të vizituar ambjentet e kalasë së shekullit të X, IX, të cilën Ali Pasha Tepelena e ndërtoi në ndër të gruas së tij, Vasiliqisë.

Për adhuruesit e muzikës, edhe në Himarë e pranë saj ka për të gjitha shijet. Ndër tendencat e fundit: muzika latino amerikane.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate