21 aprile 2012

Berisha: Presim sezon të shkëlqyer turistik, por nuk e heqim moratoriumin për mjetet e lundrimit

Kryeministri Sali Berisha tha se ka një interes botëror për turizmin shqiptar. Por ai tha se nuk përkrah nismën e opozitës për të hequr moratoriumin e mjeteve të lundrimit, pasi nuk do që Otranto të rikthehet si varr për emigrantët. Berisha tha se nuk do e kthejë Vlorën në qytet skafesh tani që po shpallet më e bukura e Mesdheut. Pyetja që lind është se përse njerëzit do largohen me skaf nga mrekullia ekonomike? Ndërkohë që trafiku i drogës me skaf nuk është ndalur ndonjëherë

Kryeministri Sali Berisha tha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD se pret një sezon të shkëlqyer turistik.
“Të dhënat paraprake flasin për një interes të madh botëror në rritje për të kaluar pushimet dhe për të vizituar Shqipërinë. Të dhënat janë për një sezon të shkëlqyer. Çdo ditë në mediat më serioze të fushës ka shkrime dhe përshkrime të bukurive të rralla, të shërbimeve të shkëlqyera, të mikpritjes së pashembullt, të pasurive të mëdha kulturore dhe historike që ofron Shqipëria,” tha Berisha.
“Ky vit ka një specifikë se janë me dhjetëra e dhjetëra shkrime kushtuar Beratit, qytetit të 1001 dritareve. Gjithnjë e më shumë po shkruhet për Alpet dhe një fluks i paparë po vërshojnë drejt tyre. Alpet e Shqipërisë janë cilësuar nga mediat botërore si Himalajat e Europës. Bjeshkët e Namuna me relievin e tyre, me akullnajat shekullore të zbuluara së fundmi ofrojnë pamje unike midis të gjitha vargmaleve të Europës. Ka një interes të madh për malet e Gramshit, Librazhdit dhe gjithë Shqipërisë,” vijoi më tej ai.
Kryeministri bëri thirrje që qytetarët të angazhohen në pastrimin e Shqipërisë më 20 prill. “Ne kemi shpallur datën 20 prill si ditën e Shqipërisë së Pastër. U bëj thirrje që të bëni gjithçka për suksesin e kësaj nisme, që në radhë të parë duhet t’i shërbejë vetëdijësimit tonë mbi rëndësinë jetike për një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj mjedisit. Asgjë nuk nxin më shumë në këtë vend me zhvillim të gjithanshëm se prania e plehrave të shpërndara në mënyrë shumë të shëmtuara. Prandaj u kërkoj vendorëve që të marrin masat që më 20 prill të bëjmë Shqipërinë më të pastër në historinë e saj. Të jetë një ditë apeli dhe ndërgjegje të thellë për një kthesë shumë të rëndësishme. Të bëjmë gjithçka së bashku që të ndëshkojmë krimin ndaj mjedisit. Asgjë nuk cenon më shumë se kjo shpërkujdesje e pafalshme imazhin e vendit,” tha Berisha.
“Vendi ka shënuar arritje të paimagjinueshme pak vite më parë. Ne po e urbanizojmë vendin, realisht po e urbanizojmë. Por duhet adoptuar një qëndrim i njëjtë ndaj mbetjeve dhe plehrave. Qeveria do angazhojë të gjitha institucionet dhe mjetet, por mbështetja juaj është e pazëvendësueshme në zonat tuaja elektorale. Ajo të jetë një ditë vendimtare, një kthesë e madhe në qëndrimin tonë ndaj mjedisit,” vijoi kryeministri.
Ndërs foli për sezon të shkëlqyer turistik, Berisha tha se nuk pranon nismën e PS për të shfuqizuar nismën për ndalimin e mjeteve lundruese. Berisha tha se nuk do e kthejë Vlorën në qytet skafesh, kur ajo po shpallet më e bukura e Mesdheut. “PS ka kërkuar shfuqizimin e ligjit për moratoriumin e ndalimit të mjeteve të lundrimit. Duke shprehur respekt për nismën ligjvënëse të deputetëve të PS, që dëshmon qëndrimin e tyre luajal ndaj parlamentit, më duhet të theksoj se kjo nisëm është absolutisht e papranueshme për arsye se kjo do ishte një damkosje tjetër e pamerituar për Vlorën, për të cilën po diskutohet për ta shpallur qytetin më të bukur të Mesdheut. Tani ta bëjmë skafo- qytetin. Kjo do ishte e papajtueshme për zotimet e Shqipërisë për luftën me zero tolerancë ndaj krimit. Ndaj me duhet të shpreh keqardhjen që kjo nisëm nuk mund të pranohet. Mazhoranca është e vendosur të mbajë moratoriumin. Unë e kuptoj që rëndom përdoret argumenti se na dëmton turizmin. Po të jetë kështu, kur ndaluam skafet turizmi u rrit me 10-12 herë. Ky argument nuk qëndron. Nuk kemi më viktima në varrin gjigand që u bë Otranto për vite të tëra. Me qindra e qindra u mbytën. Duhet ta fshijmë nga memoria problemin e skafizmit. Vlora po diskutohet për tu shpallur gjiri më i bukur i Mesdheut, ua them unë. Ta nxijmë me skafe ne tani?” tha Berisha.

Nessun commento:

Posta un commento

Search

Translate